2012-01-02 13:03:56

Më 2 janar kalendari përkujton Shën Gregorin Nazianzenin


Shën Gregori i Nazianzenit, ipeshkëv e doktor i Kishës, lindi në Nazianzo, Nemisi i sotëm në Turqim, në vitin 330. Formimin kulturor e zellin mistik i mori përkrah Bazilit, me të cilin e lidhi një miqësi e ngushtë. Shkruan Ati i Kishës: “Na printe e njëjta etje për të ditur… gara jonë nuk kishte për qëllim që secili të dilte i pari, por që secili ta mundësonte tjetrin të ishte i pari. Dukej sikur kishim një shpirt të vetëm në dy trupa”.
U zgjodh Patrik i Kostandinopojës në vitin 381. Njeri me temperament teologu e me aftësi të dukshme drejtuesi, në veprat e tij oratorike e poetike përshkruan përvojën e Krishtit të gjallë e veprues në misteret e shenjta.
Mbrojtës i vendosur i fesë trinitare, Gregori luftoi me të gjitha forcat kundër herezisë ariane, e cila në shekullin IV ishte vënë në shërbim të perandorëve. I pëlqente vetmia. Për të gjëja më e madhe ishte t’i bësh ndjenjat tua të heshtin, të dalësh nga korpi e nga bota, të mbyllesh në vetvete, të mos merresh fare me punët e njerëzve, përveç atyre që janë vërtetë të domosdoshme; të flasësh me vete e me Hyjin, të jetosh një jete të padukshme, jashtë sendeve të dukshme; ta kesh shpirtin plot me figura hyjnore gjithnjë më të kulluara, krejt të papërzjera me format tokësore e të gabuara Një herë pati thënë: “Duke mos folur, mësojmë të heshtim, por duke heshtur, në qetësi të plotë, mësojmë të flasim më mirë”.
E kur nuk ishte më në gjendje të ndërmjetësonte, për të pajtuar grupet kundërshtare në gjirin e Kishës, shkroi: “Më lini të pushoj pas lodhjes së vazhdueshme, kini respekt për flokët e mi të bardhë… U lodha duke dëgjuar qortime pas qortimesh kundër dashamirësisë sime, u lodha së luftuari kundër thashemnajës e kundër zilisë, kundër armiqve e kundër tanëve. Njëra palë ma ngul thikën në kraharor e më dëmton më pak, sepse është e lehtë ta përballosh armikun ballpërballë. Ndërsa të tjerët më spijunojnë pas shpine e më shkaktojnë kështu një vuajtje edhe më të madhe, sepse goditja e të mive më hap plagë shumë më të thella. Nuk mund ta përballoj më këtë luftë e nuk e di në se mund t’i pajton njerëz të tillë... për shkak të të cilëve populli është ndarë në dy kampe. E jo vetëm populli, por edhe Lindja e Perëndimi u ndanë në dy kampe kundërshtare!”. (Fjalime 42, 20-21).
Pa Zotin, njeriu e humbet madhështinë e tij, pa Zotin nuk ka humanizëm të vërtetë: këtë mësim na jep Gregori i Nazianzit – sipas Benediktit XVI në audiencën e përgjithshme të 8 gushit 2007. Atë i Kishës, qe gojtar i shkëlqyer e mbrojtës i fesë. Në homelitë e tij, vuri gjithnjë në plan të parë Zotin.
Njeri i rafinuar, i ndjeshëm e i kulturuar, ai zgjodhi rrugën e jetës murgare, rrugën e meditimit filozofik e shpirtëror: kështu e përshkroi Benedikti XVI Gregorin e Nazianzit, autor i ‘Fjalimeve teologjike”, i homelive e i teksteve poetike, që vijojnë t’u flasin edhe njerëzve të kohëve tona:
“Është njeri që bën të ndjehet përparësia e Zotit, e prandaj na flet edhe ne, i flet edhe botës sonë. Pa Zotin, njeriu e humbet madhështinë; pa Zotin nuk ka humanizëm të vërtetë. Ta dëgjojmë, prandaj, këtë zë e të përpiqemi ta njohim edhe ne fytyrën e Zotit”.
Gregori i kushtonte vëmendje të dorës së parë teologjisë: “Për të nuk ishte vetëm reflektim njerëzor ose fryt i mendimeve të thella e të ndërlikuara, por rrjedhojë e jetës së kaluar në lutje e shenjtëri, e dialogut të vazhdueshëm me Hyjin. E pikërisht kështu arsyes sonë i shfaqet realiteti i Hyjit, misteri trinitar”.
Papa përshkruan edhe ngurrimin me të cilin Gregori i Nazianzit e priti shugurimin meshtarak: kishte merak se do t’i rrëmbente kohën e lutjes, të takimit me Hyjin, ndonëse pastaj bëri dëgjesën, duke e pranuar shërbimin baritor e duke shkuar, ashtu si ndodh shpesh herë në jetë, atje ku nuk deshi të shkonte. Ashtu si për shugurimin meshtarak, Gregori ngurroi edhe para se të shugurohej ipeshkëv. Por iu desh ta pranonte edhe këtë shërbim. E si ipeshkëv i Sazimës e pastaj edhe i Kostandinopojës, u detyrua të përballojë shumë vështirësi, kundërshtime e armiqësi – tha Papa dhe në vijim citoi fjalët Gregorit: “E ndamë Krishtin, ne që e donim aq shumë Hyjin e Krishtin! Gënjyem njëri-tjetrin, për shkak të së vërtetës, ushqyem ndjenja urrejtjeje, për shkak të dashurisë, u ndamë nga njëri-tjetri”.







All the contents on this site are copyrighted ©.