2012-01-02 13:40:00

Më 2 janar kalendari përkujton Shën Bazilin e Madh


Shën Bazili i Madh, ipeshkëv e doktor i Kishës, lindi në vitin 330 në Kapadokie të Çezaresë, sot qyteti turk Kaizeri. Ishte bir i një familjeje tepër të përshpirtshme. Përveç prindërve, edhe tre nga nëntë vëllezërit e tij, u shpallën shenjtorë. Para se të ishte ipeshkëv në vendlindje, jetoi në Palestinë e në Egjipt. Vdiq ende i ri, 49 vjeç, por gjatë këtyre viteve zhvilloi një veprimtari aq të dendur, aq të pasur me predikime e vepra, sa të meritonte titullin’ i Madh’. Meshtar u shugurua rreth vitit 364 në duart e Euzebit të Çezaresë, të cilin e zëvendësoi në katedrën ipeshkvnore, në vitin 370. Gjatë shërbimit të tij ipeshkvnor iu kundërvu me të gjitha forcat herezisë ariane. Vdiq më 1 janar të vitit 379 në Çezare, ku edhe u varros.
Benedikti XVI i ka kushtuar Shën Bazilit dy audienca të përgjithme: atë të 4 korrikut e të 1 gushtit 2007. Shën Bazili – na kujton Benedikti XVI - mund të konsiderohet një nga etërit e Doktrinës Shoqërore të Kishës; me jetën e me shkrimet e tij na fton të reflektojmë për misterin e Hyjit, të pranojmë se veprat e dashurisë së krishterë kanë rëndësi të dorës së parë për të shprehur fenë e t’i nxisim, si Ai, të rinjtë, për të kërkuar me ngulm të vërtetën.
Ky Atë i Kishës, që jetoi në shekullin IV, është tepër aktual, pohon Benedikti XVI: “Së pari, pse na nxit për një pjesëmarrje të vëmendshme, kritike e krijuese në kulturën e sotme; pastaj për përgjegjësinë shoqërore, në kohën kur në botën e globalizuar edhe popujt gjeografikisht të largët, janë vërtetë i afërmi ynë; për miqësinë me Krishtin, me Hyjin që ka fytyrë njerëzore e, së fundi për njohjen e Hyjit krijues, Atë i të gjithëve. E vetëm në se ia hapim zemrat këtij Hyji, që është Ati ynë i përbashkët, mund të krijojmë një botë të drejtë, një botë vëllazërore”
Papa kujtoi thirrjet e vazhdueshme që Shën Bazili u drejtonte besimtarëve për t’i shfrytëzuar energjitë që burojnë nga Pagëzimi në drejtim të Eukaristisë, për të mos përbuzur asnjë njeri e për të mos e fyer Krishtin, duke u sjellur në mënyrë çnjerëzorë me të tjerët. Kur ia ngulim sytë Krishtit – na kujton Shenjti, e kuptojmë plotësisht ç’do të thotë dinjiteti i njeriut
Shën Bazilit i kushtoi vëmendje të posaçme studimit të klasikëve të letërsisë greke e latine. Na mëson se: “Duhet marrë nga tekstet e autorëve klasikë ajo, që është bindëse e që përkon me të vërtetën: e kjo duhet bërë duke i parë me sy kritik, duke dalluar të mirën nga e keqja. Këta libra duhen përdorur duke ndjekur shembullin e bletëve. Ato shkojnë të thithin nektar lule më lule, por nuk thithin gjithçka, marin vetëm atë që u duhet për të bërë mjaltin e të tjerat i lënë. Edhe ne, në se jemi të urtë, marrim nga këto shkrime atë që na duhet, që përkon me të vërtetën e lëmë mënjanë atë që nuk na shërben”.







All the contents on this site are copyrighted ©.