Me 1 janar Kisha kremtoni solemnitetin e Nënës së Zotit
Më 1 janar Kisha kremton misterin e Marisë, Nënë e Zotit. Fillojmë pra, sot, një
vit të ri e na merr për dore shpresa e krishterë; e fillojmë duke iu lutur Hyjit të
na japë bekimin hyjnor e duke kërkuar, me ndërmjetësi të Marisë, Nënës së Zotit, dhuratën
e paqes: për familjet tona, për qytetet tona, për botën mbarë. Mund të jemi të sigurt:
në se nuk lodhemi s’e kërkuari fytyrën e Zotit, në se nuk i nënshtrohemi tundimit
të humbjes së besimit e të dyshimit, në se përmes vështirësive të panumërta, mbetemi
gjithnjë të lidhur ngushtë me Të, do të provojmë patjetër pushtetin e dashurisë së
Tij e të mëshirës së Tij Hyjnore, Jezusi, Foshnja e njomë e Betlehemit që Virgjëra
Mari ia dëfton sot botës, na bën veprimtarë të paqes, dëshmitarë të Tij, Princit të
Paqes. Po çfarë peshe ka kjo e vërtetë e fesë? Ia kërkuam përgjigjen kardinalit
Angjelo Komastri, vikar i Papës për Qytet-Shtetin e Vatikanit: "Ka peshë
të pamatshme e njëkohësisht edhe ngushëllim të jashtëzakonshëm. Vetë fakti që Kisha
e kremton këtë festë në fillim të vitit, na thotë: “Shikoni se e vetmja portë pas
së cilës gjendet gëzimi, kuptimi i jetës, është porta e amësisë hyjnore të Marisë.
E kjo, sepse po të hapim librin e gjendjes civile të njerëzimit, do të gjejmë në të
emra të tmerrshëm: të mendojmë vetëm për emrin e Neronit, të Dioklecianit, të diktatorëve
të mëdhenj, të xhelatëve të kohëve tona: Hitleri, Stalini, Pol Poti… e njerëz të tjerë,
që gjithë jetën s’bënë tjetër, veçse të mbytnin botën në gjak. S’ke ç’thua tjetër
kur i mendon, veçse: Më vjen turp t’i përkas një njerëzimi të tillë! Por ja, na ngushëllon
mendimi i amësisë hyjnore. Në librin e gjendjen civile të botës, në një nga rreshtat,
gjejmë edhe emrin Jezu Krishti. Amësia hyjnore e Marisë na thotë se Hyji hyri në historinë
tonë, u bë farefis me njeriun, me ne. Hyji na deshi deri në këtë pikë, e Maria ishte
porta nëpër të cilën Zoti u bashkua me ne, u bë vëlla me të gjithë njerëzit, me secilin
prej nesh. Prandaj nuk mund ta falënderojmë kurrë aq sa duhet Marinë, sepse Zoti trokiti
në portën e lirisë së saj, portë që atë çast përfaqësonte mbarë njerëzimin. E përmes
Marisë, Zoti u bë i afërmi i secilit nga ne, u bë Emanueli".