2011-12-31 12:38:30

O Zot, vetëm një gjë të kërkoj e të lutem!


Nuk dua të më tregosh, o Zot,
sesi do të jetë e nesërmja,
e as në se ëndrrat
do të mbeten ëndërr
apo do të bëhen jetë.
Në se fara e hedhur
nëpër hullitë e ditëve
do të lulëzojë,
apo do të kalbet pa mbirë?
E ditë e farë do të vdesin
njëherësh me shpresën?
Veç ti e di në se do ta korr
farën që hodha.
Apo në të korra,
korrësi nuk do t’ia dijë
se ç’bëri ai që mbolli?
Po t’i mblatoj, o Zot,
të gjitha thesaret,
që ndryhen në ditët e mia:
gjumin e netëve e dritën e ditëve
kur në sofër ulem bashkë me të mitë,
për të thyer bukën,
për të pirë kupën,
herë me verë
e herë me vrer!
Vetëm një gjë të kërkoj.
Veç për një gjë të lutem:
Zoti im, mos më lësho
kur fryn e shfryn stuhia!
Por edhe atëherë,
kur dielli ndrin mbi ditë
e hëna përmbi net.
Më ndihmo të bëhem
ashtu si ty të pëlqen.
Rrënjët t’i lëshoj mbi Shkëmb!







All the contents on this site are copyrighted ©.