2011-12-31 13:07:51

Lutjet mbrëmësore të Solemnitetit të Nënës së Shenjtnueshme të Zotit. Nesër 1 janar Mesha papnore.


Sonte, duke nisur nga ora 17.00, Benedikti XVI do të kryesojë, në Bazilikën e Shën Pjetrit, në Vatikan, Lutjet e para mbëmësore të Solemnitetit të Nënës së Shenjtnueshme të Zotit. Pas kremtimit të Lutjeve, do të ekspozohet i Shenjtnueshmi Sakrament dhe do të këndohet himni “Te Deum”. Është himni, përmes të cilit e falënderojmë Zotin për ndihmën, që na ka dhënë gjatë një viti të tërë, duke na e shtrirë gjithnjë dorën e duke e shumëfishuar forcën tonë në të vështira; e ngazëllimin, në të mira. Kremtimi përfundon me Bekimin eukaristik. Në përfundim të një viti, e në fillim të një tjetri, që e quajmë gjithnjë ‘të Ri’, Kisha i drejtohet Zotit, për ta adhuruar, për ta falënderuar, për ta lavdëruar, për t’i kërkuar falje e për t’i lypur përvujtërisht bekimin.
Shërbimi liturgjik do të kryhet nga disa seminaristë të Kolegjit Papnor Ndërkombëtar “Maria, Nëna e Kishës” si dhe nga Vëllezërit e Institutit “Miles Christi”, universitarë laikë.
Në përfundim të kremtimit, Papa do të vizitojë Shpellën e Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit. Sivjet i kushtohet posaçërisht Virgjërës Mari. Prej këndej, ka dy skena, që na kujtojnë dy nga çastet kulmore të jetës së Vashës së Nazaretit, që do të bëhej Nëna e Zotit: lajmërimin e Engjëllit e vizitën e Zojës në shtëpinë e Shën Elizabetës, në çastin kur Shenjtorja e quan ‘Nëna e Zotit” e Maria i përgjigjet duke kënduar himnin madhështor “Magnificat’, me të cilin madhëron Hyjin për të gjitha veprat e tija.
Shpella e sivjetme e Betlehemit është shenjë nderimi për Gjon Palin II, Papën e ‘Totus Tuus”, lumnuar më 1 majin e kaluar.

Nesër, Mesha kushtuar Nënës së Shenjtnueshme të Zotit.
Në këtë ditë mariane, Mesha do të paraprihet nga Rruzarja Shenjte.
Me solemnitetin e Nënës së Zotit, festa kryesore mariane e vitit liturgjik, përkon edhe Dita Botërore e Paqes. Mesazhi i Atit të Shenjtë për Ditën e këtij vitit, e 45-ta, i kushtohet të rinjve. Titullohet: “T’i edukojmë të rinjtë me frymën e drejtësisë e të paqes”.
Me Atin e Shenjtë do të bashkëkremtojnë kardinali Tarçizio Bertone, Sekretar i Shtetit të Shenjtërisë së Tij; kardinali Petere Kodvo Apiah Turkson, kryetar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes; imzot Gjovani Anxhelo Beçiu, zëvendës-sekretar i Sekretarisë së Shtetit; imzot Dominik Mambertì, sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet; imzot Mario Tozo, Sekretar i Këshillit Papnor të Drejtësisë e Paqes dhe imzot Luigji Çelata, Sekretar i Këshillit Papnor për Dialogun Ndërfetar.
Tekstet për lutjet universale u përgatitën nga Murgat e Vizitacionit të Manastirit “Nëna e Kishës”, në Vatikan.
Atin e Shenjtë do ta shoqërojnë, në cilësinë e kardinajve diakonë, kardinali Andrea Kordero Lanca di Montexemolo dhe kardinali Gjovani Lajolo.
Në përfundim të kremtimit, nën tingujt e një antifone mariane, Ati i Shenjtë do të nderojë një figure artistike të Zojës së Bekuar.
Shërbimin liturgjik do ta kryejnë seminaristët e Kolegjit Papnor “Josephinum” (Columbus, Ohio).







All the contents on this site are copyrighted ©.