Gëzuar Vitin e Ri me dritën, dashurinë, paqen e bekimin e Jezusit Zot.
Nga redaksia e programit shqip e Radio Vatikanit gjithë shqiptarëve dhe dëgjuesve
të Radio Vatikanit kudo që ndodhën e kremtojmë nëpër botë Urime më të përzemërta për
një mbarim të mirë të këtij viti dhe fillim të mbarë të Vitit të Ri: qoftë vit i gëzimit,
i paqes, drejtësisë e begatisë. Çdo vit sjell me vete gëzime e dhimbje, realizime
e dështime, perspektiva e çështje që presin përgjigje e zgjidhje. Po sidoqoftë, ende
pa e kapërcyer mirë kufirin ndërmjet dy vitesh, sot t’ia lartojmë lutjen e falënderimit
Zotit për të gjitha të mirat që ka bërë për ne e për çdo çast që kemi përjetuar gjatë
vitit që po përfundon. Po kështu ti lutemi të na japë forcë të vijojmë udhën e jetës
në Vitin e Ri, të bindur se përmes planeve të mistershme të shtegtimit tonë tokësor,
prej Zotit na vjen ngushëllimi, gëzimi e paqja dhe çdo e mirë që mund të dëshirojmë.
Hyji është Ai që pret e don çdo njeri, secilin prej nesh. Në Të e kemi pikënisjen
dhe cakun e jetës. Sonte, ndërsa në orët e mesnatës së 2010-shit ia lënë vendin
Vitit të Ri 2011, ndërsa njerëzit trokasin gotat për t’i uruar njëri-tjetrit një motmot
të ri të gëzuar e në qiell ndizen yjet e dritat e fishekzjarrëve, Papa Benedikti XVI,
në heshtje të lutjes në kapelën e tij private, do ti lutet Zotit që Viti 2011 të
jetë viti i paqes, i ndërtimit të njerëzimit të vërtetë që mund të gëzojë lirinë fetare,
themelin e të të gjitha të drejtave njerëzore , sikur ka shkruan në mesazhin e tij
papnor për Ditën Botërore të Paqes që kremtohet pikërisht nesër, ditën e parë të vitit
të ri. Pritja e Vitit të Ri në lutje nga ana e Papës Benediktit XVI, prej shumë
vitesh tashmë është bërë traditë qysh nga Gjoni XXIII e deri më sot. Kështu, në orën
e qetë të mesnatës, Papa Benedikti XVI do t’i japë lamtumirën këtij viti të ngarkuar
me shqetësime, me probleme, me frikë e konflikte, lufta dhe situata të vështira në
Lindje të Mesme e në shumë vise e Shtete tjera të Afrikës, Azisë, Amerikës Latine
e të Evropës. Benedikti XVI është përcaktuar të veprojë e punojë për paqen në
botë, pikërisht sepse e konsideron atë paralajmërim të Mbretërisë së Zotit. Papa e
shikon realitetin e tanishëm të njerëzimit në Dritën e Fjalës së Zotit, duke u nisur
nga fundi i të gjitha kohërave e nga ardhja e Krishtit në lavdi. Prandaj Ati i Shenjtë
na fton drejt pajtimit, që sjell faljen e paqen, dhuratë e Zotit, kur i bëjmë vend
në zemra, dhuratë e Atij që na ndihmon të jetojmë.