2011-12-31 15:57:44

Gëzuar Vitin e Ri 2012! Për shumë vjet!


Nis një Vit i Ri. E nisemi edhe ne drejt ditëve të reja, ngarkuar me të panjohura. Të jesh gati për nisje, është një gjë e madhe. Kur di të nisesh, di edhe të arrish. Të arrish me sukses tek caku, tek fundi i vitit, a tek një cak edhe më i largët, ai ndërmjet jetës e përjetësisë. Duhet të jemi gati, pra, gjithnjë. Për nisje. Për të nisur një vit të ri, për të filluar një kohë të re, e edhe për ta përfunduar, me të njëjtin ngazëllim, që na i mbush plot zemrat në mbarim të një viti, të cilin e kemi pushtuar me fund.
Viti 2011 po shkon. Duhet të gjejmë fjalët më të përshtatshme për ta përshëndetur, e edhe për ta pritur Vitin e Ri 2012. Kur niset Viti i Vjetër, të duket se niset një krijesë e dashur, që e ke pasur pranë 365 ditë. Tani ngjit shkallët e një avioni imagjinar, për të fluturuar në hapësirat e misterit. E ti kërkon urimet më të këndshme, para se të zhduket në hapësirat e ngrira të qiellit dimëror. E nuk i gjen dot, sepse fjalët më të ëmbla nuk thuhen kurrë me gojë, por me zemër, kur zemra i flet zemrës.
E, duke e parë Vitin e Vjetër, që fluturon, nuk mund të mos mendosh se një ditë edhe ti do të shkosh. Po ti nuk dëshpërohesh. Je i krishterë. Kujton Fjalët e Krishtit: “Do të shkoj, por do të vij përsëri”. Nuk është, prandaj, kurrë një lamtumirë, pa ardhmëri, kjo që i themi Vitit të Vjetër e jetës sonë të vjetër. Ai shkon, vjen i riu. E edhe kur ta kremtojmë atë, që do të na duket viti i fundmë mbi tokë, do të kemi një vit të ri, në një përmasë krejt tjetër, shumë më vezulluese, se Bredhat e Vitit 2012. Ikja jonë është plot me kthim.
Prandaj ne, të krishterët, jemi gjithnjë gati për një vit të ri e për një ditë të re, të rëndësishme, impenjative. Me këtë frymë e përshëndesim Vitin e kaluar, në sa bëjmë hapin e parë drejt Vitit të Ri, në pritje të viteve të tjera të reja, viteve që maten me sekonda, minuta e ditë, e viteve që s’kanë cak.
Prej këndej, fjala ‘Gëzuar’ merr një kuptim plot shpresë. E fjala “Për shumë vjet”, ngarkohet me kuptimin “për amshim”, gjë që na bën t’i themi me gaz në buzë ‘lamtumirë’ vitit të vjetër, që niset, e ‘mirë se vini”, viteve të reja, që na presin, në kohën pa mbarim. Kështu e kremtojmë ne, të krishterët çdo vit të ri, e kështu edhe i urojmë të gjithë vëllezërit e motrat e botës: “Gëzuar!” e “Për shumë vjet!”.







All the contents on this site are copyrighted ©.