Dita e 45-të Botërore e Paqes: “Të edukohen të rinjtë me frymën e drejtësisë dhe të
paqes”.
Ky është titulli i Mesazhit Papnor për Ditën e 45-të Botërore të Paqes. Benedikti
XVI i fton të rinjtë të jenë veprimtarë të drejtësisë e të paqes, në një botë të ndërlikuar
e të globalizuar. E më pas kërkon një besëlidhje të re pedagogjike të të gjitha subjekteve,
që përgjigjen për edukimin e rinisë. Tema flet vetë për një etapë të re të Magjisterit
të Benediktit XVI në mesazhet për kremtimin e Ditës Botërore të Paqes, të cilat i
nis nën shenjën e së vërtetës (2006 “Nuk ka paqe, pa të vërtetën”) e i vijon
me reflektimin për dinjitetin e njeriut (2007 “Njeriu është zemra e paqes”),
për familjen (2008“Familja njerëzore, bashkësi e paqes”), për varfërinë
(2009 “Të luftojmë varfërinë, të ndërtojmë paqen); për ruajtjen e krijesës
(2010 “Në se dëshiron të kultivosh paqen, ruaje krijesën”) dhe për lirinë fetare
(2011 “Liria fetare, rrugë për paqen”). E sivjet Papa u drejtohet mendjeve
e zemrave të të rinjve, të cilët duhen “Edukuar me frymën e drejtësisë e të paqes”. 1.
Mesazhi i Papës për Ditën e 45-të Botërore të Paqes 2012, i përbërë nga gjashtë pjesë,
nis me ftesën për ta pritur vitin që vjen, me shpresa të reja, ndonëse kohët e fundit
njerëzit ndjehen thellësisht të zhgënjyer, për shkak të krizës, që po trondit shoqërinë,
botën e punës, ekonominë; një krizë, rrënjët e së cilës janë, mbi të gjitha, kulturore
e antropologjike. Të duket sikur koha jonë e ka mbuluar kokën me një rubë të zezë,
që nuk e lë ta shohë qartë dritën e ditës. Kështu shkruan Papa dhe u drejtohet posaçërisht
të rinjve, i bindur se, me entuziazmin e tyre e me idealet e bukura të moshës, mund
të ringjallin shpresa të reja për mbarë njerëzimin. Shqetësimet e shprehura këto kohët
e fundit nga shumë të rinj, ndër zona të ndryshme të botës, nënvizon, shprehin dëshirën
për ta shikuar me shpresë të sigurtë ardhmërinë. Ka rëndësi, prandaj, që përpjekjet
për të mbrojtur idealet e bukura të moshës së re, të ndiqen me vëmendje nga mbarë
shoqëria. Kisha, pohon Papa, i shikon të rinjtë plot shpresë, duke u dhënë zemër të
kërkojnë të vërtetën e të mbrojnë të mirën e përbashkët. 2. Përgjegjësve për
edukimin! Në pjesën e dytë të mesazhit, Benedikti XVI u drejtohet njerëzve
që përgjigjen për edukimin. E pohon: sot, më shumë se kurrë, kemi nevojë për dëshmitarë
të vërtetë, e jo për shpërndarës të thjeshtë rregullash e informacionesh: dëshmitarë,
që dinë të shikojnë më larg se të tjerët, sepse jetojnë me dëshirën për të pushtuar
hapësira të mëdha. Papa i nxit prindërit të mos dëshpërohen, pavarësisht nga shqetësimet
për të ardhmen. Jetojmë, shkruan, në një botë, në të cilën familja, e edhe vetë jeta,
kërcënohen vazhdimisht e, gjithnjë më shpesh, edhe dëmtohen rëndë. Mbi to peshojnë
kushtet e punës, të cilat dendur nuk përkojnë fare me nevojat, me përgjegjësitë familjare,
me shqetësimet për të ardhmen, me ritmet e ethshme të jetës. Prej këndej, Papa i fton
drejtuesit e institucioneve edukative të kujdesen që çdo i ri të mund t’i zbulojë
prirjet e veta. E edhe t’u krijojnë familjeve kushtet e nevojshme t’i formojnë fëmijët
në përkim me ndërgjegjen dhe parimet e tyre fetare. U drejtohet edhe udhëheqësve
politikë, të cilëve u kërkon t’i ndihmojnë konkretisht familjet dhe institucionet
edukative për t’i ushtruar të drejtat e për t’i kryer sa më mirë detyrat e tyre në
fushën e edukimit. Më pas shton: nuk duhet të mungojë kurrë ndihma për atësinë e amësinë.
E duhet bërë ç’është e mundur, që askujt të mos i mohohet e drejta për t’u shkolluar
e që familjet t’i zgjedhin lirisht strukturat edukative më të përshtatshme për të
mirën e fëmijëve të tyre. E akoma: Ati i Shenjtë kërkon të favorizohet bashkimi i
familjeve të ndara për shkak të mungesës së mjeteve ekonomike. Në vijim i nxit edhe
udhëheqësit politikë të jenë modele figurash të pastra të një politike, që vihet me
të vërtetë në shërbim të të gjithëve. Së fundi, i bën thirrje botës së mjeteve
të komunikimit të japë kontributin e saj edukativ. Por përgjegjës janë edhe të rinjtë,
të cilët duhet të kenë guxim të jetojnë vetë ashtu, si kërkojnë të jetojnë njerëzit,
që i rrethojnë. 3. Edukimi me frymën e vërtetësisë e të lirisë. Mesazhi
nënvizon se është tejet i nevojshëm edukimi me frymën e së vërtetës e të lirisë. Fytyra
njerëzore e një shoqërie varet shumë nga kontributi, që jep edukimi për të mbajtur
gjallë pyetjen e përjetshme mbi të vërtetën, mbi vetë njeriun. Kush është njeriu?
Ç’kuptojmë me fjalën ‘e vërtetë’? Njeriu, shkruan Papa, e ka në zemër etjen e pashuar
për amshimin e për të vërtetën. Jo për të vërtetën e pjesëshme, por të plotën, atë,
që është e aftë t’i shpjegojë njeriut kuptimin e jetës, ta sqarojë pse është krijuar
në ngjashmëri e sipas shembëlltyrës së vetë Zotit. Njohja e kësaj së vërtete të çon
tek respekti për çdo qenie njerëzore. Nga ana tjetër, vetëm në lidhje me Zotin njeriu
mund ta kuptojë edhe domethënien e lirisë së vet. Ky, saktëson, nuk është detyrim,
që lind nga një premtim, e as sundim mbi vullnetin e lirë. Njeriu që beson se është
absolut, se nuk varet nga asgjë e nga askush, se mund të bëjë gjithçka dëshiron,
në fund të fundit e humbet fare lirinë e vet. E sot rreziku kryesor, që e kërcënon
lirinë, është prania masive e relativizmit. Prej këndej, Papa i fton të rinjtë të
ruhen nga dashuria e tepruar për vetveten, nga relativizmi i tepruar, që të shtyn
të mos pranosh asgjë përfundimtare e ta matësh gjithë botën me kutin e vetvetes e
të dëshirave vetjake. Nuk duhet harruar se vetëdashja, nën dukjen e lirisë, bëhet
burg, sepse e ndan njeriun nga njeriu, duke e nxitur të mbyllet brenda vetvetes.
Përdorimi i drejtë i lirisë, shton Papa, ka rëndësi të dorës së parë, kur është fjala
për mbrojtjen e drejtësisë e të paqes, që kërkojnë respekt për vetveten e për tjetrin,
edhe atëherë kur tjetri jeton e mendon fare ndryshe. 4. Edukimi me frymën
e drejtësisë. Edukimi me frymën e drejtësisë është më se i domosdoshëm në një
botë, e cila gjithnjë më shumë shikon vetëm dobinë, përfitimin, pasjen, kujton Papa.
Drejtësia nuk është thjesht marrëveshje njerëzore: në të vërtetë ajo që është e drejtë,
nuk përcaktohet nga ndonjë kontratë, por nga identiteti i thellë i vetë qenies njerëzore,
krijuar nga Zoti. Sot disa nga rrymat e kulturës moderne, të mbështetura nga parime
ekonomike racionalistike e individualiste e shkëpusin konceptin e drejtësisë, nga
rrënjët e tij transhendente, gjë që ka si pasojë, shkëputjen nga dashuria e krishterë
e nga solidariteti. 5. Edukimi me frymën e paqes Nuk mund të
themi se jetohet në paqe, vetëm kur nuk ka luftë, shkruan Papa, e as kur sigurohet
drejtpeshimi i forcave kundërshtare. Paqja është fryt i drejtësisë dhe pasojë e dashurisë
së krishterë. Mbi të gjitha, është dhuratë e Zotit, por edhe vepër e njeriut, i cili
duhet ta ndërtojë ditë për ditë me duart e veta. Për të qenë veprimtarë të vërtetë
të paqes, duhet të edukohemi me frymën e dhembshurisë, të solidaritetit, të bashkëpunimit,
të vëllazërisë, të jemi vigjilentë e aktivë në bashkësi e t’i zgjojmë ndërgjegjet
e përgjumura, kur është fjala për të zgjidhur drejt çështjet themelore kombëtare e
ndërkombëtare e, sidomos, për të kërkuar mënyra të përshtatshme të rindarjes së pasurisë,
vijimit të zhvillimit, bashkëpunimit e zgjidhjes së konflikteve. Papa i fton të rinjtë
ta kërkojnë drejtësinë e paqen me durim e guxim, të radhiten gjithnjë përkrah së
drejtës dhe së vërtetës, edhe në se u duhet të flijojnë shumë, ose të shkojnë kundër
rrymës. 6. T’i lartojmë sytë kah Zoti Nuk janë ideologjitë ato, që
do ta shpëtojnë botën, pohon Benedikti XVI, por Hyji i gjallë, i cili është dashuri.
E kush mund të na shpëtojë vallë, përveç dashurisë? Papa, duke i ftuar të rinjtë
ta shikojnë të ardhmen me më shumë shpresë, u drejton, në fund, një thirrje të fuqishme:
“Mos e humbisni shpresën përballë vështirësive, e mos ecni në shtigje të verbëra,
që shpesh duken si rruga më e lehtë për kapërcimin e problemeve. Mos kini frikë të
impenjoheni, të përballoni punë të vështira, të flijoheni. Ju vetë duhet të jeni shembull
e nxitje për të rriturit, e do të jeni, në se do të luftoni kundër padrejtësive e
korrupsionit, në se do të dëshironi ditë më të mira, në se do të impenjoheni për këto
ditë. Të jeni të vetëdijshëm për aftësitë tuaja; mos u mbyllni kurrë mbrenda
vetvetes e mos kini frikë të luftoni për një ardhmëri të ndritur, që u përket të gjithëve!
Nuk jeni kurrë vetëm. Kisha ka besim tek ju, ju ndjek e dëshiron t’ju japë ç’ka më
të çmuar: mundësinë për t’i lartuar sytë kah Zoti, për të takuar Jezu Krishtin, Atë
që është vetë drejtësia e paqja.