Benedikti XVI Natën e Vitit të ri 2012: T’ i vëmë në duart e Zotit tragjeditë dhe
shpresat e botës!
Homelinë e Lutjeve të para mbrëmësore të Solemnitetit të së Shenjtnueshmes Virgjërës
Mari, Papa e nisi me falënderimin drejtuar Zotit, në përfundim të këtij viti, duke
i ftuar të pranishmit për të kënduar së bashku himnin tradicional të fundvitit “Te
Deum”. Një vit i afrohet fundit, ndërsa jemi në pritje të një viti të ri, me merakun,
dëshirat e shpresat e përhershme, kujtoi Papa, duke medituar, në vijim, për përvojën
e jetës, që është aq e shkurtër e ikën me shpejtësi të çuditshme. Ashtu si viti, edhe
jeta. Prej këndej, nuk mund të mos na lindë pyetja: “Ç’kuptim kanë ditët tona, ngarkuar
me djersë, mundime, lot? Është pyetja themelore, që përshkon historinë, që prek zemrën
e çdo breznie e të çdo njeriu. Pyetje e vështirë, por jo pa përgjigje. Përgjigjja
e saj – shpjegoi Papa- është shkruar në fytyrën e një Foshnjeje, që lindi dymijë
vjet më parë në Betlehem e që sot është ‘i Gjalli’, i lindur përgjithmonë prej së
vdekuri. Në historinë e njerëzimit, përplot me padrejtësi, me ligësi, e me dhunë,
hyn me vrull të pandalshëm lajmi i ri, gazmor e çlirues i Krishtit Shëlbues i cili,
përmes misterit të mishërimit e të lindjes së tij, na bën të kundrojmë mirësinë e
dashurinë e vetë Hyjit. Zoti i amshuar hyri në historinë tonë, kujtoi Papa në vijim
të homelisë, erdhi mbi tokë, për t’ia ndryshuar faqen, për ta çliruar nga mëkati e
nga vdekja, për ta lartuar njeriun në dinjitetin e birit të Hyjit. E Krishtilindja
nuk është thjesht kujtim i kësaj ngjarjeje historike, i kësaj së vërtete, që ka të
bëjë me secilin nga ne, por, në mënyrë misterioze e reale, është gjithnjë ardhje e
re e Zotit mes nesh. Duke komentuar leximet liturgjike, Papa rikujtoi se që kur
Shëlbuesi zbriti nga qielli, njeriu nuk është më skllav, nuk kalon nëpër jetë, pa
e kuptuar pse lindi, pse vuan, pse vajton, pse vdes. Zoti hyri në kohë, për ta çliruar
kohën nga pakuptimësia e saj, nga ligësia, duke i hapur një perspektivë të re, atë
të dashurisë së amshuar. Këtë të vërtetë vijon ta shpallë me zell gjithnjë të ri
Kisha. Aq më tepër në një natë si kjo, kur kemi shumë arsye ta lavdërojmë Zotin për
mirësinë e tij, për shëlbimin e tij, që vepron në botë përmes shërbimit kishtar, shërbimit
që i bën Kisha ungjillit. Prej këndej, Papa nënvizoi se ungjillëzimi duhet vënë në
plan të parë, në një mënyrë të tillë, që çdo besimtar të mund t’i flasë njeriut bashkëkohor
për Hyjin e të mund t’ua kumtojë me forcë Ungjillin të gjithë atyre, që nuk e kanë
dëgjuar kurrë, ose që e kanë harruar. Detyrë e dorës së parë, nënvizoi ipeshkvi i
Romës, për Qytetin e Amshuar e për mbarë Botën, duke u ndaluar me hollësi tek veprimtaritë
ungjillëzuese të Dioqezës së tij e edhe tek perspektivat e ungjillëzimit: nga detyra
e thellimit të përgatitjes për sakramentet e para të krishtera, tek mbështetja e familjes
për edukimin fetar të fëmijëve; nga kujdesi për gjithë udhën, që duhet përshkuar për
një edukim të shëndoshë fetar, tek roli i klerit e i laikëve në këtë edukim. “Te
Deum laudamus”. Të lavdërojmë ty, o Zot! - vijoi Papa, duke u kujtuar, në përfundim,
të gjithë besimtarëve se Kisha na porosit të mos e mbyllim vitin, pa i drejtuar Zotit
falënderimin tonë për të gjitha të mirat, që patëm prej tij gjatë 365 ditëve. Sepse
pikërisht në Zotin duhet të ndalet ora jonë e fundme, ora e fundit e kohës dhe historisë.
Në se e harrojmë këtë fund të jetës sonë, do të thotë se jetojmë fare pa kuptim. Prandaj
Kisha vë në gojën e besimtarëve, “Te Deum”. Është himn plot me urtinë e të gjitha
breznive të krishtera, që ndjejnë nevojën t’i drejtojnë zemrat në lartësi, me bindjen
se jemi të gjithë në dorën e mëshirës hyjnore. Të lavdërojmë, o Zot. Kështu këndon
mbarë Kisha sonte, në Romë e në Botë, duke falënderuar Hyjin për mrekullitë, që ka
bërë e do të vijojë t’i bëjë ndërmjet njerëzve.Plot mirënjohje, përgatitemi ta kapërcejmë
pragun e vitit 2012, me sigurinë se Zoti na ruan, na ndihmon, na mbron. Atij ia besojmë
veten e mbarë botën. Në duart e Tij vëmë tragjeditë e botës sonë e shpresat tona për
një ardhmëri më të mirë. Në duart e Tij e të Nënës së Zotit!