2011-12-31 13:07:20

Atë Lombardi: Edukimi i të rinjve për të ardhmen e një bote më të vërtetë e në paqe: Nesër kremtohet Dita e 45-të Botërore e Paqes


Mesazhi i Papës Benediktit XVI për Ditën Botërore të Paqes sivjet ka në qendër të rinjtë dhe edukimin e tyre. Edhe në fjalën që i drejtoi Kuries Romake, në fund të vitit 2011, Ati i Shenjtë Ratcinger vuri në dukje se i sheh të rinjtë dhe mënyrën e tyre të përjetimit të fesë si shpresë për të ardhmen e botës. Zëdhënësi i Vatikanit, atë Federiko Lombardi, komenton në mikrofonin tonë, vlerën e edukimit të të rinjve, duke u nisur nga mesazhi i Papës: RealAudioMP3
“Të edukohen të rinjtë me frymën e drejtësisë e të paqes”: ky është Mesazhi i Papës për Ditën Botërore të Paqes, 1 janar. Deri tani, nuk e ka pasur jehonën, që meriton. Por ndodh nganjëherë: jo gjithmonë, gjërat më të rëndësishme janë ato, për të cilat flitet më shumë. Në të vërtetë, nëse sot, të rinjtë nuk edukohen me frymën e paqes, sigurisht që nesër, nuk do të kemi paqe.
Në rastet e ndryshimeve të mëdha, që kanë filluar në Afrikën e Veriut e në Lindjen e Mesme, ose edhe në lëvizjet e “indignados”-ve, që kanë përshkuar vendet perëndimore, nga Spanja në Angli, apo në SHBA-të, vëmendja është përqendruar shpesh tek të rinjtë, tek problemet e dëshirat e tyre, tek mënyra e tyre për t’i komunikuar e për t'i shprehur. E rezultatet, pavarësisht nga periudha e shkurtër, gjatë së cilës zunë faqet e para të gazetave? Në pjesën më të madhe, kjo varet nga edukimi, përndryshe problemet e sotme do të ndiqen pa tjetër nga ato të së nesërmes e të së pasnesërmes.
“Edukimi është aventura më tërheqëse dhe më e vështirë e jetës” – pohon Papa. E të gjithë jemi përfshirë në të. Mesazhi i Papës nuk kufizohet në inkurajimin, apo lavdërimin e rolit aktiv të të rinjve. Na bën të kuptojmë se këshillat e tij lidhen me shërbimin e përgjegjshëm të edukatorëve, të cilët nuk janë vetëm prindërit e mësuesit, por edhe politikanët e veprimtarët e mediave: pra, të gjithë ata, që mund e duhet të përçojnë orientimin drejt vlerave, mbi të cilat ndërtohet një shoqëri e drejtë dhe paqësore, si edhe mund e duhet të lehtësojnë ato hapa të zhvillimit kulturor e të integrimit shoqëror, që i afrohen këtij objektivi. Nëse këto vlera shkatërrohen nga relativizmi e nga ekzaltimi i lirisë arbitrare, nëse nuk propozohen me dëshmi konkrete ndershmërie, impenjimi, solidariteti – e të themi edhe dashurie - … nesër nuk do të ketë as drejtësi e as paqe. Nëse duam që e ardhmja e botës të jetë më pak e errët, duhet të përballojmë me vendosmëri “emergjencat edukative” të sotme”.







All the contents on this site are copyrighted ©.