Raporti Fides për veprimtarët baritorë, vrarë gjatë vitit 2011: 26 viktima në mbarë
botën.
Të vdesësh, vetëm pse ke shprehur besimin tënd të sinqertë në Ungjill. Kjo i bashkon
të 26 veprimtarët e baritorisë, vrarë gjatë 2011-tës. Lista dramatike, botuar, si
zakonisht, në fund të vitit nga agjensia Fides, na kujton se persekutimi i të krishterëve,
klerikë e laikë, në mbarë botën, vijon. Të krishterët martirizohen sot si e ndoshta
edhe më shumë se në lashtësi. E pohoi këtë Benedikti XVI, më 26 dhjetorin e kaluar,
me rastin e festës së Shën Shtjefnit, Martir i parë i krishterimit. E pohon edhe dosja,
botuar sot nga Fides, për veprimtarët baritorë, vrarë në vitin 2011. Rregulltarë,
priftërinj dioqezanë, murgesha, katekistë e vullnetarë laikë, viktima të dhunës, vetëm
e vetëm pse luftuan, pa marrë parasysh asnjë vështirësi, për të ndihmuar të afërmin.
Të tjerë, akoma, lexohet në dokument, të zhdukur sepse, në emër të Krishtit, iu kundërvunë
urrejtjes, me dashuri; dëshprimit, me shpresë; grindjeve, me dialog; padrejtësisë,
me drejtësi. Janë 26, të vrarët gjatë këtij viti, një më shumë se vitin e kaluar:
18 meshtarë, 4 rregulltare e 4 laikë. Për herë të tretë, Kontinenti amerikan zë vendin
e parë në ushtrimin e dhunës kundër njerëzve të Kishës, me 13 meshtarë e 2 laikë të
vrarë. Vendin e dytë e zë Afrika, ku numërohen 6 viktima. Më pas, Azia, ku gjetën
vdekjen 4 veprimtarë. E së fundi, Evropa e tolerancës dhe e të drejtave qytetare,
ku u vra një meshtar. Mungesa e lajmeve shpesh nuk i ka krijuar kushtet e përshtatshme
për të njohur nga afër rrethanat, në të cilat u kryen këto vrasje, por nuk mungojnë
edhe shembujt konkretë, kujtuar nga Papa, si ai i motër Angjelinës, vrarë ndërsa u
çonte ndihma shëndetësore refugjatëve, në Jug të Sudanit, Përmasat e fenomenit bëhen
edhe më rrënqethëse, po të kujtojmë se listës së agjensisë Fides i duhen shtuar shumë
të tjerë, emrat e të cilëve nganjëherë as nuk njihen fare. Ushtarë të panjohur të
një ushtrie paqësore, që u mbytën vetëm për shkak të besimit të tyre në Krishtin,
si viktimat e fundit të atentatit kundër Kishave në Nigeri.