2011-12-30 16:54:54

Koment i atë Samirit për pranverën arabe: myslimanë e të krishterë, së bashku për demokracinë e drejtësinë


2011-a do të kujtohet si viti i së ashtuquajturës “pranverë arabe”. Gjatë javëve të fundit, duket se në vendet, që kanë udhëhequr protestat – si Tunizia dhe Egjipti – po vijnë në fuqi parti islamike. Disa e shohin me shqetësim këtë fenomen. Ndokush flet madje, për dështimin e revolucioneve të filluara në emër të demokracisë e të të drejtave të njeriut. Nuk mendon kështu jezuiti libanez atë Samir Khalil Samir, pedagog i historisë së kulturës arabe dhe i islamologjisë në Universitetin “Saint Joseph” të Bejrutit. Megjithatë, shpjegon ai në mikrofonin tonë, rreziku ekziston:
Nuk kanë dështuar, por nuk janë siç shpresohej. Në këtë kuptim: kudo në botën arabo-islame, popullsia e sheh myslimanizmin si ideal të jetës shoqërore, politike e fetare… Është e vështirë të ndryshohet kjo: çështja është si e interpreton secili praninë islamike në jetën politike dhe shoqërore. Këtu do të shihet nëse do të bëhet një hap përpara, ose jo. Në këto vende, revolucioni nuk ka dështuar, por duhet të përshtatet e të zhvillohet drejt një demokracie më të madhe dhe drejt zbatimit më të mirë të të drejtave të njeriut.
Cilat janë rezultatet pozitive të “pranverës arabe” deri tani?
Një fryt pozitiv është lëvizja vetë, fakti që mund të kundërshtohet qeveria edhe në një vend si Siria, ku çdo ditë vdesin dhjetra njerëz, të cilët guxojnë t’i dalin përballë një regjimi, që nuk heziton të hapë zjarr. Ky është hapi i parë: mund të hidhet poshtë pushteti, kur është autokratik. Hapi i dytë pozitiv është fillimi i një debati popullor mbi të ardhmen e vendit. Kjo vërehet në gjithë botën arabe: nuk ka ditë pa debate televizive e popullore, që dëgjohen e shihen nga miliona njerëz. Kjo është risi për botën arabe, për politikën arabe.
Në këtë gjendje të veçantë, të krishterët kanë frikë më shumë se të tjerët nga ardhja e partive islamike në pushtet. Ato mund ta kufizojnë lirinë fetare. Cili është roli i të krishterëve në këtë fazë?
Frika e të krishterëve është e qartë dhe e bazuar: dihej e, tani edhe shihet, prirja drejt islamizmit, ndërsa qeveritë e mëparshme përpiqeshin t’i kontrollonin islamikët. I kanë burgosur në Egjipt, në Tunizi, i kanë internuar dhe dënuar… Tani e gjithë kjo del në pah e tregon realitetin e një vendi: kudo, edhe në Siri, të krishterët frikësohen nga ardhja e islamikëve, në vendin e regjimeve aktuale. Ky është rrezik i vërtetë, por duhet të kemi parasysh se islamikët nuk janë “djalli”. Mund ta ndryshojmë këtë lloj islamizmi. Si? Mënyra e vetme është të punojmë së bashku, të bashkëpunojmë – të krishterë e myslimanë – për më tepër liberalizëm, demokraci e sidomos për më shumë të drejta të njeriut, për më shumë drejtësi, veçanërisht drejtësi shoqërore: në këtë fushë, myslimanë e të krishterë, kemi baza të përbashkëta.







All the contents on this site are copyrighted ©.