2011-12-30 14:30:48

Intervistë me Atë Gjergj Fishten ofm


Në 71 vjetorin e vdekjes kushtuar Atë Gjergj Fishtes (1871-1940).
Përfundon Viti 2011, kushtuar atë Fishtës, njëherësh me datën, që na kujton përfundimin e jetës së tij, 30 dhjetorin e vitit 1940. Përfundon mes veprimtarish përkujtimore për nder të tij e polemikash, që hedhin rishtas baltë kundër emrit të Françeskanit të madh. Fishta del përsëri nga varri, si Poet Kombëtar, atdhetar i shquar e Frat i ndritur, e njëkohësisht, si tradhtar i fateve të popullit e të Atdheut të vet. Do të ishte harruar fare, 71 vjet pas vdekjes, po të mos ishte kaq i Madh! Po të mos ishte i zoti ta mbronte veten, t’u fliste shqiptarëve, edhe pasi zdrypi në varr; edhe pasi doli përsëri nga varri, për t’u rivarrosur e për t’u ringjallur prap. Gjëra që mund t’i ndodhin vetëm një Njeriu të jashtëzakonshëm.
E jashtëzakonshme, edhe intervista me Atë Fishten të cilin, me rastin e këtij përvjetori, e ftuam para mikrofonit tonë.
Ta dëgjojmë, pra, themi ne, gazetarët radiofonikë, vetë Fishten, në një intervistë simbolike, mbështetur mbi veprën e tij satirike, për Radio Vatikanin:

Pyetje: - Atë Gjergj, a jeni në dijeni se kohët e fundit bota po pyet “A është fashist Fishta?”. E vërtetë, akuza? Jeni penduar ndonjë herë për çka keni shkruar? Duke i lënë njerzit e pafaj shenjë pushket e duke e ditur se një shpifje, në raste të tilla, vret larg e përfshinë krejt nji çetë njerëzish, të cilët i përmbledh ideali i të njëjtit petk? Më falni, në se ju prek me këto pyetje, duke e ditur shumë mirë se nuk keni nevojë të hyj unë e t’ju dal zot, pse keni gojën tuaj për të folur dhe gishtat për të shkruar. E çfarë gishtash…

Përgjigje: Nuk e di si â’ e verteta,
Por kam ndie se n’do gazeta,
Ia kanë nisë prap me qitë bishta,
Se fashist paska kenë Fishta.
Tash, me pasë ndokush me pvetë
Per ketë punë, a thue â’ e vertetë?
Kish me thânë (po thom per veti),
Se me ndodhun kjo punë njeti,
Udobisht s’kish’ me besue,
Mirë nji herë per pa e peshue.
Por, mbasi, o Shqyptarë të mi,
Kjo akuzë â’ bâ n’Shqypni.
Pa e peshue punen fort hollë,
E xâ besë se ashtu ka ndodhë.
Pse zatí n’Shqyptari t’onë,
(duen me thanë se âsht kênë gjithmonë,
Por elè mâ tash mâ vonë!)
Âsht zanatë me shpartallisë
Deri punët e Perendisë!
Prandej thom se tjeter s’pritet,
Veç shka në shekull po përflitet,
Për sa bâna për së gjalli,
N’ nji vend matun me dredhë djalli!
(Gjergj Fishta, Dredha e djallit, Anzat e Parnasit, Shtypshkroja A. Gj. Fishta, Shkoder, 1942 fq 11-112, me shumë pak ndryshime)

Pyetje: - Duhet të mendojmë se tani ndërron puna...

Përgjigje: - Tash, ktû ndrron puna...
Ç’thotë Machiavelli?
Lkura e Fishtës
âsht casus belli!

Me nisë prap sulmin,
nuk u bjen keq:
Fashizmi i fratit
âsht halë në perpeq!

Por shka, do të thoni,
Se ketë sulm të ri
E nisen t’ vjetrit
Veç për liri!

E s’tuten faret
Se u bîn ndoj’sherr
Se prap sot leprin
E xânë me qerr.

E, gjuejnë me pupul
E me gazeta,
Veç për me ndrequn
Paq punët e veta!

Por ka pasë thanun
Ai burri i huej,
Çohet i marri
E ‘i gur mbytë n’ujë

Çohen sa t’ mêçem
Për m’e e kerkue
E m’ tê nuk munden
Kurr me takue!
(Gjergj Fishta, Jus Gentium; Casus Belli, Anzat e Parnasit, Shtypshkroja A. Gj. Fishta, Shkoder, 1942 fq 101-1103, me shumë pak ndryshime).

Pyetje: - Është shkruar edhe se ju çmoni tepër lart dy diktatorë gjakatarë, njëri nga të cilët, italjan, gjë që i bje keqas ndesh gjithë vargjeve, krijuar për t’i mbrojtur shqiptarët e dhe veten nga “gjindja e huej”? A s’ju dëbuen edhe ju vetë nga Shqipëria?

Përgjigje: - S’ durohen gjindja e huej,
Kur të rrinë mbrendë me javë edhe me muej...
Oh! po âsht e dijtne; kur pa zot â shpija,
Jo veç se t’huejët nuk dijnë m’u çue e me dalë,
Por bâhen dalë-kadalë
Zot shpijet mbrendë; me bukë e miradije
Per ditë duen m’u gostitë e gjanë ta shkrryejn:
Madje, mâ teper, erzin ta perlyejn.
Prandej kurr t’huejve krye nuk u do lshue
Ehu! kob mâ t’randë, kujtoj, nuk ká per niri,
Se kur n’shpí t’ande i huej sundon pa hiri
...
E, ngerthye vetllat, idhët rrin tue t’shikjue
Jase si mue - perjashta shpís me t’dbue!
(Gjergj Fishta, Odiseja, Shkodër, 1931. Marrë nga Dramatika, Rilindja, Prishtinë, 1996, fq. 78)

Pyetje: - Po thonë se përshndetët shi atë që, pak mbas vdekjes suaj, do të shkelte mbi shqiptarët....

Përgjigje: - Palé! Paskan kujtue
Se mue shqyptarët pa hiri
Më paskan ra prej strajcet.
A se janë ndoshta firi,
Me i shkelë çdo sharlatan
Vorbaxhi italjan!
(Nikolejda, fq 61)
...
“Italiano” e “Makerona”
N’Alemanje, n’ Francë , n’Albjona
(Se ktu rryeshim po më vjen “rima”)
Janë dy emna sinonima!
(Gjergj Fishta, Nikolejda, fq 43)

Si s’na lane kurr m’ u gzue
E kurr s’mujtem m’ u librue,
Prej merzís , m’cil’n’ na poq Ora,
Qyshë se bâme miq kta hora!
(Makaronjana, Nikolejda, fq 14-15)

Pyetje: - I dashur Atë, ju e keni shprehur një herë e përgjithmonë qëndrimin tuaj kundër pushtuesve të huaj, duke u dhënë shqiptarëve edhe një këshillë shumë të çmuar, që s’e humb kurrë vlerën …

Përgjigje: - More shqyptart e mi,
A doni ‘i fjalë m’e ndie?
Sa bahna ‘kali i dreqit’
A ‘dada’ e barkakeqit,
Ma mirë, thom, kish me dalë
Me u bâ na t’ gjith n’nji fjalë
… … … … … … … … …
N’daçi me i hjekun qafet
Dreqent e Shqyptarisë
Qi rreg’lla e liturgjisë
“Hoc genus daemoniorum”
Nuk lypë shum latinorum.
Lypet veç nji drû ahit
Edhe me i kapë për krahit,
Më drû me ua kjá t’amen
E m’ shtjelm me u thanun “Amen!”
(Gjergj Fishta, “Dreqent e Dom Ndreut”, Nikolejda, fq 63-65)







All the contents on this site are copyrighted ©.