2011-12-30 16:54:10

Festa e Familjes Shenjte të Nazaretit. Fjalët e Benediktit XVI për familjen, udhë e Kishës.


Kisha kremton sot Familjen Shenjte të Nazaretit, model për të gjitha familjet e krishtera. Familja, nënvizoi Papa në audiencën e fundit të përgjithshme të vitit 2011, është Kishë shtëpiake e duhet të jetë shkolla e parë e lutjes. Në shtëpi fëmijët, që në moshë të njomë, mund të mësojnë të perceptojnë praninë e Zotit, falë mësimit e shembullit të prindërve, duke jetuar në një atmosferë, ku ndjehet fort prania e Hyjit. Bukurisë së familjes dhe vendit tepër të rëndësishëm të dëshmisë së saj për ungjillëzimin e ri, Papa i ka kushtuar shumë reflektime gjatë këtij vitit, që po përfundon.
Familja është udha e Kishës: e bukur dhe e fuqishme figura, që përdori Benedikti XVI gjatë fjalimit, mbajtur në mbledhjen plenare të Këshillit Papnor për Familjen, më 1 dhjetorin e kaluar. Ashtu si në fillim të papnisë së tij, edhe sivjet, Papa i kushtoi vëmendje të dorës së parë institutit familjar, kishë e vogël shtëpiake, që duhet të zërë një nga vendet e para në impenjimin për ungjillëzimin e ri:
“Në kohën tonë, ashtu si në epokat e kaluara, eklipsi i Hyjit, përhapja e ideologjive që i kundërvihen familjes dhe zvetënimi i etikës seksuale, duket se lidhen ngushtë ndërmjet tyre. E ashtu si lidhen eklipsi i Hyjit dhe kriza e familjes, ashtu edhe ungjillëzimi i ri është i pandarshëm nga familja e krishterë” (Fjalimi Këshillit Papnor për Familjen, 1 dhjetor 2011).
Në vitin, kur kremtohet 30-vjetori i Nxitjes Apostolike të Gjon Palit II, Familiaris Consortio, Benedikti XVI ripohoi se familja duhet të jetë përsëri protagoniste në jetën e Kishës e të shoqërisë:
Familja e krishterë, kur e jeton dashurinë si bashkim e shërbim, si dhuratë reciproke, si bashkëpunim me të gjithë, përmes kthimit të vazhdueshëm në rrugën e Zotit, e ndihmuar nga Hiri Hyjnor, reflekton në botë shkëlqimin e Krishtit dhe bukurinë e Trinisë Hyjnore” (Fjalimi Këshillit Papnor për Familjen, 1 dhjetor 2011).
Kisha, na kujton Benedikti XVI, përgatitet për takimin e madh të familjeve, që do të mbahet vitin e ardhshëm, në Milano. E, ndërkaq Papa i parapriu kësaj ngjarjeje të madhe kishtare, me vizitën në Zagreb, për Ditën botërore të familjeve katolike kroate, qershorin e kaluar. Me këtë rast, Ati i Shenjtë i ftoi familjet ta përballojnë me guxim mendësinë e shekullarizuar, e cila e propozon bashkëjetesën si kohë, që të përgatit për martesë, madje që mund edhe ta zëvendësojë vetë martesën, duke kujtuar se njeriu mund të dojë pa asnjë rezervë e të vihet në shërbim të tjetrit, ashtu si Krishti. Papa i nxiti familjet ta mbrojnë jetën e të dëshmojnë bukurinë e dashurisë bashkëshortore:
“Të dashura familje, gëzojeni atësinë e amësinë! T’i hapësh rrugën jetës, do të thotë t’i hapësh rrugën së ardhmes, besimit në ardhmërinë E të respektosh moralin natyror, do të thotë ta çlirosh njeriun, në vend që ta poshtërosh. E mira e familjes, është edhe e mira e Kishës!” (Mesha në Zagreb, 5 qershor 2011).
Ati i Shenjtë kujtoi, këtë vit, edhe teologjinë e trupit në jetën e bashkëshortëve të krishterë. Duke pritur në audiencë anëtarët e Institutit Papnor Gjon Pali II për Familjen, Benedikti XVI nënvizoi se joshja e vërtetë e seksualitetit lind nga madhështia e horizonteve, që hapen nga dashuria e Zotit:“Në familje njeriu zbulon marrëdhëniet me të tjerët, jo si individ i pavarur, por si bir, si bashkëshort, si prind, identiteti i të cilit bazohet në thirrjen për të dashur, për të marrë nga të tjerët e për t’ua dhuruar vetveten të tjerëve”. (Fjalim drejtuar anëtarëve të Institutit Gjon Pali II për Familjen, më 13 maj 2011).







All the contents on this site are copyrighted ©.