2011-12-30 14:28:11

Atë Gjergj Fishta në
71-vjetorin e vdekjes


Atë Gjergj Fishta në përfundim të vitit 2011, Vit i Tij, e në 71 vjetorin e nisjes për amshim. Kur lexojmë satirën e pamort të Fishtës, nuk mund të mos e përfytyrojmë “ndejë pështetë në balkue të Parrizit, pranë Atit të Pushtetshëm, e Serafinit të Asizit...” (Gjergj Fishta, “Vegim”; Nikolejda, përgatitë për botim nga Razi Brahimi, bllokuar nga françeskanët, fq. 59), duke dëgjuar sesi, atje poshtë, po merret rishtas nëpër gojë emri i tij, në Vitin, i cili i është kushtuar, për të kujtuar orën fatlume që, 140 vjet më parë, i fali Shqipërisë Poetin e vet Kombëtar!140 vjet, nga të cilat, rreth 20 në heshtjen e plotë të gatitjes për mision; më se 40, kurorëzuar me një lavdi, që pak e kush e gëzoi në letrat shqipe; 50, me mohimin më të skajshëm, deri tek përpjekja për ta ngritur nga varri e për ta parë duke rivdekur dalë-nga-dalë. E megjithatë, duke u ringjallur. I vdekur e, prap se prap, i gjallë. E prap se prap i sulmuar, me metoda të vjetra e të reja. Me shumë vrer e mllef. E për këtë, ne, dashamirët e atë Fishtës, duhet t’i falënderojmë nga zemra shokët sulmues, sepse mllefi i madh, është si dashuria e madhe: duhet merituar!
Pikërisht një sulm i ri kundër emrit të tij, bëri më shumë bujë, sesa një radhë shkrimesh me karakter informativ, gjatë Vitit 2011, që vetëm tani, në sa numëron ditët e fundit, e morëm vesh se po iu kushtokërka Poetit Kombëtar.
Duhet ta falënderojmë nxehtësisht Profesorin e historisë, zotin Arben Puto, autorin e shkrimit ‘të bujshëm’(sipas gazetave), titulluar: “Fjalët shokuese të Fishtës për pushtuesit: Hitleri e Musolini, persona zheni”(Gazeta shqiptare,10 nëntor 2011). Shoqëruar me një foto të Poetit, mbërthyer në të dy anët nga sopatat e liktorit: s’dihet, për ta mbrojtur, apor për t’ia prerë kokën! Ta falënderojmë sepse do të ishte botimi i tij, “që do të ngjallte një furi të paparë tek njerëzit, që merren me letrat shqipe”- shkruan Ben Andoni, në artikullin me titull “A ishte Pater Gjergj Fishta, fashist?”(Milosao; 14 nëntor, 2011). Ta falënderojmë, pra, Profesor Puton, për shkrimin e tij “dukshëm të përciptë, të pabazuar në ndonjë dokumentacion të qartë historik, mbledhur nga thënie sporadike, pa kujdes e të paredaktuar...(Romeo Gurakuqi, “Ku gabon Puto për Ernest Koliqin!”, Panorama, 15 nëntor 2011).
Duhet t’i falënderojmë shokët në fjalë, e edhe të tjerë, megjithëse nuk na u duk aspak e furishme, furia për të cilën u shkrua. Për një Poet, si Fishta duhej shtjella e një uragani. Në se do të kishte ende njerëz, të aftë për të shkaktuar uragane, që ta spastrojnë nga dyndja e reve, jetën e shqiptarëve. Të aftë për të përballuar rrufenë e motit të lig, që “… kurr nuk shkrepë mbi rrolle/ Por landët e nalta m’mal çán per mjedisit” (Gjergj Fishta, Odiseja, Shkoder, 1931). E kështu do të kishte pasur edhe më shumë shkrime, si ai i atë Viktor Demajt (emri i të cilit na kujton një atë Viktor tjetër, Volajn, redaktorin e madh të Fishtës) “Arben Puto, historinë e Fishtës nuk e shkruejnë kuqaloshët” (Gazeta Shekulli, 14. 11. 2011). Duke kujtuar se Frati i ri ka zënë shi vendin e Fishtës në bibliotekën e famshme françeskane, të rrënuar një herë, të ngritur rishtas në këmbë, me një pasuri letrash për ta pasur zili! E kjo flet më mirë se çdo shkrim për zhgunin françeskan. Por, si mund t’i fajësojmë shokët, që shkruajnë se qëllimi i lavdatave të Fishtës, “ishte i thjeshtë: përshëndetja e fashizmit dhe marrja e beneficeve prej tyre, në këmbin të heshtjes së tij”? (Ben Andoni, art. cit). Do të na duhej të shkruanim jo dy rreshta, por një libër të trashë, për t’u shpjeguar se Fishta ishte Frat Françeskan, ishte Meshtar katolik, vishej me zhgun, ngjishej me konop, flinte në dyshek me kashtë e mbante kreshmë gjysmën e vitit. Kishte Atë, Hyjin që ka në dorë shartet e gjithësisë; mik të ngushtë, një Zot, të kryqëzuar për shpëtimin njeriut. Që e ftonte çdo ditë të merrte mbi supe kryqin e vet e ta ndiqte! Motra, ‘varfërinë’ e ‘vdekjen’; vëlla, ‘Diellin’! Materie tejet e vështirë, kjo, për detraktorët e Fishtës, që e shikojnë duke marrë “benefice”, fjalë tejet e çuditshme, edhe kjo! Që të kujton bukëfiken. Pa harruar këtu edhe burimin, historianin Roberto della Rocca. ‘Nji antifrançeskan’ siç shkruan atë Demaj (art. cit.), duke kujtuar librin e tij “Nazione e religione in Albania”, që u bë shkas për atë ‘furinë’ e mësipërme. Me që kujtuam se Fishta ishte frat, nuk është e hijshme të harrojmë edhe se della Rocca, me sa kemi dijeni, nuk është anëtar i partisë komuniste italiane. Përkundrazi: është anëtar i Bashkësisë shumë të njohur katolike të Shën Egjidit. E këtu filli ngatërrohet edhe më keq. Një shënegjidas kundështar i rreptë i një frati?! Argument edhe ky, që nuk mund të shtjellohet në një shkrim kaq të shkurtër. T’ua lëmë, pra shokëve, për vitin kur Fishta do të kremtojë 150, a 1000-vjetorin e ditëlindjes!
Prandaj është për t’u falënderuar Profesor Arben Puto që i fryu flakës i pari, ndonëse nuk mundi të ndizte ndonjë zjarr bubulak, që do të na ngrohte sadopak në ditët e dimrit të madh të krizës. Pak kohë më parë, kur emri i atë Gjergj Fishtës u kujtua, me të njëjtën mëri e me të njëjtin vrer, në polemikat për Migjenin, një meshtar ri shqiptar, Gjergj edhe ky, pati shkruar dy fjalë vërtet me vend: “Vaj halli për shkrimtarët tanë të mëdhenj katolikë, në pritshin t’u dalim zot ne!”.
"S' âsht për t'u çuditë - na del zot atë Fishta - për ashprim të stilit" që përdorojmë: "na po u shtiem ndër mend lexuesave tanë zemër- bardhë atë fjalën e poetit latin: "Fecit indignatio versum - duel prej pezmit vjerrsha" e vijon: "Idhnohet kotrovaxhija me nji copë botë, pse s'i njeshet si duhet ênës qi ka për doret; idhnohet samarxhija me nji duej byk, pse s'i shtrohet mirë samari, secili n'ushtrim t'atij zanatit të vet. Idhnohemi na më çarlatanizëm antifetár e më vagabondazhë antikombëtár, pse Fén e Atdhén i kemi zanat…”. (Hylli i Dritës. V, 1923, 196)".







All the contents on this site are copyrighted ©.