2011-12-30 14:47:13

2011-shi, vit protestash. Reflektimi i sociologut Luka Diotalevi


“Pranvera arabe”, “Occupy Wall Street”, “Indignados”: 2011-shi mund të quhet pa frikë viti i protestave. Nga Madridi në Nju Jork, nga kryeqytetet arabe në Moskë, manifestimet vunë në shënjestër herë regjimet politike e herë krizën ekonomike. Revista “Time”, e cila zgjedh gjithnjë një “personazh të vitit” për kopertinën e ditëve të fundit, kësaj radhe, ia ka dhënë titullin prestigjoz “Protestuesit”, njeriut pa ndonjë emër të veçantë, që kërkon të drejtat e veta në rrugë, para parlamenteve, apo para bankave. Mbi këtë fenomen global, flet në mikrofonin tonë, sociologu italian Luka Diotalevi:
Kjo valë protestash, që përshkon shumë shoqëri, të ndryshme nga njëra-tjetra, si SHBA-të, ose Lindjen e Mesme, na thotë tri gjëra. Njëra, pozitive, është se njerëzit kanë akoma aftësi të indinjohen, të reagojnë e kjo është një alternativë shumë e rëndësishme, në krahasim me cinizmin. Por, fatkeqësisht, na thotë edhe se njerëzit nuk kanë shumë inteligjencë, sepse protestojnë, por nuk arrijnë të propozojnë ndryshime konkrete. E së fundi, njerëzit kanë pak disiplinë, sepse pasi të kuptohet ç’duhet bërë, nevojiten sakrifica dhe organizim, duhet të jemi bujarë. Ndryshimet realizohen vetëm së bashku.
Kjo është vështirësia e vendeve arabe…
Kjo është puna: nëse revolucionarët nuk kthehen me të shpejtë në reformistë, kundërrevolucionarët do të fitojnë pa tjetër.
Të rinjtë kanë qenë protagonistët e lëvizjeve të këtij viti. Dëshirës së tyre për ndryshim i kushtohet edhe një pjesë e rëndësishme e mesazhit të Papës për Ditën Botërore të Paqes…
Ky nuk është një Papë, që i miklon të rinjtë, është një Papë, që i sfidon. Përndryshe, nuk do të vendoste në qendër të vëmendjes, edukimin. Pra, Papa po u thotë të rinjve: rrituni shpejt, mos u bëni pre e emocioneve të brendshme, apo të jashtme, por merrni në dorë të ardhmen tuaj. Ati i Shenjtë ua njeh dinjitetin dhe i sfidon të rriten, që të bëhen si brezat e të rinjve, që pas Luftës së Parë e të Dytë Botërore, hodhën poshtë tiraninë dhe ndërtuan demokracinë.
Rrjeti shoqëror në internet ka qenë mjeti i përdorur nga këto lëvizje. Në fund të fundit, teknologjia ka ndihmuar edhe protesta të tjera…
Nuk ka ndryshime pa teknologjinë, sepse njerëzit u mblodhën falë shpejtësisë dhe cilësisë së komunikimit. Natyrisht, me teknologjinë mund të abuzohet, por dimë se çdo ndryshim teknologjik ndiqet nga një revolucion – të mendojmë, për shembull, për vitet ‘500 dhe për shpikjen e shtypit pak vjet më parë. Mjetet e komunikimit, absolutisht nuk duhen kthyer në mit, pasi ato nuk përmbajnë ndonjë përgjigje në vetvete, por janë kusht i nevojshëm për ndryshime.







All the contents on this site are copyrighted ©.