2011-12-29 12:38:26

Çelësi i fjalëve të Kishës: 'shpresa!'


Edhe dy ditë e viti i vjetër 2011 do t’i lerë vendin vitit të ri. Në këtë periudhë krize e pasigurie, e ardhmja i frikëson njerëzit. Si do të jetë 2012-a? Papa Benedikti XVI, kohët e fundit, i këshillon shpesh të krishterët të sjellin ”shpresën” në shoqëri, pasi në këtë çast, të gjithë kemi nevojë për të. Pikërisht fjala ”shpresë” është në qendër të emisionit të sotëm.
“Tani veç mbetet feja, shpresa e dashuria”: deklarata e shën Palit Apostull në Letrën e parë drejtuar Korintianëve (13,13) i ka ofruar traditës së krishterë bazën për të klasifikuar tri “virtyte teologale”, ato që kanë në rrënjë hirin hyjnor, të dikuar në zemrën e besimtarëve. E dyta e këtyre virtyteve, “motra më e vogël”, por që me trysninë e saj shtyn përpara dy motrat e tjera “më të mëdha” – siç thotë një poet francez (Charles Péguy), që i ka kushtuar një poemë shpresës – përbën gati një fill, që përshkon krejt Biblën. Shpresa sheh drejt së ardhmes në krejt Besëlidhjen e Vjetër, por edhe në të Renë, rreshtat e fundit tingëllojnë plot shpresë: “Shpirti i Shenjtë dhe Nusja thonë: Eja! Edhe ai që dëgjon le të thotë: Eja!... Ai që i dëshmon këto, thotë: Po, po vij për së shpejti!...Eja, o Zot, Jezus” (Zb 22,17.20).
Natyrisht, rruga e njerëzimit në histori na shtyn shpesh kah dëshpërimi, siç rrëfen Jobi: “Më kaluan ditët më shpejt se druga e vegjëtarit, u sosën, mbetën pa fije shprese… Po ku më për mua ka shpresë? Fatin tim kush do ta vërejë?” (7,6; 17,15). Por besimtari duhet të ecë përpara me guxim, duke e ngulur vështrimin në horizontin e shëlbimit të plotë, i gatshëm, siç na sugjeron Shën Pjetri në Letrën e tij të Parë, t’i përgjigjet kujtdo, që t’i kërkojë arsyen e shpresës brenda tij (3,15). Jo më kot, shën Pali Apostull përdor dy fjalë greke për të përshkruar këtë besim, atë tipike “elpìs” (që përmendet 86 herë në Besëlidhjen e Re) dhe “hypomonè”, që evokon idenë e “të qëndruarit poshtë” një peshe, një barre. Është qëndrimi nën qiellin e errët, me sigurinë se do të arrijë çasti për ta hedhur barrën e rëndë e për t’u gëzuar më në fund nën qiellin plot dritë.
Atëherë, shpresa nuk është iluzion, por durim e vazhdimësi, që ndërthuret në trilogjinë e virtyteve, pra me “fenë vepruese, dashurinë vetëmohuese dhe shpresën e qëndrueshme në Zotin”, siç thuhet në Letrën e parë drejtuar Selanikasve (1,3). Kjo forcë lind nga fakti se “shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Hyjit u ndikua në zemrat tona” (Rom 5,5). Në bazën e shpresës së krishterë pra, qëndron hiri hyjnor, që na mban e na bën të luftojmë kundër çdo të keqeje në botë. Por s’duhet harruar që shpresa, e cila është virtyt rinor, nuk mund të kuptohet pa pritjen e durimin. Domethënëse për këtë është shembëlltyra e grurit dhe egjrës (Mt 13,24-30).
Skena e historisë është e ngjashme me një fushë, ku gruri dhe barërat e këqia, pra e mira dhe e keqja, rriten sëbashku. Është i fortë tundimi për të reaguar me zemërim duke shkulur egjrën, por kështu rrezikojmë të prishim edhe grurin. Ndërsa shpresa pasqyrohet në vendosmërinë e qetë dhe të matur, që di të presë kohën kur vetë Zoti ndërhyn me gjykimin e tij të drejtë. Natyrisht, besimtari nuk qëndron duarkryq, nuk shkurajohet, por as reagon verbërisht: “Heshto para Zotit e shpreso në Të e mos u zemëro për shkak të atij që punët i ecin mbarë, për njeriun që djerron tradhti”; “Kam besim të plotë në premtimin tënd” këndojnë pslamet(Ps 37,7; 119,81). Në fund do të lindë dita e madhe e shpresës, Pashkët e Krishtit e tonat, ai shëlbim i plotë, të cilit i thuren lavde në faqet e fundit të librit, që përshkohet fund e majë nga shpresa, Libri i Zbulesës. E atëherë, “Hyji, në të cilin e kemi shpresën, ju mbushtë me çdo gëzim e paqe në besimin tuaj, që, në saje të fuqisë së Shpirtit Shenjt, kurrë të mos ju mungojë shpresa!”(Rom 15,13).







All the contents on this site are copyrighted ©.