Qytet-Shteti i Vatikanit, ndër më të vegjlit në botë, me 44 metrat katrore të sipërfaqes
e 832 banorët, ka shumë mundësi të zërë vendin e parë në botë, ndërmjet tjerash, edhe
për numrin e Shpellave të Betlehemit, që e zbukurojnë për Krishtlindje, duke ngjallur
një atmosferë të vërtetë gëzimi, kundrimi e shprese. Këtu nuk ka shtëpi pa Shpellë
Betlehemi. Shpella të vogla e të mëdha, tradicionale e moderne, me ngjyrime kombëtare
e ndërkombëtare nga më të ndryshmet, si vetë banorët, që përfaqësojnë larminë e Kishës
Universale. T’i vizitosh të gjitha, duke përfshirë edhe Shpellat e Betlehemit sajuar
në mjediset e Radio Vatikanit, është krejt e pamundur. Zgjedhim, atëherë, Shpellën
e Betlehemit të të zotit të shtëpisë: Benediktit XVI. Trokasim në portën e apartamentit
privat të Papës, që na hapet sakaq. Gjëja e parë, që bie në sy, në korridor, është
Shpella e Betlehemit. Na kujton menjëherë Kopshtet e Vatikanit, ku Ati i Shenjtë shëtit
e lutet çdo ditë. Dallohet Shpella e Zojës Lurdë, Kulla e Shën Gjonit, pirgu, kamarja
e Shën Terezës së Krishtit Fëmijë, rrugëza e stolisur në të dyja anët me shkurre e
lule të egra, kultivuar mbi shkëmbinj, e cila të çon kah ndërtesat e Radio Vatikanit…
Kjo Shpellë e pashoqe, u realizua nga punonjësit e mirëmbajtjes së luleve, në bashkëpunim
me elektriçistët dhe teknikët e Governatoratit të Qytet-Shtetit të Vatikanit. Krishti
fëmijë, në shtëpinë e Papës, lindi në mes të Kopshtit, duke të kujtuar gati-gati traditën
shqiptare, sipas së cilës, fëmijët gjinden, simbolikisht, pikërisht në kopsht, herë
mbi lule e herë mbi lehet e barishteve. Por, në shtëpinë e Papës, ka edhe një
Shpellë tjetër Betlehemi: ndodhet në sallën e bukës. Ka ardhur këtu nga Gjermania.
Është Shpella e familjes Razinger. Para saj Benedikti XVI mediton çdo ditë, deri në
përfundim të festave të dimrit. Kthehet, me kujtime, në kohët e largëta, kur ishte
fëmijë… Si kemi soditur një copë herë këto kryevepërza arti, e përfundojmë vizitën
në apartamentin e Papës, ku për Krishtlindje mund të shijosh ëmbëlsira italiane, bavareze
e edhe ndonjë dhuratë të ëmbël, të rojeve zvicerane. Vijojmë ecjen nëpër korridoret
e gjata, që ndrisin si pasqyrë, stolisur në të katër anët me afreske mahnitëse. Marrim
ashensorin e zbresim në Oborrin e Shën Damasit, aty ku kanë shkelur pothuajse të gjithë
burrat e mëdhenj të shteteve, të cilët nganjëherë i gjejmë edhe në Shpellat e Betlehemit,
në Itali e nëpër botë. Që aty, nëpër rrugëzat stolisur me blerim, dalim në Sheshin
e Bibliotekës e të Arkivit Sekret e drejt te Porta e Shën Anës, më të majtë të së
cilës, Kisha me të njëjtin emër. Hyjmë brenda e na duket si të kishim arritur në Betlehemin
e Judesë, sepse në këtë peshtaf pikturash të lashta, Shpella na kujton grazhdin e
vërtetë, ku Lindi Krishti, me shtëpi e mjedise palestineze, e edhe me Tempullin e
Jeruzalemit, ku u profetizua ardhja e Krishtit, në sfond. Jemi para një Betlehemi
të gjallë, me ujë që rrjedh: me mullirin, që bluan; me barinj, që ecin, ndjekur nga
qëngjat e sapolindur. Në vendnumëro, natyrisht. Pastaj, mbi Shpellë, sodisim qiellin,
stolisur me yje vezulluese, ndërmjet të cilëve, ylli me bisht, Kometa, që u tregon
udhën tre Dijetarëve. Si e kemi soditur këtë Shpellë, dalim nga Porta e madhe
prej bronzi, ruajtur nga zviceranët e Papës, me veshjet e tyre mikelanxholeske, që
i tërheqin aq shumë shtegtarët. E, pasi të kemi kapërcyer Portën Engjëllore, arrijmë
në Sheshin e Shën Pjetrit, që na rrëmben menjëherë me bukurinë e tij të jashtëzakonshme
në këto ditë feste. Ndalohemi, të mahnitur, para Shpellës më të madhe në Botë, poshtë
Bredhit më se 30 metra të gjatë, ardhur sivjet nga Ukraina. Mezi bëjmë shteg, mes
turmës së larme ngjyra-ngjyra, që e rrethon gjithë ditën këtë realizim artistik, i
cili të çon dymijë vjet mbrapa e, njëkohësisht, mijëra vjet përpara. Shpellë Betlehemi
krejt mariane, kjo që zbukuron Sheshin e Shën Pjetrit për Festat e mëdha të dimrit
2011-2012. Sipas traditës, u përurua Natën e Krishtlindjes. Është e 30-ta herë,
që shikojmë këtu një Shpellë Betlehemi, çdo vit të ndryshme. E realizuar për herë
të parë më 1982, sipas dëshirës së të Lumit Karol Vojtila, Shpella e sivjetme e Betlehemit
paraqet një mjedis karakteristik për viset historike, ku lindi Krishti. Sivjet iu
kushtua Zojës së Bekuar, edhe sepse ishte viti i Lumnimit të Gjon Palit II i cili,
siç e dimë të gjithë, kishte devocion tejet të madh për Nënën e Krishtit. Prej këndej,
u zgjodhën skena, që të kujtojnë menjëherë episode të Ungjillit, në të cilat Maria
është protagoniste. Më të majtë, skena e Lajmërimit të Zojës së Bekuar; më të djathtë,
takimi i Marisë me Elizabetën. Nëntë nga shtatoret, janë të lashta, realizuar nga
Shën Vinçenc Paloti, në vitin 1842. Të tjerat, të reja: Shtatorja e Zojës dhe e Shën
Elizabetës, për shembull. Duke e përuruar Shpellën, Natën e Krishtlindjes, mëkëmbësi
i Papës për Qytet-Shtetin e Vatikanit, kardinali Anxhelo Komastri, na kujtoi një të
vërtetë të madhe, që duhet t’ia përsërisim vetes gjithë vitin: “Po të donte,
Krishti mund të kishte lindur në Pallatin e Perandorit, këtu, në Romë. Ose në pallatin
më të përmendur të mbretërve, të të gjitha kohëve. Mund të kishte lindur kur e ku
të donte. Po ai lindi në Betlehem, në varfëri, në stallë, mbi kashtë, për të na kujtuar
një të vërtetë tejet të rëndësishme: lumturia nuk blihet me para; nuk ka dyqan, që
shet lumturi; as bankë, që jep çekë lumturie. Lumturia nuk shitet, nuk dhurohet, varet
nga zemra e mirë, që s’di ç’është ligësia. Lumturia është pasuri e zemrës, ku banon
Zoti!”. Koha ka ikur pa u ndjerë. Dëgjohet tingëllimi i këmbanave, që dikur
në Shqipëri quheshin, gjysma turqisht e gjysma shqip “Kumbonët e akshamit”. Kumtojnë
muzgun, mbarimin e një dite. Me to, dëgjohet edhe zhurma e portave të mëdha prej bronzi
të Bazilikës së Shën Pjetrit, që mbyllen. Mbetemi, kështu, pa e soditur një tjetër
Shpellë Betlehemi. Atë që ndërtohet çdo vit, me art të madh, në një nga elterët e
Kishës së mbarë popujve, përballë atij, ku tani prehen reliket e të Lumit Gjon Pali
II. Ndërkaq muzgu blu, qindisur me miliona yje, që i jep Sheshit të Shën Pjetrit
pamjen e një katedraleje madhështore nën kupolën e qiellit të hapur, na fton të lartojmë
sytë e të vizitojmë një përmasë tjetër: atë të misterit të Betlehemit. “Krishti
është dëftimi i Zotit dhe i dritës së tij të madhe në një Foshnjë, që lindi për ne
në një shpellë, jo në një pallat”, theksoi Benedikti XVI në Meshën e mesnatës së Solemnitetit,
duke i shoqëruar besimtarët e mbarë botës, që e ndiqnin përmes mjeteve moderne të
komunikimit, në Greçio, ku Shën Françesku i Asizit e kremtoi Krishtlindjen e vitit
1223, me një ka, një gomar e një grazhd plot me kashtë, duke bërë të dukshme një përmasë
të re të misterit të Krishtit e duke nisur kështu, edhe historinë e Shpellave të Betlehemit.
Françesku e quajti Krishtlindjen “Festa e Festave” dhe e kremtoi me zell të jashtëzakonshëm.
Puthte me devocion figuret e Foshnjës Hyjnore dhe bëlbëzonte me bëlbëzim foshnjor,
fjalët më të ëmbla. Për Kishën e lashtë “Festa e Festave” ishin Pashkët: me ngjalljen
e tij, Krishti i shembi portat e vdekjes, duke ia ndryshuar plotësisht faqen botës.
Krijoi për njeriun një vend në vetë Hyjin. Ndërsa Françesku nuk e ndryshoi e as që
deshi ta ndryshonte këtë hjerarki objektive të festave, strukturën e fesë, me misterin
e Pashkëve në qendër. E, megjithatë, përmes tij e mënyrës si besonte, ndodhi diçka
e re: Françesku zbuloi, me një thellësi krejt të re, natyrën njerëzore të Jezusit.
E pa Hyjin të bërë njeri, në çastin kur Biri i Tij, i lindur nga Virgjëra Mari, qe
vendosur në një grazhd, i mbështjellë me ndriza. Jezusi duhet të mishërohej më
parë, që të ngjallej, pastaj. Kjo e preku thellë zemrën e Shenjtit të Asizit: te Foshnja
e grazhdit pa mirësinë e Hyjit, dashurinë e tij të pakufishme për njerëzit. Tek Foshnja
e stallës, edhe ne të gjithë, ashtu si Shenjti, mund ta prekim, mund ta përkëdhelim
vetë Hyjin. Kështu Krishtlindja, qendra e dytë e vitit liturgjik është, mbi të gjitha,
festë e zemrës. Hyji u bë i varfër. U bë nevojtar. Ka nevojë për ndihmën e njeriut,
për dashurinë e njeriut. Ta lusim Zotin të na ndihmojë për të shikuar përtej fasadave
vezulluese të kësaj kohe e për të gjetur, pas tyre, Foshnjën e stallës së Betlehemit,
sepse vetëm kështu mund të zbulojmë gëzimin e vërtetë e dritën e vërtetë, theksoi
Papa, duke kujtuar se Shpella e parë e Betlehemit, ngritur nga Françesku, tani është
shndërruar në elter. Pikërisht atje, ku kafshët kishin ngrënë sanë, njerëzit mund
të marrin Korpin e Gjakun e Qengjit të panjollë, për shpëtimin e korpit e të shpirtit
të tyre. Në Natën e shenjtë të Greçios, Françesku, si diakon, këndoi personalisht,
me zë të plotë e tingëllues, Ungjillin e Lindjes së Krishtit. E, falë këngëve të mrekullueshme
të fretërve, kushtuar Festës së Festave, kremtimi, që dukej si një fërgëllim gëzimi,
i çoi peshë zemrat njerëzve të thjeshtë, të pranishëm pranë atij grazhdi, prej nga
buronte paqja e vërtetë qiellore. “Takimi me përvujtërinë e Zotit e shndërronte natën
në ditë, trishtimin në gëzim, sepse është pikërisht mirësia e Zotit, ajo që krijon
festën e vërtetë”, tha Papa në përfundim të homelisë së Natës Shenjte E përfundojmë,
kështu, edhe ne, vizitën tonë të shkurtër në Shpellat e Betlehemit, në Vatikan. Po,
në se keni dëshirë të shikoni më shumë, mund të kaloni ditë e ditë duke vizituar qindra
Shpella Betlehemi, ngritur në qindra kishat e lashta e të reja të Romës. Shpella tradicionale
e moderne, me barinj të kohës së Krishtit, e me politikanë të kohëve tona. Po shumë
prej atyre që ideojnë Shpellat, i përjashtojnë politikanët nga Betlehemi. Këtu duan
të shpëtojnë prej tyre. Të paktën për ca çaste. Sepse nga Shpella buron dashuria,
paqja, gëzimi, gjë që nuk mund të thuhet për politikën. Posaçërisht në këto kohë të
vështira, që po kalon mbarë bota. Mund të vizitoni edhe Ekspozitën me 100 Betleheme,
në Sallat e Bramantes, pranë Sheshit romak të Popullit. Janë 100 kryevepra të llojit,
ardhur nga mbarë bota.E, në se dëshironi, mund të njiheni edhe me Shpella Betlehemi,
ku do t’i shikoni të gjallë Zojën e Shën Jozefin, duke adhuruar Krishtin Fëmijë. Edhe
Ai, i gjallë. E kjo do t’ju kujtojë se Krishtlindja nuk është përkujtimi i ardhjes
së Krishtit në botë, dymijë vjet më parë. Është festa e Lindjes së Emanuelit, Zotit-me-ne,
sot, në prag të Vitit të Ri 2012!