2011-12-29 14:26:15

Të rinjtë e Taizé-së në Berlin për një solidaritet të ri. Papa: vitin që vjen, Roma do t’ju presë me ngrohtësi


“Hapni kudo në botë shtigje besimi”. Kështu i inkurajon Benedikti XVI në mesazhin e tij, që mban firmën e Sekretarit të Shtetit, kardinalit Tarçizio Bertone, të rinjtë, të cilët nga dita e djeshme deri më 1 janar 2012, marrin pjesë në Berlin në takimin ndërkombëtar të Bashkësisë së Taizé-së. Në tekst, Papa kujton edhe se takimi i ardhshëm ndërkombëtar i “Shtegtimit të besimit mbi Tokë”, do të mbahet në kryeqytetin e Italisë. “Roma – shkruan Ati i Shenjtë – do t’ju presë me ngrohtësi”. Në takim marrin pjesë edhe shqiptarë nga të gjitha trevat. Por për kuptimin e kësaj feste lutjeje në Berlin të Gjermanisë, të dëgjojmë frère John nga bashkësia e Taizé-së:
Nuk duhen llogaritur vetëm takimet. Ky është një “Shtegtim besimi mbi Tokë” e shpresojmë që të gjithë ata që vijnë, të gjejnë diçka për të krijuar marrëdhënie të reja solidariteti ndërmjet njerëzve, të rrënjosen gjithnjë e më shumë në fenë e në besimin në Krishtin, në Zotin.
Në botën e sotme shtohen pabarazitë, problemet ekonomike. Por ky popull i të rinjve mblidhet në Berlin për të rizbuluar vlerën e besimit ndërmjet njerëzve dhe të fesë në Hyjin…
Në këtë çast, mund të themi se është gati mrekulli që gjithë këta të rinj, nga të gjitha vendet e Evropës e jashtë saj, mblidhen për t’u thelluar në kuptimin e jetës, në kontakt me burimet e fesë së krishterë e në bashkim me Kishën. Lidhen miqësi përtej barrierave. Kjo ka ndodhur për shembull, para disa vjetësh me kroatët e serbët, që u takuan në Taizè, në prag të luftës. Të rinjtë i shohin gjërat ndryshe, shohin çfarë bashkon, shohin dëshirën për të qenë një familje njerëzore e vetme. Në këtë kuptim, ndoshta mund të flasim për një frymë të re: frymën e kërkimit të përbashkët. Të rinjtë preken nga problemet ekonomike, shqetësohen për të ardhmen e tyre, por zbulimi i unitetit dhe i rrënjëve fetare, ndoshta, i bën t’i përballojnë vështirësitë me qetësi më të madhe.
Berlini është një qytet i veçantë. Këtu, bota u nda më dysh nga komunizmi me një mur, që tani s’është më…
Është i bukur ky takim këtu, sepse Berlini është simbol i Murit, i murit ndërmjet popujve. Por simbolizon edhe të gjitha muret, që ekzistojnë ndërmjet njerëzve. Ky mur në Berlin nuk është më, prandaj ky qytet mund të jetë tani simbol për të gjithë ata, që duan t’i zhdukin barrierat ndërmjet personave. Kjo është e veçanta e këtij viti.
Sivjet në Berlin, vitin tjetër në Romë…
Takimi i fundit ndërkombëtar në Romë është bërë më 1986. Prandaj, pas 25 vjetësh kthehemi në Romë, për të jetuar këto ditë shkëmbimi, për të jetuar së bashku festën e fesë.







All the contents on this site are copyrighted ©.