2011-12-29 16:40:41

Mbi dy milionë e gjysmë besimtarë në takimet dhe kremtimet e Papës gjatë 2011 në Vatikan


Janë mëse 2,5 milion (2.553.800) besimtarë që gjatë vitit 2011 kanë marrë pjesë në takime të ndryshme me Papën Benediktin XVI, që do të thotë në audiencat e përgjithshme të së mërkurës (400.000) e audiencat e veçanta (101.800), në kremtimet liturgjike, pra në ritet fetare ( 846.000), në lutjen e Engjëllit të Tënzot e Mbretëreshën e Qiellit në mesditë (1.206.000). Të dhënat janë shpallur e botuar sot paradite nga Prefektura e Shtëpisë Papnore. Deklarata kujton se është fjala për të dhëna të përafërta, që llogariten mbi bazën e kërkesave për pjesëmarrje në ngjarjet e kremtimet që kanë ardhur në Prefekturën Apostolike, e të biletave që janë shpërndarë po nga ky organizëm i Vatikanit, si dhe një vlerësim i përgjithshëm në momentet siç është lutja e Engjëllit të Tënzot e Kremtimet e mëdha në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan: nga të gjithë dominon ceremonia e Lumturimit të Gjon Palit II. Të dhënat tregojnë një pjesëmarrje gjithnjë në rritje në krahasim me tri vitet e fundit.
Në këtë kuadër, shpjegon deklarata, llogaritja e numrit të besimtarëve që kanë marrë pjesë, i referohet vetëm takimeve që janë mbajtur në Vatikan dhe në Kastelgandolfo, e nuk përfshin momentet tjera, që Ati i Shenjtë Ratcinger ka pasur, me pjesëmarrjen e madhe të besimtarëve, siç janë udhëtimet apostolike në Itali e në Vende të ndryshme të botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.