2011-12-28 14:04:05

Audienca e përgjithshme e fundit e këtij viti. Papa: “Familja është shkolla e parë e lutjes”


Sot paradite në Vatikan, audiencën e 45-të dhe të fundit të përgjithshme të këtij viti, Papa Benedikti XVI ia kushtoi lutjes në dritën e Familjes së Shenjtë të Nazaretit. “Familja – pohoi Papa Ratcinger – është Kishë shtëpiake e duhet të jetë shkolla e parë e urates.
Në familje fëmijët, qysh nga mosha e njomë, mund të mësojnë ta perceptojnë vlerën e Zotit, falë mësimit dhe shembullit të prindërve të tyre, ata mund të jetojnë në atmosferën e pranisë së Zotit. Një edukim vërtet i krishterë nuk mund të heq dorë nga përvoja e përjetimi i lutjes. Nëse urata nuk mësohet në familje, më vonë është shumë vështirë të plotësohet kjo zbrazëti”. Për këtë arsye Papa bëri thirrje të “rizbulohet bukuria e lutjes së përbashkët si familje, sipas shembullit të Familjes së Shenjtë të Nazaretit, e kështu të bëhemi e të jemi më të vërtetë një zemër e një shpirt i vetëm, një familje e vërtetë”.
Papa Benedikti XVI gjatë katekizmit nënvizoi se “pikërisht përmes lutjes ne bëhemi të aftë ta dëgjojmë Zotin thellësisht e në mënyrë intime”. Familja e Shenjtë “është shkollë e lutjes, ku mësohet dëgjimi, meditimi, depërtimi dhe kuptimi i domethënien së thellë të dëftimit të Birit të Zotit, duke marrë shembull nga Maria, Jozefi e Jezusi”.







All the contents on this site are copyrighted ©.