Patriku i Kostandinopojës: të shndërrohemi nga individë në njerëz, që e duam njëri-tjetrin
“Që sivjet, të fillojmë ta jetojmë Krishtlindjen siç i pëlqen Zotit, që na jep çdo
të mirë: të përjetojmë në tokë e brenda zemrave paqen e pakrahasueshme e mirësinë
plot dashuri të Zotit për ne. Të bëhemi njerëz, në bashkim dashurie me Zotin e me
të afërmin, duke u shndërruar nga individë në persona. Ta hedhim maskën e njeriut
egoist, që jeton i ndarë nga Hyji, nga të afërmit e nga vëllezërit e vet”. Kjo është
ftesa, që u bën të gjithëve, në mesazhin e tij të Krishtlindjes, Patriku ekumenik
i Kostandinopojës, Bartolomeu I, i cili na kujton se “udha e vetme e shpëtimit nga
luftrat, nga krizat ekonomike, apo të çdo natyre qofshin, është Zoti ynë, Jezu Krisht,
i cili na ka siguruar se Ai vetë është Udha, e Vërteta dhe Jeta”.
Patriku i
Kostandinopojës kërkon një fe konkrete, e cila i bën besimtarët pjesëmarrës në Lajmin
e Mirë të Zotit për njerëzimin që vuan, pa qenë në gjendje të gjejë paqen me mjetet
e veta. Fatkeqësisht, vëren Bartolomeu I, shumica e njerëzve nuk e kupton krejtësisht
Krishtlindjen, pyet pse duhet t’i thurim lavde Zotit, përderisa në botë nuk ka paqe
e njerëzit shpesh nuk e shohin me dashamirësi njëri-tjetrin. Si pasojë, shumica e
njerëzve nuk e lavdërojnë Hyjin as me vepra e as me fjalë e madje, disa dyshojnë edhe
për ekzistencën e Tij. Natyrisht, vazhdon Patriku, janë të shumtë ata, që e konsiderojnë
përgjegjës për problemet e jetës së tyre.
Por, ata që sillen kështu, gabojnë,
sepse – shpjegon Patriku Ekumenik – e keqja nuk vjen nga Zoti. Përkundrazi, me mishërimin
e Birit të Hyjit, për dashuri ndaj botës, me vdekjen e ngjalljen e Tij, përtërihet
feja dhe jeta e besimtarit, që merr sërish shkëlqimin e dikurshëm, në perspektivën
e jetës së amshuar e të paqes së shpirtit. Shumë njerëz, vazhdon të verë në dukje
Bartolomeu I, tërhiqen nga boritë e luftës e gati u vjen keq kur dëgjojnë premtimin
për një jetë në paqe.
Këta nuk janë vetëm zotërinjtë e luftës, por edhe të
gjithë ata, që e shndërrojnë një garë fisnike në konflikt e në sulm kundër vëllezërve
të vet, duke kërkuar eliminimin e kundërshtarit. E atëherë, lufta shihet si realiteti
i zakonshëm ndërmjet grupeve shoqërore, me kundërvënie të çdo lloji: etnike, ekonomike,
ideologjike, fetare, sportive… Harrojmë se lajmërimi i ëmbël i engjëjve për “paqe
mbi Tokë” është para së gjithash, një premtim i Zotit, nëse njerëzit ndjekin rrugën,
të cilën ua tregon atyre Foshnja Hyjnore që lind.