2011-12-27 15:24:57

Ipeshkvi i Sapës: Letra drejtuar besimtarëve për Krishtlindje 2011


Të dashur besimtarë, hire dhe bekime prej Jezu Krishtit Zot!

Jemi në prag të fillimit të Vitit jubilar, 950 vjetorit të krijimit të Dioqezës së Sapës. Prandaj, festa e Krishtlindjes është porta e hyrjes në Vitin e hirit të Zotit, është rruga më e sigurt që na ndihmon për ta takuar Zotin. Krishtlindja ka kuptim vetëm atëherë kur personalisht takohemi me Krishtin e gjallë. Vetëm në këtë mënyrë, na zbulohet misteri i madh i Betlehemit, kur ne takohemi me Krishtin.
Çdo Krishtlindje është thirrje “Ejani të shkojmë në Betlehem” (Lk 2,15), që të përkulemi para Foshnjës, dhe të ruajmë në zemër atë çka Ai na flet. Të gjithë ne gjatë Vitit jubilar duhet që të mësojmë ti ndjekim barinjtë në ecjen e tyre, “e gjetën Marinë, Jozefin e Foshnjën të vënë në grazhd” (Lk 2, 16). Aty, në grazhdin e Betlehemit bashkohen qielli e toka. Aty ndriçon një dritë për të gjitha kohërat; aty përjetohet gëzimi; aty lind kënga e jetës sonë, Krishti dje, sot e për gjithmonë.
Njerëzimi ka nevojë për porosinë e kësaj Foshnje por shumë kush nuk ka guxim që ti afrohet, ta kërkon. “…njerëzimi pret Hyjin, afërsinë e Tij. Por kur arrin momenti, nuk ka vend për Të. Njerëzit janë tepër të zënë me vetveten, kanë nevojë kaq shumë për krejt hapësirën e kohën për të vendosur gjërat e tyre, saqë nuk mbetet asgjë për tjetrin – për të afërmin, për të varfrin, për Zotin” (Papa Benedikti XVI).
Besimtarë të mi të dashur, jemi duke jetuar në një botë ku dominon dëshira vetëm për të pasur, për të grumbulluar, dhe për t’u pasuruar, mjerisht shpesh herë në kurriz dhe dëm të të tjerëve. Shpesh herë nuk zgjidhen as rrugët dhe as mënyrat për t’u pasuruar, madje edhe ato të gabuara. Nuk mund që të mbylli sytë para disa fenomeneve të gabuara, po përmendi plagët e reja të shoqërisë së sotme, sikurse janë droga dhe kriminaliteti apo lojërat e fatit nëpër kazinotë e vendeve tona, korrupsionet dhe mashtrimet, etj. Këto fenomene negative janë duke u rritur dita ditës dhe si pasojë gjithnjë e më shumë janë duke rrënuar dhe duke krijuar vuajtje e dhimbje për individin, familjen dhe shoqërinë tonë. Në këtë mënyrë shumë shpesh lëndohet dhe rrënohet rëndë dinjiteti njerëzor. Rrugëdaljen prej gjithë kësaj situate e gjejmë vetëm me besim në Zotin. Hyji i është përgjigjur njeriut duke e dërguar Birin e vet në mesin tonë. Biri i Hyjit, ka ardhur që t’ia kthejë njeriut dinjitetin e bijësisë hyjnore. Krishti është Shpëtimtari i njeriut dje, sot dhe në amshim.
Me Krishtlindje në botë vjen “drita e vërtetë që ndriçon çdo njeri” (Gjn 1,9). “Fjala u bë njeri e banoi ndër ne” (Gjn 1,14), edhe sot, Krishti vjen përsëri në mes të njerëzve, atyre që e pranojnë u jep “zotësinë të bëhen bijtë e Hyjit”, u jep mundësinë ta shohin lavdinë hyjnore dhe të bashkë ndajnë gëzimin e Dashurisë, që në Betlehem u bë njeri për ne.
Shpëtimtari ynë u lind në botë sepse e di se kemi nevojë për Të. Sytë e të gjithë neve duhet të drejtohen tek Shpella e Betlehemit. Çdo njeri vullnet mirë mund të afrohet dhe të hyjë brenda Shpellës tek grazhdi i Foshnjës së Betlehemit për ta takuar, për ta pranuar dhe adhuruar Dashurinë e Zotit të bërë njeri.
Është e nevojshme që ta takojmë personalisht Krishtin dhe t’i mundësojmë që të lindë në zemrat e gjithsecilit prej nesh. Pa këtë takim personal, gjithçka është e padobishme, gjithçka mbetet vetëm e traditës dhe folklorike, pa një gëzim dhe lumturi të vërtetë. Sepse çdo gjë që është vetëm e jashtme dhe nuk depërton në zemrat tona, nuk sjellë lumturi dhe gëzim të vërtetë. E atëherë Hyji mbetet i huaj dhe larg nesh si i panjohur. Mbetet te porta e zemrës sonë, i cili pret ndriçimin e brendshëm dhe hapjen e derës.
Prandaj, Krishtlindja le të jetë TAKIM me Hyjin, i cili, ka ardhur për gjithsecilin prej nesh dhe pret prej nesh që t’ia hapim dyert e zemrave tona. Kjo hapje e zemrës sonë ndaj Hyjit është e vetmja që mund të ndryshojë jetën tonë, e nëpërmjet këtij ndryshimi personal të ndryshojë edhe botën.
Vëllezër dhe motra, “jemi të krishterë, vetëm në se takojmë Krishtin. Mund ta takojmë Krishtin në leximin e Shkrimit Shenjt, në lutje, në jetën liturgjike të Kishës. Mund ta prekim zemrën e Krishtit e të ndiejmë se edhe Ai e prek zemrën tonë. Vetëm në këtë marrëdhënie personale me Krishtin, vetëm në këtë takim me të, bëhemi vërtetë të krishterë. E kështu hapet arsyeja jonë, na hapet parasysh gjithë urtia e Krishtit e gjithë pasuria e së vërtetës. Prandaj t’i lutemi Zotit të na ndriçojë, t’i dhurojë botës sonë takimin me praninë e Tij: e kështu, të na japë një fe të gjallë, një zemër të hapur, një dashuri të madhe për të gjithë, të aftë për t’ia ndryshuar faqen botës”, na mëson Papa Benedikti XVI.
Prandaj zgjohu, për ty Hyji u bë njeri. Ty po të them, Hyji u bë njeri! “Zoti bëhet njeri, mishërohet, që edhe vetë njeriu të hyjnizohet” (Shën Augustini). Ai u bë një prej neve, por prapë është i ndryshëm, që edhe ne të ndryshojmë.

Duke Ju uruar hire dhe bekime, i uroj gjithsecilit gjatë këtij Viti jubilar të Dioqezit tonë të Sapës një takim personal me Hyjin e mishëruar dhe ky takim të sjellë në jetë gëzim, shpresë dhe fuqinë e dëshmisë së besimit sikurse na kanë mësuar martirët dhe të parët tanë

Për shumë vjet Krishtlindjen!

Bariu i juaj
Imzot Lucjan Avgustini







All the contents on this site are copyrighted ©.