2011-12-25 17:55:49

Përsëri gjak, Natën e Krishtlindjes, në Nigeri. Urrejtje fare pa kuptim, komenton atë Lombardi.


Dhuna nuk e kursen Nigerinë as ditën e Krishtlindjes: sot paradite tri bomba shpërthyen në afërsi të po aq kishave: një në rrethinat e Abuzha; tjetra, në Jos; ndërsa e treta, në Gadaka. Në të trija kishat po kremtoheshin Meshët e Krishtlindjes.
Sipas vlerësimeve të para, duhet të kenë gjetur vdekjen të paktën 27 vetë. Drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi, i shpreh popullit nigerian afërsinë e tij, në një ditë, që duhet të ishte plot me gëzim e paqe.

Kështu besimtarëve të vendit afrikan iu desh të paguajnë haraç gjaku edhe në ditën e njërës nga festat më të bukura. E pikërisht kur kremtonin. Në kulmin e Meshës, në vend të tingujve të këmbanave, u dëgjuan zhurmat shurdhuese të shpërthimit të bombave. E para shpërtheu në Kishën katolike të Shën Terezës, në Madalla, në rrethinat e kryeqytetit nigerian, Abuzha.
Pak më vonë, shpërtheu e dyta, pranë Kishës së Mrekullive, përplot me besimtarë në festë, këtë mëngjes jo të zakonshëm. Këtu, një grup i armatosur, qëlloi mbi policinë, që ruante vendin, duke vrarë një polic. Ndërkaq, në një ndëtesë pak më larg, u gjet edhe një bombë tjetër.
Bomba e tretë shpërtheu pas mesdite në Gadaka, në shtetin jugor të Jobe-s. Zëdhënësi i agjensisë nigeriane të shërbimeve të sigurisë, Yushau Shuaib, konfirmoi se në Abuzha ka disa të vrarë e të plagosur, por bilanci zyrtar është ende i pasaktë. Ministria e Brendshme nigeriane njoftoi se nuk ka autoambulanca të mjaftueshme për të përballuar emergjencën.
Ekstremistët islamikë të organizatës Boko Haram, të cilët vitin e kaluar shkaktuan vdekjen e 32 vetëve e plagosjen e 72 të tjerëve në Jos, pohuan autorësinë e atentatit të Madalla-së. “Ngjarje, që flet për mizori e urrejtje të verbër, fare pa kuptim, pa kurrfarë respekti për jetën njerëzore”: kështu e komentoi atentatin e trifishtë, drejtori i Sallës vatikanase të Shtypit, atë Federiko Lombardi në një deklaratë, përmes së cilës i shpreh afërsinë e tij popullit nigerian: “Ndërsa lutemi për viktimat, urojmë, vëren atë Lombardi, që kjo dhunë pa kuptim, të mos e zbehë dëshirën për bashkëjetesë paqësore dhe dialog në vend”.







All the contents on this site are copyrighted ©.