2011-12-25 12:33:27

Papa Natën e Krishtlindjes: vetëm Zoti i jep botës gëzimin e vërtetë


Sot Krishtlindja është bërë festa e dyqaneve që, me dritat e tyre verbuese, e fshehin misterin e përvujtërisë së Zotit, i cili na fton të jemi si ai, zemërbutë, të përvujtë, të thjeshtë. Këtë pohoi Papa në Bazilikën e Shën Pjetrit, gjatë Meshës Shenjte të mesnatës së Krishtlindjes.
Ati i Shenjtë i lartoi Zotit lutjen, që të na ndihmojë për të shikuar përtej fasadave vezulluese të kësaj kohe e për të gjetur, pas tyre, Foshnjën e stallës së Betlehemit, sepse vetëm kështu mund të zbulojmë gëzimin e vërtetë e dritën e vërtetë. Më pas nënvizoi:
“Në se dëshirojmë ta gjejmë Zotin, që u duk me fytyrën e njomë të një foshnjeje, duhet të zbresim nga ‘kali’ i mendjemadhësisë sonë intelektuale, i arsyes sonë “të ndriçuar” që, me siguritë e saj të rreme, na pengon ta shikojmë me sy e ta prekim me dorë afërsinë e Zotit”
Duhet të ndjekim rrugën shpirtërore të Shën Françeskut, rrugën, që na çon kah thjeshtësia e skajshme në jetën materiale e shpirtërore, vijoi Papa. Sepse vetëm një thjeshtësi e tillë e bën zemrën të aftë për ta parë e për ta takuar Zotin. Duhet të përkulemi e të ecim shpirtërisht në majë të gishtrinjve, në se duam të kapërcejmë portën e fesë e ta takojmë Hyjin, që fshihet në përvujtërinë e një ferishtjeje të posalindur, që s’ ka të bëjë fare me paragjykimet tona e me opinionet tona.E kremtojmë, kështu, liturgjinë e Natës së Shenjtë, duke hequr dorë nga lidhja e tepruar me sendet materiale, që maten e preken. Ta lëmë Zotin të na bëjë njerëz të thjeshtë, me bindjen se Ai u diftohet pikërisht zemrave të thjeshta. E t’i lutemi, në këtë orë posaçërisht për të gjithë ata, që e jetojnë Natën e Madhe në varfëri e në kushtet e vështira të emigrantit, t’u çojë një rreze nga drita e mirësisë së tij, t’ua prekë zemrat, atyre e edhe ne, me atë mirësi që solli mbi botë, me lindjen e Birit të vet, në grazhdin e vrazhdë të një stalle.







All the contents on this site are copyrighted ©.