Kremtimi i Krishtlindjes në Tokën e Shenjtë. Intervistë e atë Picabalës.
Dje pasdite 24 dhjetor, me hyrjen e Patrikut latin të Jeruzalemit, imzot Fuad Tual,
nisën kremtimet e Krishtlindjes te Grazhdi, i cili më se dymijë vjet më parë pa Lindjen
e Foshnjës Hyjnore. Kremtimet filluan me Lutjet e para mbrëmësore, në Bazilikën
e Lindjes së Krishtit dhe vijuan me Meshën e mesnatës, në praninë e presidentit palestinez,
Abu Mazen dhe të kryeministrit, Salam Faiad. Për ta pritur Patrikun latin të Jeruzalemit,
që hynte në Sheshin e Lindjes së Krishtit, kishin dalë autoritetet vendase, françeskanët
rojtarë të Bazilikës dhe mijëra besimtarë, nga mbarë bota, mbledhur rreth Grazhdit
të Zotit. Nisi kështu, Krishtlindja në Betlehem, me kremtime që përsëriten prej shekujsh,
me ceremoni të pandryshueshme. Një varg i gjatë makinash, paraprirë nga policia
izraelite, u nis nga Jeruzalemi dje, në orën 12.00, për të shoqëruar Patrikun latin
dhe bashkëpunëtorët e tij. I gjithë qyteti i përcolli të krishterët që niseshin për
në Betlehem. Gjatë udhës, vargu i gjatë i shtegtarëve u ndalua në manastirin e Shën
Elisë, pranë varrit të Rakeles e Murit, që ndan Jeruzalemin nga Betlehemi. Patriku
hyri në qytetin e lindjes së Jezusit përmes një porte, që hapet vetem për raste të
mëdha, si ky i djeshmi. Simbolike e prekëse kjo hyrje, që të kujton se kryeqendra
e vogël e Judës, sot është qytet që vuan. E megjithtë, edhe shpreson, gëzohet, feston.
Për t’i treguar mbarë botës, që ia ngul sytë, se përpiqet të jetë më i fortë se të
gjitha vështirësitë, siç u shpreh edhe Rojtari i Tokës së Shenjtë, atë Pierbatista
Picabala, i cili na flet për kremtimet e sivjetme:
Përgjigje: -
Në këndvështrimin liturgjik e të manifestimeve publike, Krishtlindja po kremtohet
si çdo vit. Atmosfera është festive, si zakonisht. Para të gjitha kremtimeve ndjehet
fort atmosfera e pritjes. Krishtlindje e hareshme e, megjithatë e shqetë për bashkësinë
e krishterë, e jo vetëm për Tokën Shenjte, por për të gjitha vendet e Lindjes së Mesme.
Pyetje: - Në mesazhin tuaj keni shkruar se Krishtlindja është edhe
histori e thesareve. Për çfarë thesaresh e keni fjalën?
Përgjigje: -
Thesari më i çmuar është Jezusi. Prandaj sivjet i lashë mënjanë problemet politike
e shqetësimet shoqërore, të cilat i kujtoj çdo vit dhe i ftova të gjithë të shikojnë
vetëm Jezusin, të mendojnë vetëm për Zotin, që lind përsëri këtu, ku pati lindur historikisht
më se dymijë vjet më parë. Thesari më i madh është Krishti, e thesare janë edhe njerëzit,
që banojnë këtu; thesare, nismat e shumta të paqes e çdo gjë e mirë, që i shërben
zhvillimit: janë thesare shpesh të fshehura, të panjohura.
Pyteje: -
Urimi juaj për Krishtlindje?
Përgjigje: - Uroj t’i lëmë mënjanë shpresat
e vogla, të jemi të aftë për t’i harruar vegimet tona vocrrake e për të parë atë,
që është vërtet e bukur: njeriun, para vetë Zotit!
E kështu, në një atmoferë
optimiste, plot hare, me jehonën gazmore të daulleve e të gajdeve të shumë grupeve
skaut, në Sheshin e Grazhdit, festa vijon… Qyteti sivjet është plot me shtegtarë,
ardhur nga të katër anët e botës për ta kremtuar Krishtlindjen në Betlehem. Tejet
të prekur shtegtarët, shumë prej të cilëve u duket si ëndërr kremtimi i Lindjes së
Krishtit pranë grazhdit, ku Zoti u bë njeri! .E nuk mungojnë as vendasit, gjë që
e dëshmon fakti i 15 mijë lejeve, lëshuar palestinezëve të Territoreve nga autoritetet
izrarelite për të hyrë në Betlehem, e 500, lëshuar besimtarëve të Gazës. Te Grazhdi,
që dje, dëgjohen lutje të vazhdueshme, me zë e pa zë, korale e të heshtura, ndërprerë
vetëm nga kremtimet liturgjike në Bazilikë, nga këngët e nga procesionet e françeskanëve
tek Shpella, ku lindi Zoti. Kulmi i kremtimeve arriti në Meshën e mesnatës, kryesuar
nga imzot Tual në Bazilikën e Shën Katerinës, transmetuar nga mondovizioni. Për kremtimin
e kësaj Eukaristie u shpërndanë 1. 800 bileta. Ndërmjet autoriteteve civile e fetare,
në Meshë ishte i pranishëm, edhe sivjet, presidenti palestinez Abu Mazen i cili, rreth
orës 19.00, i ftuar nga françeskanët, sipas traditës, darkoi me Patrikun, ipeshkvijtë
autoritetet. Simbol i vëllazërimit e i miqësisë, edhe kjo darkë.