Benedikti XVI uron shqiptarët: “Për shumë vjet Krishtlindjen!
I nisim, urimet tona të Krishtlindjes, me zërin e Papës Benedikti XVI i cili, nga
Lozha qendrore e Bazilikës së Vatikanit, u uroi Krishtlindjen, në gjuhën shqipe, mbarë
shqiptarëve të krishterë, tashmë të përhapur deri në skajet më të largëta të Planetit:
ta dëgjojmë urimin e Papës shqip.... E edhe Ekipi
i Programit shqip pranë Radio Vatikanit bashkon zërin me Papën, duke përsëritur ftesën
e Atit të Shenjtë për t’iu drejtuar Foshnjës së Betlehemit, Birit të Virgjërës Mari
e për t’iu lutur: “Eja, na shpëto!” E përsërisim këtë thirrje në bashkim shpirtëror
me shumë njerëz, që jetojnë në kushte tejet të vështira, e duke u bërë zë i atyre,
që nuk kanë zë. Urime pra, Zoti që lidhi qiellin me tokën, ardhtë sot në jetën
e secilit prej nesh me dhurata, që vetëm Ai di t’i japë: me gëzimin, paqen, drejtësinë,
të vërtetën e tij, zëntë kryet e vendit në zemrat tona e në vatrat tona; Ndërmjetësoftë
pranë Atit Qiellor për realizmin e të gjitha dëshirave; Na ndihmoftë të ecim në
rrugën e Tij të fesë, të dashurisë e të shpresës; Na shoqëroftë në rrugën për kapërcimin
e këtij çasti të vështirë për mbarë njerëzimin; Të gjithë atyre, që janë larg familjeve,
u sjelltë ngushëllimin e bashkimit me të dashurit, rreth sofrës familjare të festës,
posaçërisht këto ditë të mëdha. Nga mot gëzuar! Të gjithëve, për shumë vjet
Krishtlindjen!