2011-12-25 15:52:54

Benedikti XVI në Mesazhin e Krishtlindjes: Krishti erdhi për të na shpëtuar nga e keqja e madhe e ndarjes prej Hyjit! Papa kujton gjithë popujt e vuajtur.


“Krishti lindi për ne, e për të na shpëtuar, sidomos, nga e keqja më e madhe, ndarja prej Hyjit”. Këtë i kujtoi Papa mbarë botës, në mesazhin tradicional të Krishtlindjes, duke kërkuar ndihmën hyjnore për popujt e botës, që vuajnë nga fatkeqësitë e natyrës, nga zija e bukës, konfliktet shoqërore, luftërat. Më pas u drejtoi urimet më të përzemërta, në gjuhët përkatëse, për t’u dhënë edhe Bekimin “Urbi et Orbi”- “Romës e Botës”. E ndoqën mijëra shtegtarë, ardhur nga të katër anët e Planetit. Ndërmjet tyre, një mori familjesh me fëmijë, mbledhur në Sheshin e Shën Pjetrit, në këtë ditë dimërore të ndriçuar nga një diell i këndshëm, për të dëgjuar, së bashku me miliona besimtarë, lidhur përmes radios, televizionit e internetit, fjalët e Papës, nga lozha qendrore e Bazilikës së Shën Pjetrit:
“I Biri i Marisë Virgjër lindi për të gjithë, është Shëlbuesi i të gjithëve”.
Pasardhësi i Shën Pjetrit uroi edhe një herë, duke iu drejtuar mbarë botës në këto Krishtlindje…
… të arrijë tek të gjithë jehona e lajmit të Betlehemit, të cilin Kisha Katolike e shpall sot në të gjithë kontinentet, përtej kufijve kombëtarë, gjuhëve, kulturave”.
“Eja, na shpëto!”, u lut Benedikti XVI:
“Kjo është britma e njeriut të të gjitha kohëve, që e ndjen se nuk mund t’i kapërcejë i vetëm vështirësitë e rreziqet. Ka nevojë për një dorë më të madhe, më e fortë, që t’ia shtrëngojë dorën e brishtë; për një dorë, që i shtrihet nga lartësitë qiellore.
Kjo dorë, shpjegoi Papa, është Jezusi:
“Ai është dora, që Zoti i shtrin njerëzimit, për ta nxjerrë nga balta e kënetës së mëkatit e për ta ngritur përsëri në këmbë mbi shkëmb, mbi shkëmbin e patundur të së vërtetës së Tij e të dashurisë së Tij”.
Jezusi, shtoi Benedikti XVI, u dërgua nga Ati, për të na shpëtuar nga e keqja më e madhe, e rrënjosur në zemrën e njeriut e në histori:
nga ajo e keqe, që është ndarja prej Zotit, nga kryelartësia fodulle për të mos u varur nga askush, për të konkurruar me vetë Hyjin, për t’i zënë vendin, për të vetëvendosur ç’është e mirë e ç’është e keqe, për të qenë zot i jetës e i vdekjes”.
Kjo është e keqja më e madhe, mëkati më i madh, nga i cili ne, njerëzit, nuk mund të shpëtojmë, në se nuk e lëshojmë plotësisht veten në dorë të Zotit. E kjo vetëdije na krijon kushtet e duhura, na bën ta njohim vetveten:
“Ai është mjeku, ne, të sëmurët. Pranimi i kësaj së vërtete, është hapi i parë drejt shëlbimit, drejt daljes nga shtegu i verbër, ku na shtyu fodulleku ynë”.
Në qendër të vëmendjes së Papës, në këtë ditë të madhe feste, popujt që vuajnë në të katër anët e Planetit:
“Eja, na shpëto!” E përsërisim këtë thirrje në bashkim shpirtëror me shumë njerëz, që jetojnë në kushte tejet të vështira, e duke u bërë zë i atyre, që nuk kanë zë”.
Mendimi i Beneditit XVI shkoi tek popujt e Bririt të Afrikës, që vuajnë nga uria e nga thatësira, të rënduara shpesh edhe nga pasiguria e vazhdueshme e tek refugjatët e shumtë, të lënduar thellë në dinjitetin e tyre, me ftesën drejtuar bashkësisë ndërkombëtare për ndihmë e solidaritet.
Më pas, kujtoi popullsitë e Jug-Lindjes aziatike, porsaçërisht ato të Tailandës e të Filipineve, që kalojnë ende kohë të vështira për shkak të përmbytjeve; njerëzimin e plagosur nga një mori konfliktesh, që vijojnë ta gjakosin Planetin; i ftoi izraelitët e palestinezët të vijojnë dialogun; kërkoi fundin e dhunës në Siri; pajtimin edhe stabilitetin e plotë në Irak e Afganistan; veprimtari të reja për të mirën e përbashkët të të gjithë anëtarëve të shoqërisë në Vendet e Afrikës së Veriut e të Lindjes së Mesme e, akoma, dialog e bashkëpunimin në Mianmar, për gjetjen e rrugëzgjidhjes së përshtatshme; stabilitet politik në vendet e zonës afrikane të Liqeneve të Mëdha dhe mbrojtje të të drejtave të të gjithë qytetarëve në Sudanin e Jugut.
Papa i ftoi të gjithë t’ia ngulin sytë Shpellës së Betlehemit, me bindjen se Foshnja, që kundrojmë, është shpëtimi ynë!
“Ai solli në botë mesazhin universal të pajtimit e të paqes. T’ia hapim zemrat, ta përbujmë në jetën tonë”.
Pastaj, përshëndetja në 65 gjuhë, duke nisur nga romakët e italianët, me urimin që lindja e Krishtit dhe Fjala e Ungjillit ta përtërijnë jetën e besimtarëve, të sjellin paqe në familje, ngushëllim në vatrat e njerëzve që vuajnë, gëzim në të gjitha zemrat njerëzore!
Papa e mbylli mesazhin me lutjen në gjuhën latine:
“Veni ad salvandum nos!”- “Eja, na shpëto”.Në përfundim, bekimi apostolik “Urbi et Orbi”- Romës dhe Botës.







All the contents on this site are copyrighted ©.