Në atmosferën e jashtëzakonshme të Krishtlindjes, me qindra herë kemi dëgjuar në radio,
në televizion, në Kisha, pranë Betlehemit, tingujt dhe fjalët e këngës së famshme
“Stille Nacht” - “O e qeta Natë”. Po cili është historiku i krijimit të kësaj kënge,
ndër më të famshmet e më të përhapurat në mbarë botën? Fjalët qenë shkruar natën
e Krishtlindjes 1818, nga meshtari Joseph Mohr (Jozef Mor) (1792-1848), ndihmës famullitar
në Oberndor të Salcburgut (Austri). Në të njëjtën natë qenë muzikuar nga Franc
Xavier Gruber (Françesk Saver Gryber) (1787-1863), organist i qytezës së afërme, Arsndorf. Sipas
dëshirës së Mor, motivi muzikor qe punuar për dy zëra, shoqëruar nga kori dhe kitara. Mor
e këndoi vetë këngën dhe e shoqëroi me kitarë, ndërsa Gryber bëri pjesën e basit. Fjalët
dhe melodia u përhapen menjëherë, aq sa kënga u bë “Himn i përbotshëm i Krishtlindjes”. Autorët
e këngës nuk figurojnë në asnjë enciklopedi të madhe, ndoshta sepse “Stille Nacht”
është i vetmi krijim i tyre. Por shumë muzikantë të shquar, emrat e të cilëve gjinden
në të gjitha enciklopeditë, kanë deklaruar se do t’i jepnin me gjithë zemër të gjitha
kryeveprat e tyre, për të qenë autorë të kësaj ninulle hyjnore, melodia e së cilës
është e njohur nga njerëz të të gjitha moshave, të të gjitha kombësive. Shumë shpejt
kjo këngë nisi të këndohej edhe ndër shqiptarë. Ishte fillimi i shekullit, kur
Atë Vinçenc Prennushi, françeskan, i prekur thellë nga bukuria e këngës, e përktheu
dhe “O e qeta Natë” u këndua për herë të parë në Kishën françeskane të Gjuhadolit
në kremtimin e Krishtlindjes së vitit 1920. Po ju njohim me tekstin e Atë Vinçencit,
një nga përkthimet më lirike e më prekëse të këngës:
Flej, o Qielluer, Zojës
në krahnuer. Flej, mos kjáj, ndale at’ váj. Gjumi t’vjen, por ty s’t’bahet
me fjetë, pse n’do kashta t’rrin trupi Ty p’shtetë.
Jezus për p’shtim
të gjithë neve, Jezus për p’shtim të gjithë neve.
Ty Zoja Mri, Ty gjithë
dashtëni, rrin tuj t’ruejtë, ambël prujtë,
Ditë do t’vinë, o Shelbues,
me u mekë; Ka me të ra mbi një krygjë ty me dekë ! Jezus për p’shtim të gjithë
neve, Jezus për p’shtim të gjithë neve!
Ishte përkthim krejt i lirë
i tekstit. Ndërkaq jezuiti Atë Pjetër Meshkalla e përktheu duke i qëndruar shumë
më besnik tekstit gjermanisht, që nisi të këndohej në kishat e etërve jezuitë
e këndohet edhe sot:
Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë, Krishti i lum sot
ka le; Shih si qeshet e bukura f’tyr’, Me sy t’ambel mbar shekullin k’qyrë’ Flej,
o i bukuri, flej Flej, se shpresa je Ti. Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë Krishti
f’mijë i Zoj’s Mari Qe, në prehen sa mir’ po i rri, Ejt’këndojnë me brohori: Erdh
i lumi Mesi Erdh i lumi Mesi.
Nat’ e qetë, Nat’ e shejtë, Me shpejti
vijnë barijt Me shikue k’te bukuri, Me adhrue njik’te fëmijë Krishti plot
dashuni, Krishti plot dashuni!
Le të jehojë, pra, me fjalët shqipe, kjo
kryevepër botërore, në Kishat tona që këtë vit, për të 16-tën herë mbas dekadave pa
Krishtlindje, shtruan kashtën shqiptare në grazhdet e Betlehemeve, për të pritur Shëlbuesin
dhe i kënduan nina-nanën universale në gjuhën tonë.