“Pesë hapa drejt gëzimit”: editoriali i atë Federiko Lombardit mbi fjalimin e Papës
para Kuries Romake
Jo më larg se dje, Papa Benedikti XVI shkëmbeu urimet e Krishtlindjes me bashkëpunëtorët
e tij më të ngushtë, me kardinajt e Kuries Romake. Në fjalën që u drejtoi, Ati i Shenjtë
u kërkoi ta presin me besim festën e lindjes së Krishtit, pavarësisht nga periudha
e krizës. Mori si shembull entuziazmin dhe gëzimin e të rinjve në Ditët Botërore të
Rinisë, për të përcaktuar pesë mënyra të përjetimit të fesë së krishterë. Pikërisht
në to e përqendron komentin e sotëm javor, zëdhënësi i Selisë së Shenjtë, atë Federiko
Lombardi: “Edhe këtë vit,
në fjalimin mbajtur para bashkëpunëtorëve të Kuries Romake, në prag të Krishtlindjes,
Papa arriti të na thotë diçka të bukur, të madhe dhe inkurajuese. E bëri këtë, duke
pasur parasysh këtë kohë krize, që ai e konsideron – me plot të drejtë – jo vetëm
ekonomike, por edhe më të thellë, morale, kulturore e shpirtërore. E bëri, duke reflektuar
mbi një nga ngjarjet, që i ka lënë më shumë përshtypje gjatë këtij viti: Dita Botërore
e Rinisë në Madrid. Papa Benedikti XVI gjen aty “një mënyrë të re, të rinuar, për
të qenë të krishterë” e na e përvijon në pesë hapa, pesë këshilla për të kuptuar ç’duhet
të shpallim e si, në një botë, që duket “e lodhur”, “e bezdisur” nga krishterimi. Pikësëpari,
“një përvojë e re e katolicitetit dhe universalitetit të Kishës”: fakti që jemi të
gjithë vëllezër e motra nuk është vetëm ide, por eksperiencë. Pastaj, “të jetojmë
për të tjerët është bukur”: koha dhe jeta marrin kuptim kur dhurohen, jo kur i mbajmë
për vete. E më pas, adhurimi, akti i fesë para Krishtit të gjallë, të pranishëm në
Eukaristi: Zoti është vërtet i pranishëm ndër ne, për ne e me ne. E më tej, falja
e Zotit për secilin prej nesh në Sakramentin e Pendimit, për t’iu kundërvënë vazhdimisht
egoizmit, për të lehtësuar peshën, që kemi në zemër e për t’ia hapur atë dashurisë.
Së fundi, siguria se Zoti na do, na pranon, na mirëpret…. Bashkimi, dhurimi, besimi,
pendesa, dashuria. Përshkimi i këtyre pesë hapave bën që jeta t’ia hapë dyert gëzimit.
Nëse jo, dyshimi ‘a është mirë apo jo, që jetojmë e ekzistojmë’, nuk gjen përgjigje
e bëhet i pakapërcyeshëm, jeta mbahet peng nga trishtimi. “Nga dyshimi për Zotin rrjedh
pashmangshëm dyshimi mbi të qenit njeri” – thotë Papa. Por Hyji është bërë njeri pikërisht
për të na ndihmuar t’i kapërcejmë këto dy dyshime. Pra: “Është mirë të ekzistojmë
si njerëz, të jetojmë, edhe në kohë të vështira”. Gëzuar Krishtlindjen!”