2011-12-23 20:04:30

Krishtlindja troket në portat e zemrave tona, të përshpejtojmë përgatitjen për t’i bërë vend Zotit që po vjen.


Të nderuar, vazhdojmë përgatitjet e fundit për Krishtlindje me një mendim të shkurtër e të thjesht shpirtëror. Vetëm edhe 24 orë na ndajnë nga festa e madhe e Lindjes së Krishtit, e këndej të përshpejtojmë përgatitjen e zemrës për t’i bërë VEND ZOTIT që po vjen.
Festa e Krishtlindjes na thotë se të gjithë kemi nevojë të kthehemi vazhdimisht tek misteri i mishërimit të Hyjit, tek misteri i Krishtit, që të na hyjë në shpirt deri në atë pikë, sa të mund të themi se jemi vërtetë të krishterë, që do të thotë njerëz të cilët kanë aromën e Krishtit.
Koha e Ardhjes që përjetuam këtyre katër javëve, niset nga Lindja e Zotit, nga ardhja e Jezusit në histori e kohë njerëzore për të hapur brenda kësaj historie e kohe, të pushtuar nga errësira, njollosur nga egoizmit, nga padrejtësia e nga mëkati, një shteg shpëtimi. Ne e dimë se kjo tashmë ka ndodhur, se Biri i Zotit është Mishëruar, është bërë Njeri, e po kështu e dimë se shëlbimi ende nuk ka përfunduar së përmbushuri, shëlbimi pra nuk është kryer, nuk ka përfunduar; shëlbimi Hyjnor ka filluar, si tharm, si fryt i parë e duhet të vazhdojë në historinë tonë personale.
Ne presim kthimin e Jezusit, që të përmbushet shëlbimi Hyjnor, që njerëzimi e çdo njeri të çlirohet plotësisht nga pesha e errësirës, e egoizmit, e fajit dhe bota të lirohet nga skllavëria e mëkatit. Ne presim qiej të lind një tokë të re, ndërsa kujtojmë ardhjen e Jezusit në histori, ndezim kandilin, apo më mirë të themi e mbushim me vaj – për të dal para si duhet të përgatitur në takim me Zotin që vjen për dashuri e me dashuri. Ekziston vetëm një mënyrë për të kremtuar vërtetë Lindjen e Krishtit: hapjen e zemrës sonë për ti mundësuar ende sot, edhe një herë Zotit të mishëruar në jetën time, të bëhet Një me mua. Këtë le të kërkojmë sivjet për Krishtlindje, që ardhja e Jezusit të jetë për të gjithë gurrë shprese, guximi, drite e jete. Për shumë Mot Krishtlindjen!







All the contents on this site are copyrighted ©.