2011-12-22 12:23:07

Çelësi i fjalëve të Kishës: dashuria e Krishtlindjes


Krishtlindja po troket në derë e që javën e kaluar filluam të flasim për kuptimin e saj e për atmosferën, që krijon në zemrat tona e përreth nesh. Thamë se ajo ndez një zjarr në botë e ky zjarr s’është tjetër veçse prania e Krishtit, i pasur vetëm me Dashurinë e Tij të pafund për njerëzimin. Por ç’”dashuri” është kjo? Ç’do të thotë që Zoti është Dashuria vetë? Kjo është tema e emisionit të sotëm.

Për Krishtlindje ndodh të tundohemi nga trishtimi. E fatkeqësisht, është bërë zakon të flitet, pikërisht në këtë periudhë, për të gjitha vuajtjet e krizat e botës. Të mos harrojmë sa më ngrohtë është brenda, aq më mizor duket i ftohti, jashtë. Në krejt globin, dy të tretat e popullsisë ka uri. Miliona njerëz janë pa punë, pa shtëpi, pa liri. Kudo grumbullohen armë, që mund ta shkatërrojnë për një sekondë botën! Thoni se Zoti që vjen është dashuri – do të kundërshtojë ndokush. Ç’është pra, kjo dashuri, që na bën të vuajmë?

- Eh jo, dashuria nuk imponohet, propozohet. A është dashuri t’i thuash tjetrit: ”Dua të më duash, të detyroj të duash!”? Njeriu është i madh, nganjëherë për të zezën e vet, sepse mund ta refuzojë dashurinë e Zotit, mund të mos i dojë vëllezërit e vet, duke bërë të kundërtën e asaj, që na kërkon Hyji. E Zoti nuk mund të na detyrojë të bëjmë ndryshe, sepse dashuria nuk detyron, na bën të lirë. Këtu qëndron liria e krishterë, që shumë e kanë të vështirë ta kuptojnë. Njeriu është i vetmi, që mund të thotë:
Jo,
Nuk dua të jem kukull në duart e një Zoti, që e përcakton që në fillim jetën time, pa më lënë të rrezikoj,
nuk dua t’ia di për një Zot, që ndërton një botë të drejtë, në vend të njeriut,
nuk më pëlqen një Zot, që nuk më le të gaboj, duke më shtrënguar të bëj veç mirë,
dua të jem i lirë të grindem me një mik, për t’i shtrënguar pastaj dorën, kur e kuptoj
gabimin, sepse pa këtë liri, nuk do ta merrja vesh kurrë ç’është miqësia.
Dua të jem i lirë, jo se jam mendjemadh, por sepse dua të duhem e të dua.
Kështu, zjarri i dashurisë ndizet, por pse vallë toka nuk digjet prej tij? A mos dashuria ka
dështuar para lirisë së njeriut? Nëse mund t’i bëhet një kritikë Jezusit, e vetmja është se Ai nuk ishte diktator, erdhi tek ne me duar të pastra e u kthye lakuriq tek Ati.
Jezusi sapo ka ardhur mes nesh.
Për historinë e botës, dymijë vjetët e krishterimit janë ”dje”. Të mos harrojmë se jemi në hapat e para të krishterimit e asnjë frut nuk piqet nëse nuk mbin fara e nuk rritet filizi. Krishti e ka mbjellë farën. Tani, së bashku me Të, duhet ta bëjmë të japë fryte. Fitorja e dashurisë është tërësore në jetën e Jezusit, por ne, dishepujve të tij, të mbledhur në Kishë, na takon përgjegjësia për ta futur këtë DASHURI në kohë. Ashtu si në të kaluarën Marisë, na takon ne t’i themi ”po” lajmit të mirë të çdo dite. E gjithë jeta jonë, e virgjër çdo mëngjes, pret prej nesh këtë ”po”, për t’u mbushur me DASHURI. Përndryshe, askush, asnjë bashkësi, asnjë strukturë, asnjë shoqëri nuk mund të lindë e drejtë dhe e qëndrueshme.
E këto, nuk janë ëndërra të kota të ndonjë idealisti e mos kujtoni se të duash është e lehtë. Dashuria është luftë! Kriteri i vërtetësisë së saj është i afërmi, sipas fjalës së Jezu Krishtit: ”Duajeni njëri-tjetrin si vetveten”. Konkretisht, kjo do të thotë të duam për të tjerët, atë që duam për vetveten:

Shihet pra, se nuk është e lehtë të luftosh për të tjerët, si për vetveten e të shprehësh kështu, dashurinë për ta. Sepse e rreme është jeta, që pretendon se jep dashuri duke harruar luftën, apo lufta pa dashuri. Të duash do të thotë të jesh përballë egoizmit e cinizmit të botës, të luftosh për njerëzit e të kryqëzohesh për ta.
Foshnja e Betlehemit nuk iu shmang kësaj lufte tragjike, por në Krishtin e përmes Tij, Dashuria triumfoi në botë! Po, me ardhjen e Jezusit, u ndez një zjarr mbi Tokë, që nuk do të shuhet kurrë. Fëmija me duar bosh, që vjen mes nesh për Krishtlindje, filloi një histori brenda historisë, filloi epopenë e dashurisë, që fiton mbi egoizmin, mbi padrejtësinë, mbi mendjemadhësinë e urrejtjen, epopenë e dashurisë pa fund.
Atëherë, ndizni qirinjtë, shpërndani dhuratat, hani ëmbëlsirat e Krishtlindjes e këndoni! DASHURIA ka zënë rrënjë në botë e do të lulëzojë – jemi me miliona, që e besojmë këtë – sepse kjo DASHURI është një person e ky person është Zoti…Emanueli, Zoti-me-ne: Krishti lind!







All the contents on this site are copyrighted ©.