2011-12-22 16:46:04

Krishtlindja: gëzimi i vërtetë është vetëm në Jezusin që lind e jo në iluzionet e "profetëve të rremë".


“Zoti është afër: ejani ta adhurojmë!”. Me këtë thirrje liturgjia na fton, këto ditë e orë të fundme të Kohës së Ardhjes, t’i afrohemi, gati-gati në majë të gishtërinjve, Shpellës së Betlehemit, ku ndodhi ngjarja e jashtëzakonshme, që ia ndryshoi rrjedhën historisë së njerëzimit: lindja e Shëlbuesit. Natën e Krishtlindjes ndalemi përsëri para Shpellës së Betlehemit, për të kundruar, të mrekulluar, “Fjalën e mishëruar”. Ndjesi gëzimi e mirënjohjeje rilindin në zemrat tona si çdo vit, duke dëgjuar meloditë e Këshndellave që, në gjuhë të ndryshme, i këndojnë së njëjtës mrekulli të jashtëzakonshme. Krijuesi i universit erdhi për dashuri e vendosi banesën e vet ndërmjet njerëzve. Në letrën drejtuar Filipianëve, Shën Pali Apostull pohon se Krishti: “…edhe pse me natyrë Hyj, barazinë e vet me të, nuk e çmoi si një visar që s’mundet pa të; por ia mohoi vetvetes e mori natyrën e shërbëtorit dhe u bë i ngjashëm me njerëz” (2,6). U duk në formë njerëzore – shton Apostulli – duke e përulur vetveten”. Në Natën e Shenjtë të Krishtlindjes ne ri-jetojmë realizmin e këtij misteri tejèt të lartë të hirit e të mëshirës hyjnore.
Shton Shën Pali: “Kur erdhi koha e caktuar, Hyji dërgoi Birin e vet, të lindur prej një gruaje, të nënshtruar Ligjit, që t’i shpërblente të nënshtruarit e Ligjit, që ne të bëheshim bijtë e tij në shpirt”. (Gal 4,4-5) Në të vërtetë që prej shumë shekujsh populli i zgjedhur priste Mesinë, duke e përfytyruar si njeri të fuqishëm e si kryetrim fitimtar, që do ta çlironte nga thundra e të huajve. Por nuk ngjau kështu. Shpëtimtari lindi në heshtje të thellë e në varfëri të plotë. Erdhi si dritë që ndriçon çdo njeri – vëren Shën Gjoni – por të tijtë nuk e pranuan” (Gj. 1,9.11). Atëherë Apostulli vijon: “Atyre që e pranuan u dha zotësinë të bëheshin bij të Hyjit” (GJ.1,12). Drita e premtuar ndriçoi zemrat e atyre që e kishin pritur me një pritje këmbëngulëse, vigjilente, veprimtare.
Liturgjia e Kohës së Ardhjes na nxit edhe ne të jemi të përkorë e vigjilentë, të mos e ngarkojmë veten me barrën e mëkatit e të shqetësimeve të tepruara të botës. Vetëm duke vigjiluar e duke u lutur mund ta njohim e ta pranojmë vezullimin e Lindjes së Krishtit. Shën Maksimi i Torinos, në një nga homelitë e tij, pohon: “Koha na kujton se lindja e Krishtit Zot është afër. Bota, e zhytur në të njëjtat ankthe, e ndjen afrimin e ngjarjes që do ta përtërijë dhe dëshiron, me një pritje të padurueshme, që drita e një dielli më të shkëlqyeshëm ta ndriçojë errësirën në të cilën është e zhytur. Kjo pritje e krijimit na bind edhe neve për të pritur lindjen e Krishtit, Diellit të ri” (Fj. 61.a,1-3). Është, pra, vetë krijimi që na shtyn ta zbulojmë e ta pranojmë Atë që duhet të vijë.
Por pyesim, a e pret akoma Shëlbuesin njerëzimi i kohës sonë? Të krijohet përshtypja se Zoti është i huaj për interesat e disa njerëzve. Të duket se disa nuk kanë më nevojë për Të: jetojnë si të mos ishte e, edhe më keq akoma, e shikojnë si pengesë që duhet zhdukur në përpjekjen për të realizuar vetveten. Edhe ndërmjet besimtarëve ka të atillë që ia lejojnë vetes të tërhiqen nga ëndrra joshëse e të hutohen nga doktrina dredharake, që propozojnë rrugë të shkurtra për të arritur lumturinë. E pra, me gjithë kundërshtitë, me ankthet e dramat e veta, e ndoshta-ndoshta pikërisht për shkak të tyre, njerëzimi sot kërkon një Shëlbues dhe pret, nganjëherë edhe në mënyrë të pavetëdijshme, ardhjen e Krishtit, të vetmit Shpërblyes të njeriut. Profetë të rremë vijojnë të propozojnë shëlbimin që kushton lirë e që çon në zhgënjime përvëluese. Është detyrë e ne, të krishterëve, ta përhapim me dëshminë e jetës sonë, të vërtetën e Krishtlindjes, që Jezu Krishti ia sjell çdo burri e çdo gruaje vullnetmirë. Duke lindur në varfëri të plotë në një grazhd brenda një Shpelle të Betlehemit, Jezusi vjen t’u sjellë të gjithëve atë gëzim e atë paqe që mund ta mbushin plot shpirtin njerëzor në pritje.
Po si mund të përgatitemi për t’ia hapur zemrën Zotit që vjen? Karakteristikë themelore e sjelljes të të krishterit në këtë Kohë, kur presim Zotin, duhet të jetë vigjilenca dhe lutja. Kështu e pritën edhe protagonistët e ngjarjes së madhe: Zakaria e Elizabeta, barinjtë, Mbretërit Dijetarë dhe populli i thjeshtë e i përvujtë. E sidomos e pritën kështu Maria e Jozefi! Këtyre të fundit, më shumë se të tjerëve, iu dridh të parëve zemra në pritje të fëmijës që duhet të lindte. Nuk është e vështirë ta përfytyrojmë si i kaluan ditët e fundit, në pritje për ta shtrënguar ndër krahë Foshnjën e porsalindur. Ta presim edhe ne si ata, të dashur vëllezër e motra! Të dëgjojmë, me këtë rast, thirrjen e Shën Maksimit, ipeshkvit të Torinos, që e cituam edhe më sipër: “Ndërsa presim Lindjen e Zotit, të vishemi përsëri me rroba të pastra, pa asnjë njollë. Flas për veshjen e shpirtit, jo për atë të korpit. Të vishemi jo me rroba mëndafshi, por me vepra të shenjta! Veshjet madhështore mund të mbulojnë gjymtyrët, por nuk e zbukurojnë ndërgjegjen”. (ibid).
Duke lindur ndërmjet nesh, Krishti Fëmijë nuk duhet të na gjejë të çkujdesur ose të zënë thjeshtë me zbukurimin e me ndriçimin e shtëpive tona. Të kujdesemi më shumë për t’i ngritur në shpirtin tonë e në familjet tona një banesë të denjë, ku Ai ta ndjejë se e presim me fe e dashuri. Na ndihmofshin Virgjëra Mari e Shën Jozefi për ta jetuar misterin e Krishtlindjes me të njëjtën mahnitje që e jetuan ata, me gëzim e paqe. Me këto ndjenja dëshiroj t’u uroj të gjithëve përzemërsisht për shumë vjet Krishtlindjen! E kalofshi me shenjtëri, me gëzim e paqe, ju, familjarët tuaj e sidomos ata që vuajnë në trup e në shpirt. Gëzuar Krishtlindjen!
Benedikti XVI, audienca e përgjithshme para Krishtlindjes në Vatikan 20.12.2006 (Teksti i plotë i katekizmit)







All the contents on this site are copyrighted ©.