Udhës së Betlehemit: “Shpirti i Krishtlindjes së tashme”.
Po vijojmë rubrikën “Udhës së Betlehemit”.Të frymëzuar nga vepra e Dikensit, ”Kënga
e Krishlindjes” ju ftojmë sot në takimin me Shpirtin e Krishtlindjes së tashme.
Pas takimit
me Shpirtin e Krishtlindjes së fëmijërisë e të rinisë, burri rikthehet në krevatin
e tij me perde të mëndafshta, ku s’gjen dot paqe. Kthehet në Krishtlindjen e heshtur.
Të trishtuar. Pa prindër. Pa miq. Pa vallëzim. Pa buzëqeshje. Pa Shpellën e Betlehemit,
pa Krishtin. Pa, pa, pa…. Kthehet e bën çmos të zhytet në gjumë. E të harrojë gjithçka. Po
Shpirti i Krishtlindjes nuk e lë të qetë. I troket e i troket në portë. Është Shpirti
i Krishtlindjes së tashme, që i duket me pamjen e një vigani. E merr për dore dhe
e çon në familjen e një miku të fëmijërisë, që e ndërtoi jetën ndryshe. Që e çoi në
elter Vashën e valleve. Që nuk u tremb nga jeta. Ia hapi portat në dy kanata. E nga
ato porta të hapura, në shtëpinë gazmore, që kremton Krishlindjen, hynë shumë fëmijë.
Ata shtrëngohen rreth nënës e atit, si ai dikur, me motrat e vëllezërit, në Krishtlindjen
e largët të miturisë. Po shpejt Shpirti i Krishtlindjes së sotme e rikthen në
shtëpinë e tij të vjetër, ku nis të dëgjojë ca zhurma të çuditshme, shqetësuese. I
duket sikur përjashta krikëllijnë rrotat e karrocës të të vdekurve. Pastaj dëgjon
zhurmë zinxhirësh, që zvarisen mbi kalldrëmin e rrugës. Pastaj të gjitha zilet e orëve
trokasin përnjëherësh, sikur duan të tregojnë orën fatale, të fundit. Papritmas zhurmat
pushojnë frikshëm. Ashtu si nisën. Porta hapet e ai shikon një pamje të tmerrshme.
Fantazmën e ortakut, që e nxiti në rrugën e mbrapshtisë. Është i mbështjellë nga
koka në këmbë me çaçafin e mykur të vdekjes, prej nga dalin kockat e një dore, që
përpiqet ta çjerrë pëlhurën mortore, ta shikojë edhe njëherë mikun, t’i flasë. Por
kur bën të zbulojë fytyrën, njëra nga nofullat e kalbura shkëputet e i mbetet në skeletin
e dorës. Asaj dore, që diti të shfrytëzojë punën e tjetrit, që diti të intrigojë,
të grumbullojë e të e numërojë para, por s’diti kurrë të përkëdhelë, të dhurojë. Burri
plak tmerrohet. E pendohet në shpirt për egoizmin e vet, për jetën larg njerëzve,
që e donin, që kishte harruar t’i donte. Ndoshta, tepër vonë. Thua është dënuar të
ravgojë nëpër botë, pa mundur ta shikojë dritën e Zotit-Foshnje, dritën e Shpellës
së Betlehemit? Fantazma e mikut të vjetër është aty, për ta qortuar mikun e gjallë.
Sepse për të gjallin shpresa nuk shuhet. Deri në frymën e fundit. Shpirti i Krishtlindjes
vjen çdo vit pikërisht për të gjallët. I fton të ndërrojnë rrugë. Po në se do të vijojnë
të ecin në rrugën e vdekjes, për ta s’do të ketë as ringjallje. Shpirti i Krishtlindjes
së sotme vjen pikërisht për të paralajmëruar ardhjen e një vizite të re. Asaj të Shpirtit
të Krishlindjes së ardhshme.