2011-12-21 14:00:39

Keqësohet gjendja e Asia Bibit, e cila u kërkon të krishterëve të luten për të


Asia Bibi, gruaja e krishterë, dënuar padrejtësisht për blasfemi në Pakistan, në burg që nga 9 qershori i vitit 2010, rrezikon të çmendet. Gjendja e saj psikofizike është keqësuar dhe kërkon ndërhyrje të shpejtë mjekësore. Kështu pohon për agjensinë kishtare Fides, Harun Barkat Masih, drejtori i “Masihi Foundation”, që mbron të drejtat e të krishterëve në vendin mysliman e që kujdeset edhe për nevojat materiale e ligjore të gruas 46-vjeçare.
Deklarata është pjesë e një relacioni, shkruar pas vizitës së një delegacioni të Fondacionit në burg, ku Asia Bibi pret procesin e Apelit. Në relacion sqarohet se izolimi i gjatë i ka shkaktuar plakje të parakohshme gruas së krishterë, e cila ishte e zbehtë, nuk kuptonte ç’po ndodhte, ishte konfuze e nuk arrinte të shprehte mendime të qarta. Për të mos folur për kushtet higjienike: Asia Bibi nuk lahet që prej dy muajsh e dukej edhe e frikësuar nga uji. Në çastet e pakta, kur kuptonte, përsëriti se dëshiron vetëm të kthehet pranë familjes, se i ka falur ata që e akuzojnë për blasfemi dhe se u kërkon të gjithë të krishterëve të luten për të. Autoritetet pakistaneze kanë premtuar të mobilizohen për të përmirësuar së paku, kushtet e saj në burg. Gjendja e Asia Bibit është e ngjashme me atë të shumë të krishterëve pakistanezë, krejtësisht të harruar nga autoritetet.







All the contents on this site are copyrighted ©.