2011-12-21 15:54:07

Kalendari i kremtimeve liturgjike festive, që do të kryesohen nga Papa.


Kremtimet tradicionale në Vatikan, karakteristike për këtë kohë, kanë nisur tashmë me takimin e parë, në zemër të Romës: vizitën e 8 dhjetorit, në Sheshin e Spanjës, ku Papa shkoi për të nderuar Zojën e Papërlyer. Pasuar edhe nga takime të tjera.
Iu afruam, kështu, Natës të Lindjes së Krishtit:
Natën e Krishtlindjes, në orën 22.00, Papa do të kremtojë Meshën e Mesnatës në Bazilikën e Shën Pjetrit.
Të nesërmen, nga Lozha qëndrore e Bazilikës së Vatikanit, në orën 12.00, bekimi ‘Urbi et Orbi’ – ‘Romës e Botës’, transmetuar nga mondovizioni.
2011-ta do të përfundojë më 31 dhjetor në Bazilikën e Vatikanit. Papa do të kryesojë Lutjet e para Mbrëmësore të Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Mari, Nënës së Zotit dhe ‘Te Deum’, lutjen e falënderimit drejtuar Hyjit në fund të vitit civil.
Më 1 janar 2012, duke nisur nga ora 09.30, Benedikti XVI do të kryesojë Meshën Shenjte të Solemnitetit të të Shenjtnueshmes Nënës së Zotit, po në Bazilikën e Shën Pjetrit, prej nga do të përhapet në mbarë botën mesazhi papnor për Ditën e 45-të Botërore të Paqes 2012. Është një ditë, ndikimi i së cilës, sipas dëshirës së Papës, duhet të zgjasë tërë vitin, e prandaj Ati i Shenjtë i fton të gjithë ta lexojnë mesazhin e të thellohen në kuptimin e fjalëve, që përbëjnë titullin e tij: “Të edukohen të rinjtë me frymën e drejtësisë e të paqes”.
Të marten, më 6 janar, solemniteti i Dëftimit të Zotit, Papa do të kryesojë Meshën në Shën Pjetër, duke nisur nga ora 09.30. Gjatë kremtimit, do të shugurojë dy ipeshkvij: Nuncin Apostolik të Irlandës, imzot Çarl Xhon Braun dhe atë të Gjeorgjisë dhe Armenisë, Marek Solzhinski.
8 janar, festa e Pagëzimit të Zotit, duke respektuar traditën e papnisë së tij e të Papës Vojtila, Benedikti XVI do t’ i japë sakramentin e Pagëzimit një grupi fëmijësh, gjatë Meshës së paradites, në Kapelën Sikstine. Pagëzimet, në kapelën mahnitëse, afreskuar nga Mekelanxhelo, do të jenë kremtimi i parafundit i Kohës së Krishtlindjes.
Takimi i fundit, të mërkurën, më 25 janar, në orën 17.30, në solemnitetin e Kthimit të Shën Palit. Benedikti XVI do të përfundojë Javën e Lutjes për bashkimin e të krishterëve, duke kryesuar Lutjet Mbrëmësore në Bazilikën romake të Apostullit të Popujve jashtë Mureve.







All the contents on this site are copyrighted ©.