2011-12-20 15:32:47

Botohet romani i parë i letërsisë shqipe “Sofia e Kominĭatëve” i F. Santorit


Në kuadër të bashkëpunimit shkencor dhe didaktik ndërmjet Universitetit të Napolit “L’Orientale” dhe Qendrës Ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike doli botimi kritik i romanit në arbërisht Sofia e Kominĭatëve.
Romani është shkruar në vitet ’70 të shek. XIX nga Francesco Antonio Santori (1819-1894), nga Picilia (S. Caterina Albanese, CS), dhe si shumë nga veprat e tij kishte ngelur i pabotuar deri më sot.
Të gjithë studiuesit e letërsisë shqipe, për vetë rëndësinë që ka kjo vepër, e kanë pritur botimin e tij. Këtë dëshirë e ka përmbushur sot Dr. Merita Sauku-Bruci, e Institutit të Gjuhësisë dhe Letërsisë dhe për disa vite edhe kërkuese pranë Departamentit të Studimeve të Europës Lindore të Universitetit të Napolit “L’Orientale” duke nxjerrë nga shtypi l’editio princeps.
Botimi i kësaj vepre plotëson kështu një zbrazëti në historinë e prozës dhe të gjithë letërsisë shqipe dhe do të ndikojë për një lexim ndryshe të letërsisë shqipe të shek XIX.
    Botimi kritik i romanit Sofia e Kominĭatëve është bërë nga dorëshkrimet e Santorit, që ruhen në Bibliotekën Qytetëse të Kozencës, ndërmjet të cilëve filologia Sauku-Bruci ka gjetur, ndër të tjera, edhe një studim të vetë Santorit mbi alfabetin e romanit. Ky i fundit, që botohet edhe ai për herë të parë, shërben si një orientim i mirë për transkriptimin e saktë të tekstit në fjalë.

Ky vëllim i parë na paraqet tekstin në arbërisht të romanit Sofia e Kominĭatëve, i transkriptuar në alfabetin e sotëm të shqipes, me të gjitha saktësimet që kërkon respektimi me besnikëri i të gjitha veçantive gjuhësore të Autorit siç e kërkon një botim kritik.
Kuratorja e këtij botimi ka treguar kujdesin më të madh për t’u ofruar lexuesve tekstin e romanit në tërë vërtetësinë e tij, pa tradhëtuar aspak vullnetin e Autorit. Teksti është pajisur dhe me aparatin kritik ku janë paraqitur variantet e Autorit dhe ndërhyrjet e kuratores, me një dokumentim skrupuloz e me zellin për të qenë sa më transparente, duke ofruar kështu të gjithë materialin e nevojshëm për interpretime të tjera alternative.
Zbatohet me përpikmëri parimi i filologut klasik Pasquale Baffi nga Shën Sofia (S. Sofia d’Epiro, 1749-1799) mbi “përkohshmërinë e rezultateve të arritura”, një kriter i njohur për shkencën filologjike europiane.
Tekstit të romanit i paraprin një trajtim i zgjeruar i të gjithë problemeve që lidhen me dorëshkrimin dhe kriteret e përdorura gjatë transkriptimit (prolegomenat). Filologia Sauku-Bruci ka paraqitur historikun e dorëshkrimeve, duke u ndalur gjatë në përshkrimin e hollësishëm të autografeve si në arbërisht ashtu edhe në italisht; ka paraqitur evolucionin e sistemit alfabetik santorian, variantet e alfabeteve të përdorura nga Autori në hartimin e veprave të tij, veçanërisht alfabetin e zgjedhur për hartimin e këtij romani, për këtë të fundit Santori ka shkruar edhe një paraqitje të zgjeruar që shërben si një çelës leximi me shumë rëndësi.
Kuratorja i ka kushtuar shumë kujdes paraqitjes së kritereve të botimit duke argumentuar interpretimet e saj, sidomos në rastet kur ka pasur të bëjë me probleme të vështira për t’u zgjidhur.
Prolegomenat mbyllen me një paraqitje të përmbajtjes së romanit, ku argumentohet zgjedhja e titullit të romanit Sofia e Kominĭatëve, ashtu siç haset e mund të lexohet edhe në faksimilen e paraqitur në kopertinën e pasme të librit – romani na ka mbrritur pa faqet e para të tij – dhe Sofia Cominiate për tekstin në gjuhën italiane, ashtu siç e ka dashur Autori vetë. Kujtojmë që vëllimi i dytë, që përmban tekstin e romanit në gjuhën italiane dhe konkordancat e leksikut në arbërishte do të dalë së shpejti nga shtypi.
    Ngjarjet e romanit zhvillohen kryesisht në Pallatin e Baronit Batixhera, në Rosano të Kalabrisë, ku mbrrin, pas mbytjes së anijes Sofia, një vashë e re shqiptare. Në gjysmën e parë të shek.XIX, vazhdonte të mbijetonte në Itali zakoni që të pasurve t’u dërgoheshin vajza të reja. Dhe Sofia, e nisur të vej nuse tek princi shqiptar Ajdin, pas fatkeqësisë së mbytjes së anijes, do t’u dorëzohet fillimisht cubave e më pas Baronit. Përfundim tragjik: në të njëjtin pallat të Baronit do të mbrrijë edhe i fejuari i saj Ajdini, i plagosur nga piratët dhe gati pa jetë. Aty do të gjejë Sofien që lëngonte e sëmurë. Të dy të pafat do të shuhen në krahët e njeri-tjetrit, zemërthyer e të dëshpëruar. Romani ngelet i hapur: së bashku me Sofien ka mbrritur edhe Janji, vëllai i vogël i Sofies, që bëhet dëshmitar i të gjithë vuajtjeve të së motrës e të kunatit. Megjithëse ai mbetet në pallat nën kujdesin e Baronit dhe familiarëve të tij, zemra e tij dylufton ndërmjet dëshirës për të marrë hak dhe gjendjes ku ndodhet.

Mjaft të gjalla janë përshkrimet e ambienteve ku zhvillohen ngjarjet: Pallati luksoz i Rosanos, ballot, shfaqjet teatrore, koncertet, ceremonitë, zakonet, pasuria dhe stolisjet e shumta. Shumë e pasur edhe galeria e personazheve: nga princat tek cubat, nga kapitenët e policisë të korruptuar tek kontrabandistët, nga artistët tek profesorët e Kolegjit të Shën Adrianit në Shën Mitër Korone.
Autori di të verë në dukje stilet e jetesës, mentalitetin, doket, rolet dhe sjelljet e personazheve të ambientit kalabrez e arbëresh gjatë gjysmës së parë të shek. XIX, me referime interesante ndaj kulturës popullore të arbëreshëve të kohës kur shkroi e jetoi, me traditën e valljeve e ruzalleve, në një kontekst kalabrez më të gjerë që po kërkon të shkëputet nga feudalizmi i së shkuarës.
3. Gjuha e romanit Sofia e Kominĭatëve dallohet për një larmi frazash të ndërthurura mirë për të argumentuar më së miri kompleksitetin e rrëfimit; paraqitet edhe me një leksik të pasur, i cili i përket, në masën më të madhe, pasurisë leksikore që ishte ruajtur e gjallë në të folmet e ndryshme të komuniteteve arbëreshe, me gjasë edhe me terma të huazuara nga vepra Cuneus Prophetarum e Pjetër Bogdanit; vetë Santori e përmend si një burim nga ku ka marrë shumë terma. Ajo që dallon format fono-morfologjike të romanit është varieteti. Në bazë mbetet e folmja e komunitetit të tij, e zgjeruar fillimisht me të folmet fqinje, dhe më pas me ato më të largëta me fenomene gjithnjë e më të ndryshme.
4. Vëllimi paraprihet nga një studim i Prof. Italo Costante Fortino, i Universitetit “L’Orientale” të Napolit, mbi letërsinë arbëreshe të shek. XIX, që synon të evidentojë si vlerat estetike, ashtu dhe ato kulturore e politike të pakicave arbëreshe, që po ndërgjegjësoheshin për rolin që po luanin në gjirin e komunitetit kombëtar italian, por edhe në lidhje me Shqipërinë, e cila gjëndej nën sundimin osman prej katër shekujsh.
Si përmbledhje vepra e Santorit paraqitet plot risi në gjirin e vetë letërsisë arbëreshe të shek XIX me një qasje realiste kur trajton aspekte të realitetit shoqëror kalabrez e arbëresh si para ashtu edhe pas bashkimit të Italisë.







All the contents on this site are copyrighted ©.