2011-12-19 16:54:25

Republika e Çekisë, vdiq ish presidenti Vaclav Havel


Vdiq në moshën 75 vjeç, Vaclav Havel, presidenti i fundit i Çekosllovakisë së bashkuar e kreu i parë i Shtetit të Republikës së Çekisë pas rënies së diktaturës së regjimi komunist më 1989. Shkrimtari disident, disa herë i burgosur, themelues i firmatar i “Kartës 77”, ka qenë udhëheqësi politik i Revolucionit të kadifenjtë që solli deri në rënien e diktaturës komuniste.
Muajt e fundit Havel i kaloi në shtrat i rënduar nga problemet e vjetra të frymëmarrjes. Pirja e duhanit për kohë të gjatë, puna e detyruar për disa vjet si i dënuar politik, emocionet dhe frikërat që përjetoi në aventura ku e hodhën fati dhe historia, – siç thoshte ai, – i rezervuan një vend e rol të veçantë në historinë e Vendlindjes. Havel vdiq në shtëpinë e vet i rrethuar nga e shoqja Dagmar dhe një nga murgeshat katolike që kujdeseshin për të muajt e fundit.
Vaclav Haveli sot kujtohet si frymëzues e protagonist i rizgjimit demokratik të ndërgjegjes së popullit në udhën e lirisë, pajtimit e bashkimit. Kujtohet për angazhimin e tij qytetar e politik në një periudhë kulmore si lider i atij revolucioni që çoi në shkëputjen e Çekosllovakisë nga diktatura komuniste nëntorin e vitit 1989; si presidenti i parë jokomunist, i ardhur natyrshëm në pushtet në krye të Çekosllovakisë deri më 1992. Nga 1993-2003 si president e drejtoi Republikën Çeke, pas komunizmit.
Trupi i pajetë i Vaclav Havel është ekspozuar sot në Kishën e Shën Lorencit në qendër të Pragës. Publiku mund t’i shpreh nderimet ish presidentit çekë deri të martën në mbrëmje. Të mërkurën kufoma do të ekspozohet në sallën Vladisao në Kështjellën e Pragës. Trupi i pajetë është bartur në Pragë nga shtëpia e familjes Havle në Hradecek në rajonin Trutnov në veri të Republikës çeke. Ceremonia e varrimit parashikohet të mbahet të premten më 23 dhjetor.







All the contents on this site are copyrighted ©.