2011-12-19 17:31:05

Papa Veprimit Katolik të të Rinjve: miqësia me Jezusin nuk do t’ju zhgënjejë kurrë!


Gëzimi, që buron nga miqësia me Zotin, ishte në qendër të vëmendjes në audiencën e sotme të Benediktit XVI me një delegacion të Veprimit Katolik të të Rinjve Italianë, që u prit në Vatikan për urimet e Krishtlindjes. Papa i ftoi të rinjtë e shoqatës katolike t’i nxisin edhe shokët e tyre të njihen me bukurinë e Ungjillit dhe i inkurajoi të impenjohen bujarisht në ndihmë të atyre, që kanë më pak fat në jetë.

Të jeni gjithnjë gati për t’iu përgjigjur thirrjes së Jezusit: Benedikti XVI e mori shtytjen nga tema e sivjetme e Veprimit Katolik: “Çohu, po të thërret!”, për t’u ofruar të rinjve të shoqatës, një reflektim kushtuar bukurisë së Zotit dhe miqësisë me Të. Thirrja për t’u çuar në këmbë, që Jezusi i bën Bartimeut, tha Papa, na kujton thirrjen që prindërit u bëjnë çdo mëngjes fëmijëve, që të çohen e të nisen për në shkollë. Nganjëherë, shtoi Ati i Shenjtë, nuk është e lehtë t’i përgjigjesh një thirrjeje të tillë:
“Unë ju ftoj që jo vetëm të jeni gati, por të shikoni edhe se brenda kësaj fjale, që përsëritet ditë për ditë, është thirrja e dikujt që ju do, është thirrja e Hyjit për të jetuar, për të qenë të krishterë, për të filluar një ditë të re, dhanti e madhe e Tij, për të takuar miqtë e shumtë, për të mësuar, për të bërë mirë e edhe për t’i thënë Jezusit: të falënderoj me gjithë zemër për gjithçka, që më jep”.
Në mëngjes, kur ngriheni nga krevati, shtoi Papa, kujtojeni me një lutje edhe Mikun e Madh, Jezusin. Shpresoj se e bëni këtë çdo ditë. I ftoi, kështu, të rinjtë, ta vlerësojnë dhuratën më të madhe, atë të jetës, e t’i kërkojnë Zotit t’i japë një jetë plot me gëzim çdo të riu a të reje në mbarë botën. T’i luten, që të respektohen të gjithë e të mos i mungojë askujt gjithçka është e nevojshme për jetesë. Foli, pastaj, për miqësinë me Jezusin, i cili i shoqëron të rinjtë gjatë gjithë rrugës së jetës:
Të dashur të rinj e të reja të Veprimit Katolik Italian, përgjigjjuni bujarisht Zotit, që kërkon miqësinë tuaj. Nuk do t’ju zhgënjejë kurrë. Ndoshta do t’ju thërrasë t’ia dhuroni vetveten shokut a shoqes, për të formuar së bashku një familje, por ndoshta mund t’ju thërrasë për t’ia dhuruar gjithë jetën Atij vetë e të tjerëve, si meshtarë, rregulltare, misionarë e misionare”.
Papa u dha zemër të rinjve të impenjohen në ndihmë të bashkëmoshtarëve më nevojtarë:
Të jeni gjithnjë të ndjeshëm ndaj atij, që ka nevojë për ndihmë; ndiqni shembullin e Jezusit, i cili nuk e linte askënd vetëm për vetëm me problemet e tij, por i rrinte gjithnjë pranë, ndante me të të mira e të vështira, e mbështeste, i jepte forcën e paqen e Hyjit”.
Prej këndej, i nxiti të rinjtë e VKRI t’u çojnë bashkëmoshtarëve ftesën e Zotit për t’u bërë miqtë e Tij, t’u tregojnë bukurinë e lutjes e të dëgjimit të Ungjillit. Në përfundim, një urim i veçantë për Krishtlindjen, tashmë fare pranë:
Krishtlindja, që ju uroj, është kjo: kur të bëni Shpellën e Betlehemit, mendoni se po i thoni Jezusit: eja në jetën time e unë do të të dëgjoj gjithnjë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.