2011-12-19 16:54:08

Papa nënshkruan dekretet për shenjtorët e të lumët e rinj


Do të shpallet shenjte së shpejti “lëkurëkuqja” e parë e Amerikës. Katerina Tekakuitha është njëra nga katër shenjtoret, të cilave Papa ua nënshkroi dekretin, që njeh të paktën një mrekulli. Së bashku me to, do të shpallen edhe tre shenjtorë të rinj, pesë të Lumë e një grup i madh martirësh do të lartohen në nderimet e elterit, ndërsa shtatë Shërbëtorëve e Shërbëtoreve të Zotit u janë njohur virtytet heroike.
Bijë e një çifti të përzier në epokën e parë të kolonializmit perëndimor në Amerikën Veriore. Emri i së Lumes Katerina Tekakuitha – lindur më 1656 në Aurisvilin e sotëm amerikan e ndarë nga jeta në Kanada, në moshën 24 vjeçare – spikat në listën e gjatë të shenjtorëve, të lumëve e martirëve të rinj, që Benedikti XVI ia propozon Kishës për nderim. Babai i saj ishte indian lëkurëkuq, ndërsa e ëma, e krishterë kanadeze.
I së njëjtës kohë, por nga ana tjetër e oqeanit, i Lumi Pjetër Kalungsod, nga Filipinet, i cili vdiq martir në moshën 18 vjeçare në Arqipelagun e Marianave. Laikja tjetër, shenjte e ardhshme, është e lumja Ana Shefer, e cila jetoi dy shekuj më vonë, ndërmjet fundit të viteve ‘800 dhe tri dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit XX.
Mrekullitë e tjera, që Kisha Katolike i njohu sot, me firmën e Atit të Shenjtë, kanë të bëjnë me të Lumin Gjon Baptist Piamarta, meshtar breshian e themelues i Kongregatës së Familjes Shenjte të Nazaretit dhe të Kongregatës së Motrave Shërbëtore të Përvuajtura të Zotit. Ai ka jetuar ndërmjet 1841-shit dhe 1913-ës. Në listë edhe një meshtar tjetër martir francez, Gjakomo Berthië, i Shoqërisë së Jezusit, vrarë në Madagaskar më 1896.
Gjithashtu, do të shpallen shenjte së shpejti edhe dy rregulltare: spanjollja Maria e Malit Karmel, themeluese e Motrave të Zojës së Papërlyer, Misionare të Mësimdhënies, që u nda nga kjo jetë në vitin 1911 dhe, motra gjermane Mariana (në shekull Barbara Kope), murgeshë e Kongregatës së Motrave të Urdhërit të Tretë të Shën Françeskut të Syracuse, e njohur si “Nënë Mariana e Molokait”, nga emri i lebrozarit, ku iu përkushtua të sëmurëve e ku humbi edhe jetën më 1918.
Në dekretet e nënshkruara nga Papa, emrat e pesë të Lumëve të rinj. Italiani, don Luigji Novareze ka qenë apostull i të sëmurëve, themelues i Bashkimit të Përshpirtshëm të Punëtorëve të Heshtur të Kryqit. Vite me radhë ka qenë punonjës i Sekretarisë së Shtetit të Vatikanit, për t’u ndarë nga kjo jetë më 1984. Së bashku me të, don Luigji Breson, benedektinja Maria Luiza (Xhertrude Prosperi), Nëna e Shën Luigjit, themeluese e Motrave të Bamirësisë me të njëjtin emër dhe, rregulltarja argjentinase Maria Kreshencia.
Ndër martirët, meshtari italian Nikola Ruska, vrarë në vitin 1618 në Zvicër e një shumë spanjollë, rënë gjatë Luftës Civile. Njëri prej grupeve përbëhet nga Luigji Orencio me 18 shokë, të Institutit të Vëllezërve të Shkollave të Krishtera, nga meshtari dioqezan Antonio Mateo Salamero dhe nga laiku Jozef Gorostazu Labajen. Grupi tjetër ka të bëjë me martirizmin e Alberto Maria Marko i Alemàn dhe 8 shokëve të Urdhërit të Karmelitanëve të Lashtë, dhe me atë të Agostino Maria Garsia Tribaldos dhe 15 shokëve, të Institutit të Vëllezërve të Shkollave të Krishtera. Në grupin e tretë përfshihen Mariano Alkalà Pérez dhe 18 shokët e Urdhërit të Zojës së Merçedes.
Së fundi, dekretet papnore njohin virtytet heroike të dy Shërbëtorëve të Zotit – italianit don Donato Xhanoti dhe francezit Maria Eugjenio i Krishtit Fëmijë – si edhe të pesë Shërbëtoreve të Zotit: francezes Alfonsa Maria (Elizabeta Epinzhé), themeluese e Kongregatës së Motrave të të Shenjtnueshmit Shëlbues, polakes Margerita Luçia Sheëçyk, themeluese e Kongregatës së Bijave të Zojës së Dhimbshme, që njihen si “serafiket”, italianes Asunta Marketi, bashkëthemeluese e Motrave Misionare të Shën Karlit, gjermanes Maria Julita (Tereza Eleonora Ritz), murgeshë e Kongregatës së Motrave të Shëlbuesit dhe laikes italiane, Maria Ana Amiko Roxas, themeluese e Shoqërisë së Shën Ursulës.







All the contents on this site are copyrighted ©.