2011-12-19 11:32:36

Papa Benedikti XVI viziton burgun romak Rebibia. Komenti i atë Federiko Lombardit


Ati i Shenjtë viziton nesër burgun romak të Rebibias, ku në orën 10.00, në kishën “Ati ynë”, Benedikti XVI do të takohet me të burgosurit dhe do t’u përgjigjet pyetjeve të tyre. Në përfundim të takimit, Papa do të bekojë një pemë, e cila më pas do të mbillet në kujtim të vizitës baritore. Ati i Shenjtë do të kthehet në Vatikan, ku në orën 12.00, si zakonisht, do të thotë lutjen e Engjëllit të Tënzot, së bashku me besimtarët e mbledhur në sheshin e Shën Pjetrit. Vizitës së Papës në burg i kushtohet komenti i sotëm javor i zëdhënësit të Vatikanit, atë Federiko Lombardi. Ta dëgjojmë:
“Është vënë në dukje se burgu është “pasqyra e përmbysur e një shoqërie, hapësira ku dalin në pah kontradiktat dhe vuajtjet e një shoqërie të sëmurë”(Kard. Martini): mundimet e të burgosurve dhe të familjarëve të tyre, vuajtjet e viktimave dhe të të afërmve, problemet e punonjësve, që shërbejnë në burg, vështirësitë e autoriteteve dhe dyshimet e legjislatorëve, të cilët shohin se pjesa më e madhe e problemeve, që burgu duhet t’i zgjidhë, mbeten të pazgjidhura, madje edhe rëndohen. Pra, është e vërtetë se kushtet e burgimit janë tregues themelorë për nivelin e qytetërimit të një vendi.
Është e natyrshme që Kisha ta dijë se duhet të jetë e pranishme në burg e se edhe Papët – duke filluar nga vizita historike e Gjonit XXIII në burgun “Regina Caeli”, më 26 dhjetor 1958 – trokasin në portën e burgut, për “të vizituar të burgosurit”, për të ndenjur pak me ta e me ata, që bashkëndajnë këtë fat, për t’i dëgjuar e për t’u thënë një fjalë ngushëlluese. Nuk është e rastit që kjo ndodh për Krishtlindje, kur kemi më tepër nevojë për gjeste të fuqishme solidariteti e dashurie.
Shqetësimi për krizën ekonomike nuk duhet të jetë preteksti për të harruar gjendjen e të mënjanuarve të shoqërisë, ose për t’u sjellë më egërsisht me ata, që kanë gabuar: një shoqëri e drejtë dhe e barabartë ndërtohet pikërisht duke u nisur nga të fundmit e duke u përpjekur për shërimin e plagëve më të thella. Të mendojmë për kushtet e të burgosurve në anë të ndryshme të botës. Në përfundim të Sinodit për Afrikën, Papa kujtoi kushtet e tmerrshme të shumë burgjeve afrikane dhe theksoi impenjimin kundër dënimit me vdekje. Me rastin e Jubileut të vitit 2000, Gjon Pali II pati kërkuar pa shumë zhurmë, por qartë e me këmbëngulje, “një gjest faljeje” në favor të të burgosurve. A u bë ky gjest, apo po e presim akoma? Papa na fton të gjithëve të shkojmë shpirtërisht në burg”.







All the contents on this site are copyrighted ©.