Historiku e domethënia e Bredhit të Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan
Tradita e vendosjes së Bredhit apo Pemës vigane të Krishtlindjes, në të djathtën
e Shpellës së Betlehemit në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, nisi me Papën Pali
VI, vijoi me Gjon Palin II e vijon edhe ende sot me Benediktin XVI. Në Krishtlindjen
1982 Bredhi erdhi në Sheshin e Shën Pjetrit nga krahina italiane Koli Albani. Më 1983
pema madhështore ishte dhuratë e zonës federale të Insbrukut (Tirol-Austri). Bredhi
madhështor i Jubileut të madh të Vitit 2000 ishte përsëri austriak: vinte nga Karincia. Duke
nisur nga viti 1982, bredhi ka ardhur nga vise të ndryshme malore të Vendeve të ndryshme
si Austria, Gjermania, Polonia, Republika Çeke, Kroacia , Sllovenia, Republika Sllovake,
Ukraina e vende tjera. Edhe sivjet Bredhi, i lartë ka ardhur në Sheshin madhështor
të Shën Pjetrit në Vatikan dhe i lartuar, si çdo vit, pranë Obeliskut, stolisur për
festë me zbukurime vezulluese e drita për të na kujtuar festën e Ardhjes së Zotit
ndër ne, u përurua më ditë më parë me një shfaqje muzikore. E në sa e sodisim Bredhin
apo Pemën madhështore të Krishtlindjes në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan, nuk
mund të mos kujtojmë reflektimin e Gjon Palit II për simbolikën e këtij simboli. Shkruan
Papa Vojtila: “Ndërsa pak ditë më parë shikoja nga dritarja e studios sime Sheshin
e Shën Pjetrit në Vatikan, ndjeva se po më lartohej shpirti. I kam dashur drurët që
kur isha në vendin tim. Kur i shikon, ata në një farë mënyre nisin e flasin. Një poet
i konsideron drurët si predikatarë të një mesazhi të thellë: “Ata nuk predikojnë doktrina
e receta, por kumtojnë ligjin themelor të jetës. Në lulëzimin e pranverës, në pjekurinë
e verës, në frytet e vjeshtës e në të vdekurit e dimrit, druri rrëfen misterin e jetës.
Prandaj njerëzit, që nga kohët e lashta, e kanë marrë simbolin e drurit për të reflektuar
mbi çështjen themelore të jetës. Ashtu si drurët, edhe njerëzit, kanë nevojë për
rrënjë që zgjaten thellë. Vetëm kush rrënjoset në tokën pjellore, bëhet i qëndrueshëm.
Mund të hedhë shtat drejt lartësive për të thithur dritën e diellit e mundet, njëkohësisht,
t’u bëjë ballë stuhive që tërbohen për rreth. Por kush beson se mund të jetojë pa
rrënjë, kalon një jetë të turbullt që i ngjet rrënjëve pa tokë. Shkrimi Shenjt
na tregon tokën pjellore, ku mund ta rrënjosim jetën tonë! Bredhi më shtyn të mendoj
edhe për diçka tjetër. Për shtëpitë e banesat tona, në të cilat, sipas një zakoni
të mirë, vendoset Bredhi i Krishtlindjes, pranë e pranë Shpellës së Betlehemit. Para
kësaj pamjeje, a mund të mos mendojmë për parajsën, për drurin e jetës, por edhe për
pemën e njohjes të së mirës e të së keqes ? Me lindjen e Birit të Hyjit filloi
krijimi i ri. I pari, Adami, duke dashur të bëhet si Zoti, hëngri nga pema e dijes.
Jezu Krishti, Adami i Ri, ndonëse me natyrë Hyjnore, nuk mendoi ta shfaqte ngjashmërinë
e tij me Hyjin, por parapëlqeu ta mohonte vetveten, duke marrë natyrën e skllavit
e duke u bërë i ngjashëm me njerëzit, nga lindja - deri në vdekje, nga grazhdi - deri
në kryq. Nga druri i parajsës erdhi vdekja, nga druri i kryqit rilindi jeta. Kështu
druri i përket Shpellës së Betlehemit, sepse na kujton Kryqin, pemën e jetës”.Bredhi,
që i dhurohet çdo vit Papës, stoliset me xhingla të arta e të argjendta, e, sidomos,
me drita, që krijojnë në Sheshin e Shën Pjetrit në Vatikan një atmosferë plot gjallëri,
duke përhapur kudo mesazhin e Krishtlindjes: mesazhin e dritës, të paqes e të shpresës.