2011-12-17 11:20:37

Shenjtorët e javës që vjen, 18-25 dhjetor


Më 18 dhjetor, Kisha kremton të dielën e 4-të të kohës liturgjike të Ardhjes, e po më 18 dhjetor bie edhe përkujtimi i festës së shën Malakisë profet e të shën Gacianit ipeshkëv i Tur. Liturgjia e ditës na fton të kundrojmë Engjëllin e Tënzot i cili nuk ia kumton lindjen e Mesisë vetëm Marisë, por edhe Jozefit, duke e ftuar të mos kishte frikë, por t’i besonte plotësisht planeve misterioze të Hyjit. Mesia, i paralajmëruar nga profetët, vjen për ta shpëtuar popullin prej mëkatesh. Por për ta bërë këtë, Hyji shërbehet nga të drejtët, nga ata që e dëgjojnë fjalën e tij.

Të hënën më 19 dhjetor kalendari përkujton Shën Urbanin V papë e Shën Anastasin papë. Pritja e Zotit, ashtu si ardhja e tij, janë çështje feje, e në se ne kemi fe, Hyji, me dhuratën e shërimit, do të na bëjë jo vetëm të ecim, por edhe të vrapojmë; jo vetëm të flasim, por edhe të bërtasim, kur është nevoja.

Të martën më 20 dhjetor kalendari përkujton Shën Liberatin e Shën Filogonin. Liturgjia na kujton se për ta njohur me të vërtetë Hyjin Atë nuk mjafton të studiosh filozofinë ose teologjinë: rëndësi ka të kundrosh Foshnjën Hyjnore të lindur nga Virgjëra Nënë.

Të mërkurën më 21 dhjetor kalendai përkujton Shën Mikenë Profet e të Shën Pjetër Kanizin, jezuit e doktor i Kishës. Liturgjia na kujton se Maria e Elizabeta janë ikona e çdo të krishteri, që ndjek Zotin përplot me Shpirtin Shenjt e që prandaj ecën me gëzim e optimizëm edhe ndër shtigje të thepisura.

Të enjten më 22 dhjetor përkujtohet Shën Françeska Kabrini, virgjër, themeluese e Misionareve të Zemrës së Krishtit, që na nxit ta lavdërojmë Hyjin për dhuratën e Krishtit që po vjen e ta lëshojmë plotësisht vetveten në dorë të Zotit, me besimin se mëshira e tij shtrihet mbi të gjithë ata që i druhen.

Të premten më 23 dhjetor përkujtohet Shën Gjoni i Ketit, meshtar, që na kujton thirrjen e psalmistit: ‘Ta ngrejmë lart kokën, shpëtimi ynë është afër!’.

Të shtunën që vjen më 24 dhjetor bie Nata e Shenjtë e Krishtlindjes. Kalendari kishtar përkujton edhe shën Tarsilën, virgjër romake e shën Irmën, abatesh.
Të dielën e ardhshme më 25 dhjetor Kisha katolike kremton solemnitetin e Lindjes së Jezu Krishtit. Festa e Krishtlindjes na kujton edhe njëherë dashurinë e pakufishme të Emanuelit, Zotit me ne. Hyji mishërohet për shpëtimin tonë njerëzor.







All the contents on this site are copyrighted ©.