Më 17 dhjetor kalendari kujton shën Danielin, profet
Danieli, i fundmi i profetëve që njihen si ‘të mëdhenj’, mendohet të ketë lindur në
Jerusalem në një familje fisnike hebreje, ndoshta në farefisni me mbretërit e Judës.
U internua në Babiloni ndërmjet viteve 606-605 para Krishtit. Këtu, së bashku me tre
djelmosha të tjerë, të tre fisnikë judenj: Anania, Azaria e Misaeli, u zgjodh për
të shërbyer në oborrin e mbretit, ku gëzoi poste të larta zyrtare. Falë mençurisë
e drejtësisë së tij e bëri për vete mbretin aq, sa u emërua Princ i Babilonisë e prefekt
mbi gjithë të urtit e mbretërisë. Gjykimi i parë i drejtë i tij, ishte ai që i
bëri Suzanës përballë tre pleqve imoralë, të cilët donin ta dënonin, sepse nuk u ishte
nënshtruar dëshirave të tyre të fëlliqta. Vjen, pastaj, dënimi, së bashku me tre
shokët, pas padisë së babilonezëve se nuk pranonte të adhuronte shtatoren e mbretit.
Flakja në furrën e ndezur. E shpëtimi i mrekullueshëm nga engjëjt. Shpella e luanëve,
pastaj, prej nga del fare i pacenuar. E shpjegimi i fjalëve enigmatike “Mane’ Thekel,
Phares”, gjatë një gostie të zëvendës-mbretit, në të cilën dhunoheshin enët e Tempullit
të Jeruzalemit, orgji që e ndaloi vetë dora e Zotit me shkrimin e zjarrtë të shenjave
të pakuptueshme në murin e sallës, ku talleshin gostiarët. Danieli i lexoi dhe i shpjegoi.
Paralajmëronin fundin e Baltazarit e të mbretërisë së tij, vendim që u zbatua po atë
natë, me fitoren e perandorisë persiane mbi atë babiloneze (538). U dallua në gjirin
e oborrit edhe si njeri, që dinte të shpjegonte ëndrrat, e si gjykatës i drejtë. Gjatë
jetës, pati një mori vegimesh tronditëse. E dëshmoi përmes shenjave të jashtëzakonshme
emrin e Hyjit të judenjve që, falë tij, u njoh me dekret mbretëror si Hyji i vetëm
e i vërtetë, i aftë për të shpëtuar ata, që besonin në të. Danieli, që mbeti gjallë
pas shembjes së perandorisë së re babiloneze (539-38), të cilën e kishte paralajmuar
gjatë vegimit, arriti të shikonte edhe vitet e para të perandorisë persiane, para
se të vdiste, në pleqëri të shtyrë. Përkujtohet më 17 dhjetor, së bashku me tre shenjtorët
e tjerë të Besëlidhjes së Vjetër: Ananinë, Azarinë e Misael.