2011-12-17 10:57:09

Impenjimi i vullnetarëve në burgun romak Rebibia. Intervistë me një murgeshë kanosiane


Kisha Katolike, siç e dëgjuat edhe nga komenti i atë Federiko Lombardit, impenjohet në të gjitha burgjet e botës, në favor të të burgosurve, duke u çuar atyre shujtën shpirtërore, Ungjillin e Krishtit, por edhe ndihmën materiale e fjalën ngushëlluese. Shpesh shoqëria e dënon të burgosurin, duke e quajtur të drejtë që atij t’i kushtohet më pak vëmendje e kërkesat të mos i merren parasysh. Është fajtor e mbetet i tillë edhe pas daljes nga burgu, duke hasur vështirësi të mëdha për të gjetur shtëpi e punë.
Në këtë situatë, roli i vullnetarëve është vendimtar. Nuk është e lehtë të punosh me të burgosurit, por ata që e bëjnë, kanë një rol shoqëror jashtëzakonisht të rëndësishëm, pasi punojnë me shpirt për rivlerësimin e njeriut, e konsiderojnë burgun jo thjesht si vend ku të burgosurit vuajnë dënimin, por si mundësi riedukimi, vend ku “fajtorët” mësojnë një profesion e përgatiten për integrimin e tyre të ri në shoqëri. Murgeshës kanosiane Rita Del Groso, e cila shërben që prej tetë vjetësh në Rebibia, i kërkuam të na tregojë se ç’bën vullnetari në burgun romak:
Është një person që ka ndjeshmëri të lartë ndaj nevojave të tjetrit, të cilit i dhuron kohën e vet. Për mua, që jam e shuguruar, vullnetariati do të thotë të ngushëlloj, të derdh lot me atë që vajton e, të vuaj me atë që vuan.
Çfarë e shtyn njeriun të shkojë për të punuar përkrah të burgosurve?
Dëshira për të dhuruar e për të bashkëndarë atë të mirë, që e kemi dhe na është dhuruar.
Pengesa e paragjykime. Cili është kontributi, që mund të japë vullnetari për t’i zhdukur?
Vullnetari ose vullnetarja, me mënyrën e jetesës, me marrëdhëniet që krijon me këta njerëz, me aftësinë për të mos pasur paragjykime, mendoj se kontribuon në krijimin e një kulture për mirëpritjen e atyre, që janë të ndryshëm nga ne. Të burgosurit janë të lumtur për vizitën e Atit të Shenjtë, pasi ajo tregon se Papa mendon edhe për ta, duke bërë që të mos ndjehen “të fundit” në Kishën tonë të madhe, gjithnjë në shtegtim e në lutje.







All the contents on this site are copyrighted ©.