2011-12-17 10:34:55

Atë Pjetër Meshkalla : Krishtlindje në Shkodër 1909


Mbas vitit 1909 qeveria Turke në Shkodër, për shkak të lëvizjeve shqiptare për liri (pushka - vëlonte, shpesh deri në afërsitë e qytetit) i ndaloi disa çfaqje tradizionale “Të Natës së Këshnellave”, duke i hjekë diçka të bukur e të vlefshme poezisë se Festës.
Dha lajmin kumbona
me tinguj argjandi,
theu muzgun jehona,
gjithë zemrat i trandi:
vinë festat e lume,
Krishtlindje e bekueme,
me shëndet e me gëzim!
Kumbonat e randa,
kumbonat e lehta
këndojnë me të pasë anda
me notat e veta:
ushtojnë Kumbonaret,
larg zani përdarët
tue ra pa pushim….
Sa kandshëm dikohet
kjo valë e harmonisë,
krejt shpirti naltohet
ndër sfera të hyjnisë:
kah shpresa e ngushëllimit,
kah rrezja e shpëtimit,
drejt pagjës që vjen!
Në atë kupen qiellore
o hyje xixilloni,
o male, prej bore
në dritë të hanës zbardhoni,
që zemrat e dlira
të gëzojnë, vullnet mira
me atë fe që na ushqen.
Tarabat kërcasin,
po mbyllen dyqanet,
gra e burra hitasin,
vrapojnë përgjith-an’ët:
përshëndetje e përgëzime,
ma të bukrat urime
gjatë rrugës ndigjon.
Tash hargjet e mbrame
s’ka mbetë kush pa i krye,
gjithkush do në këtë mbrame,
në shtëpi nguthshem me u kthye:
shegerti e tregtari,
ngarkue, prej Pazari
ma thekshem vrapon,
Plot dritë janë shtëpijat
plot zjarmi te oxhaku,
pëlcasin dëllinjat,
luejn fëmia te praku,
e gratë nuk pushojnë,
pa da vijnë e shkojnë,
vëlon puna gjithkund…
Në familje krye-parë
ke sonte gjithë të mirat,
në ato mesatare
plotësohen dëshirat;
po ende unë fukaraja
në këto festa të mdhaja
do të gëzoj edhe unë!
Pak baba fitimet,
pak qiti edhe nana,
e shkreta, kursimet
për të blemun do gjana;
por… erdhi te dera
dikush e, si era,
la’ i shportë edhe shkoi.
Vetë bana “Betlemin”:
sa i bukur që më doli!
s’e ka kush si temin
në mahall’n “Gjuhadol”:
me dërrasa e pëlhura,
me letra e piktura
ka kohë që unë punoj.
E tash, q’e mbarova
unë punen të tanë,
ke baba flut’rova
me nanën e vëllanë,
njërendi tue shkue
gjithë së bashku me u vu
te votra “ në gjuj të mdhaj”.
Dhe ngrihet im atë
qirinë ndezë atëherë,
premton ndonjë uratë
dhe ulet me tjerë,
në sa na me ngadalë
e flasim pa u ndalë
uratën si ai…
Por mue nuk më zë vendi,
lëshoj zanin e hollë,
-më rrahë zemra prej shëndi -,
tham vjershat si në shkollë,
-nga Prindët - temenà -
-andej - edhe këtej.
E këthehëm të rrokë prinden…
por baba ka ulë kryet,
e nana merr kinden
e shpejtë i fshinë sytë…
nuk dijë çka u ka zemra,
por mua më dridhet thembra,
më vlon gjaku nder dej……
A thue janë lot gëzimi?
a por janë lotë malli?
o ndoshta asht pikëllimi
pse mbëlue na ka halli
në këtë të shkretë jerevijë
përdhese vorfënije
si Krishti në Stan?!
Por çka! Jezun kemi
ndër zemra të vajtueshme;
të ngrohun na jemi
me hire të hyjnueshme:
i drejti në këtë jetë
ka pagj’n e vërtetë,
që të tjerët nuk e kanë.
Me Jezun na kjajmë,
e gëzimet ma të thellat
me Jezun i ndajmë:
e i lusim Këshndellat
me aqë të mira që Zoti
na i fali në ditë soti,
me Jezun e Lumë!
Oh, sa ambël sahati
rrjedh sonte në strehë tonë!
kaq ambël!... por s’ngjati
ra’i tingull… kumbonë…
Mesnatë! – Kris batarja,
jehon Kumbonarja,
vëlon pushka ma shumë…
Në këto vala festuese
gjithë zemrat na qeshën,
si rryma vershuese
njerëzia rrugës ndeshën,
kumbon’t ajrin çajnë,
e pushkët nuk ia ndajnë
për festën që na erdh’.
Na pret Kisha e Madhe
krejt mbushë me kandile
vijnë rradha mbas rradhe
me tuba familje,
e në Kishë, prej pesë portash,
çdo moshë e gjithë ortash
mbrendë populli u dherdh.
Sa dritat, si ylberi!
sa janë të mallngjyeshme!
sa priften te Elteri
me petka të shkëlqyeshme!
timiani me shtille
naltohet drejt qielle
fjollë-fjollëza plot!
Shkon lart si timiani, urata e lirë,

L u m n i t ë n a l t i t Z O T !”

Krishtlindje në Shkodër -1909 Ate Pjeter Meshkalla S.J. në vitin 1950 e shkroi këtë vjershë në Burgun e Burrelit të Mirditës.







All the contents on this site are copyrighted ©.