2011-12-16 17:21:58

Përurohet Bredhi i Krishtlindjes në Vatikan


Sheshi i Shën Pjetrit shndriti sot nga mijëra dritat e Bredhit të Krishtlindjes, i cili këtë vit, iu dhurua Atit të Shenjtë nga Ukraina. Ceremonia e përurimit pati karakter ekumenik, pasi përveç eksponentëve të Kishës Katolike dhe të Shtetit të Vatikanit, ishin të pranishëm edhe peshkopë ortodoksë ukrainas.

Nën tingujt e këngëve të kënduara nga dy grupe folklorike ukrainase, nga Koralja e katedrales greko-katolike të Uzhorodit dhe nga banda e Xhandarmërisë së Vatikanit, presidenti i Guvernatoratit të Selisë së Shenjtë, kryeipeshkvi Xhuzepe Bertelo dhe një fëmijë ukrainas shtypën së bashku butonin, që ndezi dritat shumëngjyrëshe të Bredhit, në orën 17.10.

Në gjithë traditën e Betlehemit e të Bredhit të Krishtlindjes në sheshin e Shën Pjetrit, filluar në vitin 1982 nga Papa Gjon Pali II, kjo është hera e parë që pema dhurohet nga Ukraina. Bredhi madhështor 61 vjeçar, 30 metra i lartë, me mëse 700 degë, peshon pesë ton dhe vjen nga një zonë e vështirë e Transkarpateve.

Pas një udhëtimi të gjatë 2000 kilometra, mbërriti në Vatikan paraditen e 1 dhjetorit, së bashku me 43 bredha të tjerë më të vegjël nga rajoni i Lvivit, të destinuar për zbukurimin e apartamenteve papnore, të rezidencave të kardinajve, të zyrave të Kuries e të Sallës Pali VI. Nga Ukraina vijnë edhe 250 dekorimet tipike të drunjta, vepra artizanale të qyteteve të ndryshme, dymijë sferat prej xhami, zbukuruar sipas traditës së vendit dhe objekte të tjera. Një Meshë e ritit ukrainas për të falenderuar Papën Benedikti XVI, do të kremtohet më 26 dhjetor, në orën 11.00, në Bazilikën e Vatikanit. Kujtojmë se Betlehemi i sheshit të Shën Pjetrit do të përurohet pasditen e 24 dhjetorit, me një koncert të Orkestrës Popullore të Auditoriumit “Parku i Muzikës” në Romë.







All the contents on this site are copyrighted ©.