2011-12-16 17:56:59

Predikimi i Kohës së Ardhjes nga atë Kantalamesa: ungjillëzon ai, që ka përvojën e thellë të Zotit.


Atë Raniero Kantalamesa mbajti, sot paradite, në kapelën e Nënës së Shëlbuesit, në Vatikan, predikimin e tretë të Kohës së Ardhjes, në praninë e Papës e të Kuries Romake. Rregulltari kapuçin e mori shtytjen nga ungjillëzimi i parë i Kontinentit amerikan.RealAudioMP3

“Ngjarja më e madhe e vitit 1492 nuk ishte se Kristofor Kolombi zbuloi Amerikën, por se Amerika zbuloi Jezu Krishtin”: Atë Kantalamesa u nis nga ky pohim, për të kujtuar veprimtarinë vigane, që kryen misionarët në Kontinentin amerikan. Një sipërmarrje me dritë hijet e veta, por pa harruar kurrë se drita ngadhënjen gjithnjë në ndeshjen me errësirën, siç ka pohuar edhe Gjon Pali II:
“Ndërmjet një bote pa mëkat, por pa Jezu Krishtin, teologjia tregon se parapëlqehet një botë me mëkat, por me Jezu Krishtin. “O faj i lum” – brohoret liturgjia e Pashkëve në Exultet – që na krijoi mundësinë të kemi një shpërblyes kaq të madh. A nuk duhet të themi të njëjtën gjë edhe për ungjillëzimin e dy amerikave, të Jugut e të Veriut? Ndërmjet një Kontinenti pa gabimet e hijet, që shoqërojnë ungjillëzimin e tij, por edhe pa Krishtin, kush nuk do të zgjidhte kontinentin me hije, por edhe me Krishtin? Cili i krishterë i së djathës a i së majtes (posaçërisht në se është rregulltar ose prift) do të mund të thoshte të kundërtën, pa e vënë në lojë vetë fenë e vet?”.
Duke pasur parasysh sfidën e sotme misionare, predikatari i Shtëpisë Papnore nënvizoi polarizimin e tepruar, që ndjehet fort kudo në Kishë, e që është posaçërisht i mprehtë në Amerikën Latine, ndërmjet atyre që përfaqësojnë frymën aktive e atyre që përfaqësojnë frymën kundruese, ndërmjet katolikëve të impenjmit shoqëror për të varfërit e katolikëve të kumtimit të fesë, sikur përmasa e të parëve ta përjashtonte atë të të dytëve. Por nuk është kështu:
“Ka vend për njërën edhe për tjetrën palë. Për më tepër, kemi nevojë njëri për tjetrin, duke mos mundur askush ta realizojë Ungjillin e plotë e ta përfaqësojë Krishtin në të gjitha aspektet e jetës së tij. Secili, duhet, prandaj të gëzohet kur të tjerët bëjnë atë, që ai vetë nuk mund ta bëjë: njëri kultivon jetën shpirtërore e kumtimin e fjalës, dikush tjetër, i kushtohet mbrojtjes së drejtësisë e promovimit shoqëror e anasjelltas. Vlen përgjithnjë porosia e Shën Palit Apostull: “T’i japim fund një herë e mirë prirjes për ta gjykuar njëri-tjetrin”.
Atë Kantalamesa foli, në fund, edhe për krizën e thirrjeve në urdhërat rregulltare. Shekullarizmi, tha predikatari, është sigurisht një nga shkaqet e kësaj krize, por nuk është vetëm ai. Të mos e harrojmë kurrë se njerëzit i tërheq vetë Shpirti Shenjt për të ecur në këtë apo në atë rrugë. E Shpriti Shenjt shkon atje, ku e duan, ku e ftojnë, ku e presin me dashuri e padurim:“Gjon Pali II i nxiste rregulltarët e rregulltaret e Amerikës Latine të ungjillëzojnë, duke u nisur nga përvoja e thellë e Zotit. E kjo, besoj, është gjëja kryesore: ‘Nuk mund të ungjillëzosh, pa qenë i lidhur plotësisht me Zotin’. Është kjo përvoja, që krijon kushtet për një valë të re ungjillëzimi. Fjala e urtë ‘nemo dat quod non habet’, ‘askush nuk mund ta japë, atë që nuk e ka’, sot vlen më shumë se kurrë në këtë fushë”.







All the contents on this site are copyrighted ©.