2011-12-16 17:36:33

Nesër në Madrid, lartohen në nderimet e elterit 22 martirë


Kremtohet nesër në Madrid, riti i lumnimit të Francisco Esteban Lacal e të 21 shokëve të tij, nga Kongregata e Misionarëve Oblatë të Zojës së Papërlyer, si edhe ai i Candido Castàn San José, laik e baba me fëmijë, që të gjithë martirë. Liturgjia eukaristike do të fillojë në mesditë e do të kremtohet nga prefekti i Kongregatës për Çështjet e Shenjtorëve, kardinali Angjelo Amato, përfaqësues i Atit të Shenjtë, në bashkëkremtim me kardinaj, ipeshkvij e meshtarë të tjerë nga Spanja, SHBA-të, Venezuela e Paraguaji. Për ta njohur sadopak këtë grup martirësh spanjollë, i drejtuam mikrofonin pikërisht kardinalit Angjelo Amato:RealAudioMP3
Janë një baba me fëmijë dhe 22 misionarë oblatë të Zojës së Papërlyer: Eprori Provincial, meshtarët, rregulltarët dhe të rinjtë studentë të filozofisë e të teologjisë. Nuk ishin kriminelë. Nuk kishin bërë asgjë të keqe. Përkundrazi, dëshira e tyre e vetme ishte të bënin mirë e t’u shpallnin të gjithëve Ungjillin e Krishtit, i cili është lajm i mirë i paqes, i gëzimit e i vëllazërimit. U vranë në furinë antikatolike të vitit 1936, që e goditi Spanjën si një rrebesh gërryes acidi, i cili, në zemrat e disave, thau krejtësisht çdo burim, nga mund të rridhte ndopak humanitet.
Cili është mesazhi që na lënë këta martirë?
Martirët e çdo kohe janë dëshmitarë të çmuar të asaj jete njerëzore, që i përgjigjet brutalitetit të persekutuesve e të vëllavrasësve me butësinë e guximin e burrave të fortë. Pa armë, vetëm me energjinë e parezistueshme të fesë në Zotin, ata fituan mbi të keqen, duke na lënë trashëgim të mirën për të gjithë ne. Gjakatarët janë harruar, ndërsa viktimat e tyre të pafajshme kujtohen e kremtohen.
A mund të na thoni diçka për oblatët?
Shumica e tyre janë të rinj rregulltarë të Oblatëve të Zojës së Papërlyer, që Zoti i pati thirrur ta ndiqnin, për të qenë misionarë të paqes ndër njerëz. Pascual Alàez Medina, për shembull, ishte vetëm 19 vjeç. Lindi në maj të vitit 1917 në provincën e Leonit. Që 12 vjeç hyri në seminarin e oblatëve dhe në moshën 18 vjeçare mori kushtet e para të varfërisë, pastrisë dhe bindjes. Ishte i mirë dhe entuziast për thirrjen e tij. Vetëm 6 ditë pas përtëritjes së parë të kushteve, u kap dhe u vra. Edhe më i ri ishte Clemente Rodriguez Tejerina, lindur edhe ai në provincën e Leonit, në korrik 1918. Ëndërra e tij - të shkonte në mision. U martirizua në Paracuellos del Jarama në nëntor 1936. Ishte vetëm 18 vjeç. Në dhjetor të atij viti, e motra, Josefa, duke mos ditur gjë për vdekjen e të vëllait, me dëshirën për ta vizituar, mësoi nga ushtarakët se “ishte liruar më 28 nëntor”. Në Konsullatën e Kilit i thanë se të gjithë njerëzit “e liruar” më 27 e më 28 nëntor të vitit 1936, në të vërtetë ishin pushkatuar. Vaji i mijëra nënave nuk mund ta lehtësojë dhimbjen e Kishës për humbjen e këtyre bijve të saj, rënë për shkak të urrejtjes kundër Zotit. Fatkeqësisht, historia na mëson se kur njeriu i çrrënjos nga ndërgjegjja Urdhërimet e Tënzot, këput edhe fibrat e së mirës, që ka në zemër, duke arritur në gjeste të tmerrshme. Kur humb Zotin, njeriu humb edhe humanitetin e vet.







All the contents on this site are copyrighted ©.