2011-12-15 18:34:57

Papa në lutjen mbrëmësore me universitarët: kush e ndërton botën pa Zotin, shkatërron njeriun


“Sa herë njerëzit janë munduar ta ndërtojnë botën pa Zotin, rezultati ka qenë dramatik e tragjik”: në takimin e sotëm me universitarët e Romës, me të cilët tha lutjen mbrëmësore, në orën 17.30, në Bazilikën e Vatikanit, Papa Benedikti XVI predikoi, duke u nisur nga fjalët e shën Jakobit Apostull, “Jini të durueshëm, o vëllezër, deri në ditën e Ardhjes së Zotit” (Jak 5,7). Gërshetuar me reflektime për argumentin e tij të dashur, lidhjen ndërmjet fesë e arsyes, Ati i Shenjtë u shpjegoi mëse 10 mijë studentëve dhe pedagogëve romakë, të shoqëruar nga rektori i universitetit “Luiss”, nga ministri italian per universitetet dhe nga autoritete të tjera akademike, se ç’do të thotë të presësh me durim e këmbëngulje Hyjin.RealAudioMP3
Mund t’ju duket e çuditshme thirrja e apostullit, juve, që jetoni në atmosferën kulturore e shoqërore të kohës sonë, që eksperimentoni teknologjitë më të reja e më të ndërlikuara, që jeni protagonistë të një dinamizmi historik, i cili nganjëherë, nuk sheh ç’ka përpara, u tha Papa universitarëve. Në të vërtetë, pikërisht këshilla e shën Jakobit për të qenë të duruar e këmbëngulës, gjithnjë në kërkim të Hyjit, është rruga për të kuptuar vërtet se si na e zbulon Zoti fytyrën e vet:
“Nuk kemi nevojë për një zot të çfarëdoshëm, të papërcaktuar, por për një Zot të gjallë e të vërtetë, që ia hap horizontin e ardhmërisë së njeriut perspektivës së shpresës së patundur e të sigurtë, shpresës së pasur me amshim, që na lejon ta përballojmë me guxim të tashmen, në të gjitha aspektet e saj”.
Por ku ta kërkojmë fytyrën e Zotit? – pyeti Benedikti XVI. Ose më mirë, ku vjen vetë Zoti për të na takuar, duke na treguar Fytyrën e vet, duke hyrë në historinë njerëzore? Vërtet, theksoi Papa, nuk jemi vetëm e nuk e ndërtojmë të vetëm historinë:
“Zoti nuk është larg njeriut, por është përkulur mbi të e është mishëruar, që njeriu ta kuptojë ku qëndron themeli i patundur i gjithçkaje, ku plotësohen aspiratat e tij më të thella: në Krishtin. Durimi është virtyti i atyre, që ia besojnë veten kësaj pranie në histori, që nuk e lënë të fitojë tundimin për të shpresuar veç në të sotmen, në perspektiva thjesht horizontale, në projekte teknikisht të përsosura, por larg realitetit më të thellë, atij, që i dhuron dinjitetin më të lartë njeriut. E kjo është përmasa shpirtërore, të qenit krijesë në shembëlltyrë e në përngjasim me Zotin, që ka në zemër dëshirën për t’u ngritur deri te Ai”.
E Papa i ktheu sytë nga grazhdi i Betlehemit, aty ku Foshnja Hyjnore, që lind, është shenja e qartë e durimit të Zotit, e dashurisë së Tij besnike për njeriun, pavarësisht se në padurimin e vet, njeriu është munduar ta ndërtojë botën pa Hyjin. Por me ç’rezultate, pyeti Benedikti XVI:
“Sa herë, njerëzit janë përpjekur ta ndërtojnë botën të vetëm, pa, ose kundër Zotit! Rezultati jepet nga drama e ideologjive, të cilat, në fund të fundit, treguan se janë kundër njeriut dhe dinjitetit të tij më të thellë… Të jesh këmbëngulës dhe të kesh durim do të thotë të mësosh ta ndërtosh historinë bashkë me Zotin, sepse vetëm duke u ngritur mbi Të e me Të, ndërtesa i ka themelet e forta, nuk përdoret për qëllime ideologjike, por është vërtet e denjë për njeriun”.
Ta ndezim pra shpresën në zemra, u tha Papa të rinjve, sepse në shpellën e Betlehemit, aty ku Zoti u bë njeri, vetmia u mund. Jeta jonë nuk është më në mëshirën e forcave të natyrës e të historisë, shtëpia jonë mund të ndërtohet mbi shkëmb, mbi sigurinë se Jezu Krishti është i pranishëm e na shoqëron përgjithnjë. Ta përqafojmë me gëzim Fëmijën, që Shën Maria e Shën Jozefi na e japin për Krishtlindje. Ta përtërijmë jetën në Të e me Të, duke përballuar me guxim çdo vështirësi:
“Secilit nga ju, Zoti i kërkon të bashkëpunojë në ndërtimin e qytetit të njeriut, duke lidhur me seriozitet e pasion fenë me kulturën. Për këtë, ju ftoj të kërkoni gjithnjë, me këmbëngulje plot durim, Fytyrën e vërtetë të Zotit, ndihmuar nga rruga baritore, që ju propozohet në këtë vit akademik. Kërkimi i Fytyrës së Zotit është aspirata më e thellë e zemrës suaj dhe është edhe përgjigjja për këtë çështje themelore, që del rishtas në dritë në shoqërinë bashkohore”.
Papa i uroi studentët e pedagogët për festën e 20-vjetorit të themelimit të Zyrës së baritorisë universitare në dioqezën e Romës, e cila u ngrit me dëshirën e Papës së lum Gjon Pali II dhe përmendi shtegtimin e ikonës “Sedes Sapientiae” (Seli e Dijes) në kapelanitë e universiteteve. Ajo iu dorëzua sot delegacionit të studentëve të universitetit romak “La Sapienza” nga të rinjtë spanjollë të Ditës Botërore të Madridit. Duke marrë shkas nga ky shtegtim, që do të përfundojë me simpoziumin e pedagogëve në qershor të vitit të ardhshëm, Papa Benedikti XVI e përfundoi homelinë me fjalët:
“U çoni të gjithëve lajmin se Fytyra e vërtetë e Zotit është Foshnja e Betlehemit, kaq afër me secilin prej nesh, sa askush nuk mund ta ndjejë veten të përjashtuar, askush nuk duhet të dyshojë për mundësinë e takimit, sepse Ai është Zoti i durueshëm e besnik, që di të presë e të respektojë lirinë tonë. Atij dëshirojmë sot t’i rrëfejmë me besim dëshirën më të thellë të zemrës sonë: ‘Unë kërkoj Fytyrën tënde, o Zot; eja, mos vono!”.








All the contents on this site are copyrighted ©.